OPOZITA, DY PIKAT E UJIT PS E PD - Nga ROLAND QAFOKU - për “Albanian Free Press”

OPOZITA, DY PIKAT E UJIT PS E PD - Nga ROLAND QAFOKU - për “Albanian Free Press”
Nga ROLAND QAFOKU - për “Albanian Free Press”

Rubrika “Vera e re në fuçinë e vjetër”

Në këto 27 vjet, në Shqipëri, mënyra e të bërit opozitë ka qenë, pothuajse, e njëjtë. Si Partia Socialiste dhe Partia Demokratike i ngjajnë dy pikave të ujit, duke ndjekur rregullin se kur i bllokoj unë rrugët dhe sulmoj institucionet, kam të drejtë; kur këtë e bën kundërshtari, quhet goditje e rendit kushtetues.

A nuk ishte kështu në 1991, kur, e dalë nga letargjia komuniste, opozita e asaj kohe, kishte të drejtën e zotit të shkundte vendin, por një zot e di se çlidhje kishte kjo me shkatërrimin e çdo prone, deri te furrat e bukës, me justifikimin e çmendur se ishin komuniste?

A nuk ishte kështu, më 2 prill 1991 në Shkodër, kur u vranë 4 të rinj të pafajshëm dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, por që opozita inspiroi një protestë të dhunshme ndaj institucioneve të shtetit?

A nuk ishte kështu kur Partia Socialiste në opozitë la në mes procesin zgjedhor më 26 maj 1996, duke larguar komisionarët, gjë që solli goditjen e madhe ndaj zgjedhjeve me arsyetimin se po vidheshin?

A nuk ishte kështu në trazirat e marsit 1997, kur Partia Socialiste në opozitë inspiroi jo pak dhunë dhe turmat arritën të plaçkitin institucionet dhe, më rëndë se kaq, të vrasin dhe masakrojnë përfaqësuesit e shtetit në zyrën e tyre të punës dhe, më pas, shteti ra si asnjëherë në histori?

A nuk ishte kështu në ngjarjet e shkurtit të vitit1998 në Shkodër, kur mbështetës të Partisë Demokratike shkatërruan drejtorinë e policisë dhe komisariatin, liruan të gjithë të burgosurit, duke mbajtur peng edhe drejtuesit e policisë lokale? Apo edhe kur deputetët opozitarë të Shkodrës, mbështetën këtë lloj proteste me armë dhe granata?

A nuk ishte kështu në 14 shtator të vitit 1998, kur ithtarë të Partisë Demokratike, deputetët më të rëndësishëm të saj, me arkë mortin e Azem Hajdarit në krah, mësynë kryeministrinë, më pas mbështetësit e PD-së i vunë flakën e sulmuan, deri me tanke, dhe shkatërruan të gjitha godinat qeveritare, duke shkaktuar në një mini mars 1997? U grabitën dyqane, lokale, shtëpi dhe kulmi arriti kur 40 protestues hynë në një parking privat, thyen xhamat dhe morën për vete, secili, 40 makina si trofe nga kjo protestë demokratike.

Me zëvendësimin e Fatos Nanos me Edi Ramën dhe Sali Berishës me Lulzim Bashën, punët me protestat opozitare dhe mënyrën e tyre, nuk ndryshuan.

A ju kujtohet lëvizja e çuditshme e Edi Ramës për certifikatat dhe zgjedhjet lokale u shtynë tre muaj më 2007?

A nuk ishte kështu në vjeshtën e vitin 2009, me protestat “hapini kutitë”? Dhe për kutitë e pahapura u bë një grevë e çuditshme urie, më masivja që ka ndodhur në historinë e shtetit shqiptar, por që kurrë nuk është futur në histori për qëllimin dhe më e rëndësishme se kjo, për atë që arriti.

Po lëvizja për qarkun e Fierit, një lëvizje e çuditshme që dukej se ishte, thjesht, tekë e një opozite po aq tekanjoze?

A nuk ishte kështu protesta e opozitës më 21 janar 2011, ku u vranë katër protestues të pafajshëm, por që sipas logjikës së qeverisë së sotme, opozita e asaj kohe paska patur të drejtë të ushtronte dhunë ndaj policisë?

 

Po ashtu, a nuk ka ndodhur kështu me thirrjet kur Lulzim Basha del nga vetja dhe bën deklarime të tipit, do ta tërheqim zvarrë një drejtor se kishte hequr dikë nga puna, a thua se vetë Basha nuk ka larguar askënd nga puna, në karrierën e vet?

A ju kujtohet sulmi i turpshëm ndaj godinës së KQZ-së, që Taulant Balla e deputetë të tjerë të opozitës së asaj kohe, më mënyrën se si u hodhën mbi kokat e policisë, i morën të keqen Mic Sokolit, Vojo Kushi dhe Selam Musajit, që u hodhën mbi topat dhe tanket e armikut, ndërsa heronjtë e PS-së mbi trupat e policisë së shtetit shqiptar?

A nuk ishte kështu kur po kjo opozitë, bllokoi rrugët nacionale dhe dogji goma makinash, pikërisht, për të protestuar, sepse, sipas saj, ajo po luftonte për një kauzë më se të drejtë?

Pra, nga kjo retrospektivë ngjarjesh, ka vend për shumë pak komente. Opozita shqiptare, rregullisht, ka treguar që mendon se ka të drejtë për gjithçka çfarë bën edhe kur shkatërron, bllokon dhe sulmon institucionet. Në fakt, opozita ka të drejtë të ngrejë zërin, por jo armët antikushtetuese, të cilat si PS-ja dhe PD-ja i kanë ngritur sa herë kanë patur një hall. Për këtë arsye, të dyja ngjajnë si dy pika uji.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: