Pse "kriza" është artificiale

Pse "kriza" është artificiale
Alfred Peza

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Ka një përpjekje "mbresëlënëse" për ta paraqitur në media dhe para opinionit publik, krizën e lidershipit të opozitës, si krizë politike të Shqipërisë. Krizën e çadrës së protestës së PD-së në bulevard, si krizë të qeverisë. Krizën e mbështetjes nga qytetarët të kësaj lëvizje për fitoren e pushtetit në tavolinë, si krizë të sistemit. Krizën e identitetit të ndonjë lideri politik, si krizë të të gjithë shoqërisë. Krizën e një grushti analistësh e botuesish të mediave gjithfarësh, si krizën e demokracisë.

Pse nuk ka krizë?

Që një vend të jetë në krizë politike, duhet që mazhoranca e saj qeverisëse të ketë humbur legjitimitetin. Kjo mund të ndodhë në rast se qeveria dhe kryeministri, për shkak të reformave, mënyrës së qeverisjes apo megaskandaleve ku mund të përfshihet ajo, apo një pjesë e saj, bën që qytetarët të shpërthejnë në urrejtje dhe revoltë masive dhe të mos e mbështesin më. Për rrjedhojë, populli del masivisht për të protestuar në rrugë, në mënyrë vijuese. Duke e vënë në këtë mënyrë në vështirësi normalitetin e jetës shoqërore dhe social- ekonomike të vendit. Një presion kaq i dukshëm, i hapur dhe masiv, bën që klasa politike të detyrohet që të ulet e të kërkojë gjetjen e zgjidhjeve, për të dalë nga situata, e për të rikthyer rrjedhën e normalitetit.

Legjitimiteti i një mazhorance vihet në diskutim vetëm nga qytetarët të cilët e kanë zgjedhur atë, nëpërmjet proceseve elektorale të lira e demokratike. Ose nëpërmjet akteve dhe hapave politikë në Parlament.

Pra, ka dy rrugë kryesore nga ku prodhohen apo provokohen krizat:

E para, nga populli.

E dyta, në institucionet e pushtetit legjislativ ku qytetarët e kanë deleguar pushtetin e vet, në duart e të zgjedhurve të tyre.

Por, çfarë po ndodh, aktualisht, në 6-7 javët e fundit në Tiranë? Po tentohet të imponohet një krizë jo nga poshtë. Pra, jo nga populli. Por po kërkohet të imponohet një krizë artificiale nga lart. Nga një elitë e vogël politike.

Duke parë ecurinë e qeverisjes, gjatë këtij mandati katërvjeçar, kuptohet fare qartë se kanë filluar të prodhohen frutet, rezultatet e para konkrete pozitive të reformave të thella të shtetformimit modern, që janë ndërmarrë. Duke i bërë ato të perceptueshme dhe të prekshme, tashmë, çdo ditë e më tepër për qytetarët. Pasi kanë filluar të prodhojnë efektet vijuese pozitive në konsum, në të ardhurat familjare, në ekonomi, investime dhe në imazhin e Shqipërisë. Kjo ka bërë që të gjitha indikacionet, sondazhet dhe kalkulimet profesionale, ta nxjerrin humbëse opozitën e sotme, në zgjedhjet e 18 qershorit.

Me sa kuptohet, duke mos patur asnjë projekt alternativ, asnjë platformë e program konkret që do ta sfidonte këtë realitet politik përpara syve të zgjedhësve, po tentohet një "puç" politik. Nëpërmjet një skenari që duket se synon ta detyrojë qeverinë për ta dorëzuar pushtetin në tavolinë. E gjitha kjo, veç të tjerash, edhe për të parandaluar pasojat që mund të sjellë për një pjesë të elitës së vjetër politike të Tiranës, zbatimi i reformës në drejtësi gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës të vendit.

Nga ana tjetër, kjo krizë artificiale politike po kërkohet që t’i injektohet sistemit, apo të shitet si reale përpara syve të opinionit publik, nga jashtë institucioneve legjitime dhe kushtetuese të vendit. Pra, jo brenda në Parlament, atje ku është arena dhe rruga e vetme e betejave dhe e kauzave të politikës në përgjithësi, dhe të opozitës në veçanti. Por kjo krizë artificiale, po kërkohet të imponohet nga rruga, në bulevard. Nga atje ku një a dy liderë politikë, po e përdorin çadrën si një sebep, si një vend për (e)misionin e tyre. Atje ku veç kamerave televizive, mbledhin edhe një grup njerëzish që shërbejnë si dekor i sforcuar duartrokitësish profesionistë.

Kjo e shpjegon të gjithën:

-          E para, pse nuk ka krizë politike reale në Shqipëri.

-          E dyta, pse kjo që po tentohet të shitet si krizë, është diçka krejt artificiale.

Krizat reale, krizat e vërteta politike që prodhohen nga jashtë institucioneve, provokohen nga poshtë dhe në asnjë rast nga lart. Pra, nga zgjedhësit dhe jo nga të zgjedhurit. Nga votuesit dhe jo nga të votuarit. Nga populli dhe jo nga elita e elitës.

Hallet e qytetarëve, e detyrojnë një elitë politike të reagojë për të bërë çmos që, nëpërmjet rrugëve legjitime e demokratike, të gjejë zgjidhje për njerëzit, vendin dhe veten. Por siç shihet në këtë rast, hallet e lidershpit që nuk burojnë nga problemet reale të njerëzve, në vend që t’i nxjerrin ata në rrugë, po krijojnë çdo ditë e më tepër që kalon, krejt të kundërtën. Duke i bërë ata gjithnjë e më indiferentë. Siç edhe po ndodh realisht përgjatë këtyre ditëve në Tiranë. Atje, në rrugë, në bulevard. Në çadër, në zyrën e improvizuar të halleve të Bashës e Berishës, mes godinës së qeverisë dhe godinës që drejton Parlamentin e Shqipërisë.

Populli vazhdon krejt i qetë dhe indiferent, rrjedhën normale të jetës së vet të përditshme.

Edhe atyre që i bie radha të kalojnë ndonjëherë nga çadra, e shohin atë gjithnjë e më me indiferentizëm. Shenjë e qartë se hallet personale të një pjese të elitës së elitës së politikës së Tiranës, nuk janë hallet reale të qytetarëve të Shqipërisë. E për rrjedhojë, kriza edhe nëse është, nuk është një krizë e qytetarëve. E sistemit. E qeverisë. E mazhorancës. E aq më pak, një krizë e Shqipërisë. Por ajo është veç kriza e tyre. E cila ka veç një rrugë dhe një mundësi për tu zgjidhur: Me votë. Nga qytetarët. Më 18 qershor.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: