Politika pa busull - Nga Plator Nesturi për “Albanian Free Press”

Politika pa busull - Nga Plator Nesturi për “Albanian Free Press”
Nga Plator Nesturi

Vapa mund të të trullosë pak, madje, edhe të të roisë, nëse nuk i bën derman, duke u futur në hije, a të freskohesh ndokund! Por shqiptarët, çështjen e temperaturave të larta të stinës, e kanë problemin më të vogël, për mbarëvajtjen mendore.

Prej gati një viti, temperatura politike në vend, ka qenë aq e tejngritur, aq e sikletshme, saqë stinët shërbenin, thjesht, si dekor, ndërsa tonet alarmante të ambientalistëve për ngrohjen globale, të dukeshin si punë pesë me hiç!

Në gjithë këta muaj, pra, të mbushur plot me ngjarje pikante, zgjedhje, me fitues në pushtet e fitues "moralë", mosnjohje rezultati, njohje të tyre, por bojkot parlamentar, betim në Kuvend e futje në grevën e urisë, kërkesë për transparencë, por komisioni hetimor parlamentar mbetet bosh, shqiptarët e ndjejnë veten të lodhur nga ky kalvar rraskapitës konfliktual dhe ku lufta e bajlozëve të politikës, vijon të bëhet me kaq egërsi, jo për ndonjë grua (si sebep historik sherri), por për ca kuti votash që, historikisht, i kanë mbushur dhe numëruar vetë.

Si rezultat i këtij tensioni ku palët refuzojnë njëra-tjetrën, qytetari i thjeshtë është shurdhuar nga rënia e dy kambanave që stonojnë mes tyre.

Opsionet se ka "krizë politike" të opozitës dhe mohimit të saj nga mazhoranca, se kemi krizë ekonomike, përkundrejt optimizmit qeveritar se, përkundrazi, "ka rritje të ekonomisë, përderisa do të ngremë pagat dhe pensionet", - e kanë trullosur opinionin publik.

Ndaj, si për t'iu përgjigjur këtij absurdi, ku bashkëjetojnë dy realitete jo në simbiozë mes tyre, konstatimi i sotëm është se edhe kemi krizë politike, por ka edhe rritje ekonomike.

Në këtë "përfundim" arrijnë, madje, edhe institucione të BE-së. Kështu, në Bruksel dhe Strasburg theksohet se ka krizë politike dhe se palët duhet të gjejnë rrugëzgjidhjen, ndërsa në raporte të ndryshme të BE-së, përgëzohet për progresin ekonomik. Ti marrësh këto qëndrime veç e veç, të duket se bëhet fjalë për dy vende të ndryshme, ndaj nuk është çudi që shqiptari i thjeshtë, i trullosur nga këto akrobaci, s’i ngelet të zgjedhë veç njërën nga këto botë virtuale, midis asaj të Berishës dhe asaj të Ramës.

Pavarësisht se në botën e tij reale, asaj të përditshmes, pak dallim ka nëse është ithtar i njërit apo i tjetrit

Ajo çfarë po iu bën politika shqiptare shtetasve të vetë, në lidhje me interesat më kryesore të tyre, ngjan, së tepërmi, me atë çfarë ndodhte, deri pak kohë më parë, në oborrin e Fakultetit të Drejtësisë ku sekserët ofronin diploma për juristë, kundrejt çmimit 7000 euro, pikërisht, aty ku duhet të dalin juristë dhe prokurorë të cilët duhet të luftojnë korrupsionin.

Të paktën, për punën e sekserëve, u vu rregull, por, a ka ende garanci që sekserët të kenë shkuar në parlament, për të përcaktuar drejtësi e transparencë ne emër të Vettingut?

Madje, vetë Brukseli, që prej dy vjetësh, po monitoron nga afër çështjen e reformave dhe, sidomos, atë në drejtësi, ende e ka të vështirë të orientohet në intrigën ballkanase dhe të kuptojë drejt, nëse kjo klasë politike e ka seriozisht kur deklaron se synon Europën, apo ka rënë dhe Brukseli vetë në rrjetën e interesave të vogla të lojtarëve pompozë të një vendi liliput.

Deri më tani, është kërkuar, thjesht, një formulë magjike e ngjyer me bojë demokracie, për të bërë së bashku mazhorancën dhe opozitën shqiptare, për t’u marrë vesh për interesin e qytetarëve të këtij vendi, dhe që është rruga e integrimit në BE. Në të kundërt të kësaj, forcat tona kryesore politike, thjesht, kërkojnë deklarata mbështetëse dhe ekskluzive për to.

Për këtë nuk përtojnë të hapin dhe thesin e parave (që i bie të jenë dhe tonat), porse rezultati do të jetë veç krijim i një publiciteti negativ për Shqipërinë, po me paratë tona.

Në këtë mënyrë, jo vetëm nuk arrijnë dot një konsensus politik për t’i hapur udhë rrugëtimit drejt BE-së, por kriza do të thellohet. Bashkë me të, edhe Evropa do të jetë shumë më larg!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: