Partizani shkon me dyshime në Shkodër, “Vllaznia nuk ka falimentuar!”

Partizani shkon me dyshime në Shkodër,  “Vllaznia nuk ka falimentuar!”
Vllaznia ka falimentuar? Pas lajmit të përhapur në media, duket se me emrin e madh të Vllaznisë, “fshihet” inati i ekipeve të tjera mbi ecurinë e fundit pozitive të klubit shkodran.

Drejtuesit shkodranë shprehen se e gjithë kjo histori, është një farsë e vërtetë, thjesht për t’i prishur imazhin klubit shkodran, me qëllim që të mos afrohen investitorë. Në fakt, klubet shqiptare të futbollit, kush më shumë e kush më pak, kanë problematikë të ngjashme me bilancet financiare.

Prandaj, edhe logjikisht, nuk mund të rrezikojë falimentimin Vllaznia, një prej ekipeve më me traditë dhe histori në Shqipëri, që administrohet nga bashkia Shkodër dhe ka buxhet më të kënaqshëm se shumë bashki të tjera të vendit. Administratori i Vllaznisë, Astrit Gjyrezi, shpjegoi situatën e fundit financiare të klubit që ai drejton. “Borxhi shkon në 22 milionë lekë të rinj.

Kemi një marrëveshje me Drejtorinë Rajonale të Tatim-Taksave dhe, vetëm para pak javësh, derdhëm rreth 2.3 milionë lekë. Detyrimi nuk është vetëm i vitit 2016, por i mbledhur, vit pas viti, që nga 2011-a, kur klubi u regjistrua si sh.a. Kemi marrë përsipër shlyerjen e plotë të borxhit brenda dy viteve, siç e parashikon ligji për procedurat tatimore.”

Pas barazimit të fundit në Kukës, që i mohoi kreun ekipit verilindor, Vllaznia, para lajmit se rrezikon falimentimin, u përfshi në akuza të forta se me lojën e saj, po i bën “nder” Partizanit. Por më 16 prill, pikërisht, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, Vllaznia pret këtë javë Partizanin e vendit të parë. “Vllaznia duhet të humbasë që të mos sulmohet. Ekipi po sulmohet nga njerëz që nuk ia duan të mirën. Partizanit i kemi marrë dy barazime dhe na ka mundur një ndeshje me një penallti të paqenë. Ne do të kërkojmë të marrim maksimumin në çdo ndeshje, për objektivin tonë”, - u shpreh Gjyrezi.

Aktualisht, Vllaznia ndodhet pas Luftëtarit, në vend të pestë, por nuk rrezikon rënien. Vllaznia, deri në fund të garës, kërkon të pozicionohet në vend të katërt.

 

Java e 29-të, provë për “aleancat” dhe rrezikun që kanos Flamurtarin

Barazimi pa gola i Vllaznisë në Shkodër, rezultat që i hoqi dy pikë Kukësit dhe i dha shanse Partizanit të kryesojë i vetëm pas javës së 28-të, u shoqërua me akuza të forta. Verilindorët pretendojnë se Vllaznia bëri “lojën” e Partizanit, madje ngriti akuza se ka “aleancë” mes tyre, aq sa pretendohet se të kuqtë do të fitojnë këtë javë në “Loro Boriçi”.

Kalendari i javës së 29-të në Kategorinë Superiore, rezervon ndeshje në transfertë si për Kukësin që luan në Durrës, ashtu edhe për të kuqtë që udhëtojnë drejt Shkodrës. Skënderbeu i vendit të tretë, tre pikë pas Kukësit dhe dy pikë pas Partizanit, pret Korabin dhe shpreson të përfitojë terren ndaj rivalëve. Flamurtari, pas humbjes së një javë me parë me Skënderbeun në shtëpi, është, këtë javë, para provës së fundit në Gjirokastër: në rast se humb me Luftëtarin, vështirë të shmanget rënia në një kategori më poshtë.

 

Kategoria Superiore – Java e 29-të

15 prill

Tirana-Laçi                         19:00

Skënderbeu-Korabi           16:00

Teuta-Kukësi                      19:00

16 prill

Luftëtari-Flamurtari         16:00

Vllaznia-Partizani              19:00

Shpërndajeni me miqtë tuaj: