Opinion për gazetën Albanian Free Press: Ne, kalamajtë e përjetshëm - Nga Rovena Dilo

Opinion për gazetën Albanian Free Press: Ne, kalamajtë e përjetshëm - Nga Rovena Dilo
Nga Rovena Dilo

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Gjatë bisedës me një vajzë simpatike dhe shumë inteligjente, shkolluar mirë në perëndim, e re, rreth të 30-ve, u hap një temë sa interesante aq edhe shqetësuese.

Problemin e ceku ajo, por u munduam ta kuptonim dhe zgjeronim bashkërisht. Duke folur për afrimin e shqiptarëve me botën e zhvilluar dhe mundësitë që ata kanë për tu bërë pjesë e natyrshme e kësaj jete, bizneseve e bashkëpunimeve serioze, doli se ne na pengon diçka që s’ka lidhje vetëm me shkollimin apo inteligjencën si popull, përkundrazi.

Arritëm në konkluzionin se, problemi më i madh që përballon shqiptari, sot, në kohërat moderne, është bashkëjetesa me prindërit.

Sa e vërtetë është kjo? Shumë e vërtetë. Dhe kjo e vërtetë duket se nuk arrin t’i ndërgjegjësojë fare ata që, në fakt, duhet të ishin tmerruar, prindërit dhe bijtë.

Sekush në vendin tonë, e përjeton si diçka të zakonshme.

Si diçka që s’ka pse të jetë ndryshe. E më e çuditshmja është se ata që duhet të iknin një orë e më parë, pra, bijtë (e këtu po flitet për të gjitha moshat, nga 20 deri 50 vjeç; po, po, deri atëherë, e ndoshta më tutje vazhdon bashkëjetesa), vështirë se marrin mundimin ta shikojnë si shqetësim.

Pra, imagjinoni, për ne kujdesen ende prindërit si të ishim fëmijë. Prindër te papërgjegjshëm dhe fëmijë që kanë frikë t’ua thonë troç: Ej, çfarë po bëni? Detyra juaj ka mbaruar, realisht, tek të 20-at tona!

Të rritur që vazhdojnë ende t’i zgjojnë nënat dhe baballarët, t’i marrin në telefon, vend e pa vend, e t’i kontrollojnë se çfarë bëjnë e ku janë, t’i lajmërojnë për çka kanë gatuar e të shqetësohen për orën e vonë të natës.

E pra, kur je në një shtëpi me prindërit, i ke të gjitha arsyet për të ngecur në një mentalitet të vjetër. Dëshira e tyre për të këshilluar dhe për të trajtuar si të mitur, nuk mbaron asnjëherë.

Nuk duam të mohojmë (larg qoftë!) dashurinë e tyre!

Por prindërit shqiptarë, në përgjithësi, kanë një keqkuptim në përcaktimin e të drejtave të tyre në jetën e fëmijës, mendojnë se, meqë i kanë lindur, duhet t’i konsiderojnë pronë.

Po mëvetësia?!

Por, çfarë të bëjmë? Kjo është shoqëria shqiptare, një ngërç brezash.

Një mungesë pavarësie e vazhdueshme.

Dikush mund të thotë se një popull i varfër, sajohet me ato që ka dhe kur s’ka mundësi, jeton aty ku gjen strehën.

Por unë mendoj se, ky është më tepër një mentalitet që ka nevojë të shkundet, sesa varfëri ekonomike.

Traditë e mykur, që po merr kaq kohë të dalë në diell e të pastrohet, një herë e mirë.

Një brez që i pason defektet e traditës, tek brezi tjetër e kështu me radhë, pa mundur të kuptojë dëmin dhe pasojat.

Pasojat janë të shumta; detaje të vogla, të ndjeshme, por që, në fund, krijojnë atë prapambetjen e frikshme, e cila zor se mund të na shqitet!

Përplasja e brezave sjell zhvillim, por këtu tek ne, kjo nuk ndodh.

Thjesht, një kalim i butë, nga më e vjetra tek më e reja, sikur të ketë frikë kjo e fundit se do ta shpluhurojë.

Por, pikërisht, kjo i duhet kësaj shoqërie patriarkale, një shkundje.

Ndoshta, një shuplakë turinjve!

Fillimisht, të "vegjëlve"; Mos kini frikë të jetoni pa "mos" dhe "duhet", provoni të jetoni dhe t’ia tregoni vetes se sa jeni rritur!

Të rritesh nuk është turp!

Të jesh i pavarur, nuk është mëkat!

Pastaj, "pleqve"; Gëzohuni, o prindër, të dashur, që duam të jetojmë për veten tonë dhe siç duam! Mos na gjykoni atëherë kur duhet të na dëgjoni... dhe deri sa të zgjidhet problemi! KUJDES!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: