POLITIKA VIRUTALE DHE POLITIKA REALE!

POLITIKA VIRUTALE DHE POLITIKA REALE!
Nga ALFRED PEZA

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Një lajm jo shumë i zëshëm i disa portaleve këtë javë, duket se nuk tërhoqi shumë vëmendje publike, në zallamahinë e lajmeve të tjera të zhurmshme të politikës së ditës. Bëhej fjalë për faktin se Kryeministri Edi Rama prin në ndjekjen online të aktivitetit të tij publik, për shkak se aktualisht, ka numrin më të madh të friends-ave në facebook-un e tij zyrtar. Duke ia kaluar në këtë mënyrë, "kampionit" të deridjeshëm, Sali Berisha. Duke e lënë atë pas nga dita në ditë, e duke patur tashmë qindra, e mijëra ndjekës më shumë. Me një tendencë të shtimit progresiv të kësaj distance, për shkak të aktivitetit shumë të shtuar politik, e që pritet të rritet ndjeshëm, deri ditën e zgjedhjeve më 18 qershor.

Ky parakalim në numrin e "miqve" që i ndjekin, në këtë dritare online të komunikimit të tyre me anë të rrjeteve sociale, në një vend tjetër, do kishte tërhequr shumë më tepër vëmendje jo vetëm të medias. Por edhe të politologëve, sociologëve, psikologëve apo edhe ekspertëve të fushës së teknologjive të reja të informacionit. Po të kemi parasysh se secili prej dy liderëve më të zëshëm politikë në Shqipëri, kanë tashmë rreth një milionë e gjashtëdhjetëmijë ndjekës, nga afro 2 milionë adresa facebook që kanë gjithë shqiptarët anekënd botës, në rrjetin e gjerë të komunikimit botëror.

Për ta kuptuar më mirë se bëhet fjalë për një fenomen që nuk mund të neglizhohet, kujtojmë këtu se numri i ndjekësve të Kryeministrit Rama dhe liderit të opozitës Berisha në rrjetet sociale, është pothuajse i barabartë me numrin e ndjekësve që Mateo Renzi kishte, në kohën kur ishte Kryeministër i Italisë deri para pak muajve. Që do të thotë, se ky aktivitet ka shumë rëndësi dhe është një tregues shumë kuptimplotë për ta, jo vetëm nga ana sasiore, por edhe cilësore e të bërit politikë nëpërmjet raporteve me publikun. Po të kemi parasysh këtu, se pjesa më e madhe e atyre që regjistrohen si ndjekës të njërit apo tjetrit në facebook-kun e secilit, janë njerëz aktivë dhe politikisht të angazhuar. Duke përcjellë me vëmendje të shtuar 24 orë në 24 orë, gjithë aktivitetin ditor politik, edhe të shefit të mazhorancës, ashtu edhe të opozitës.

Përveç shumë të tjerave, ky fakt që po trajtojmë këtu, është një tregues i dominancës së skenës së majtë nga Rama dhe i skenës së djathtë politike nga Berisha, nëpërmjet atyre që i mbështesin dhe i përfaqësojnë në terren dhe opinionin publik. Sikundër është edhe tregues i faktit se karriera e tyre politike ka kaluar nëpër një kurbë, e cila edhe për shkak të këtij detaji, tregon se nuk është e rastësishme. Pasi të dy jo vetëm e njohim, por edhe e kuptojnë shumë më mirë së kushdo tjetër, rëndësinë e jashtëzakonshme të raporteve të tyre të komunikimit me përkrahësit dhe kontestuesit.

Ndryshimi mes Ramës dhe Berishës në këtë element, është fakti se Kryeministri e ka krijuar "audiencën" e tij virtuale nëpërmjet një raporti shumë profesional duke përdorur rubrika të përhershme, orare të studiuara komunikimi në raport me angazhimin e atyre që e ndjekin, por edhe nëpërmjet gjetjeve të reja siç është ERTV, një dritare televizive e komunikimit live. Ndërsa ish kryeministri e ka bazuar audiencën e tij tek postimet denoncuese militante, me gjuhë agresive dhe me pretendime investiguese, të cilat shpeshherë bien deri në nivelin e thashethemeve dhe intrigave të vockla djallëzore, të ngjyer me ndonjë pikëz të vërtete, për të ulur besueshmërinë apo për të bërë diversion tek mazhoranca.

Pas Ramës dhe Berishës, klasifikimin e ndjekësve ndër politikanët më aktive në vend, në rrjetet sociale i pasojnë Lulzim Basha si individ dhe LSI si subjekt politik. Pasi Ilir Meta përdor qasje ende tradicionale, por jo pak efikase, për të mbajtur raportet e tij politike me ndjekësit dhe kritikët në terren. Kryetari i PD ka vetëm gjysmën e numrit të ndjekësve të paraardhësit të tij. I ndjekur nga Grida Duma përsa i përket kampit opozitar.

Është interesante të shohësh se ka pothuajse një raport relativisht të drejtë mes nivelit të mbështetjes dhe kuotave politike në secilin prej kahjeve të politikës, me numrin e ndjekësve që liderët tanë kryesorë kanë në rrjetet sociale të komunikimeve të tyre zyrtare. Pasi sa më i vogël përfaqësimi politik i partive në Parlament, apo numri i votave të fituara si në zgjedhjet parlamentare ashtu edhe në ato lokale, aq më i pakët është numri i ndjekësve të liderëve të partive politike, në hapësirën virtuale. Ndër kryetarët e bashkive sigurisht që numrin më të madh të ndjekësve në facebook e ka ai i Tiranës, Erion Veliaj me afro 400 mijë. Numër ky shumë më i lartë se i gjithë krerëve të tjerë politikë në vend, pas treshes Rama- Berisha- Basha.

Aq i rëndësishëm duket ky tregues, i komunikimit online të lidershipit politik me votuesit dhe ndjekësit e tyre, për suksesin real politik të tyre në terren, sa kjo detyroi Ben Blushin që të hapte një profil në facebook, vetëm në momentin kur vendosi që të themelojë partine e re politike që drejton, Libra. Megjithëse ish gazetar dhe shkrimtar, deri në atë moment, ai nuk e kishte ndjerë të nevojshme qenien prezent në një dimension të tillë. Një provë më shumë se virtualiteti edhe në vendin tonë është bërë realitet dhe realiteti ynë qoftë edhe politik, gjithnjë e më virtual. Shenjë e sigurtë se veç shumë gjërave të tjera, përcaktuese në rezultatin elektoral të zgjedhjeve të 18 qershorit, ndryshe nga të gjitha zgjedhjet e tjera të zhvilluara më parë në Shqipëri, do jetë jo vetëm raporti i partive dhe liderëve të tyre me zgjedhësit në terren, por edhe në hapësirën e re e të padukshme, online.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: