Qeveria, çdo vit nga një mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës

Qeveria, çdo vit nga një mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës
Eglantina Nasi

11 Janar 2014; 23 mars 2015 dhe 3 Qershor 2016, kanë qenë datat e tre mbledhjeve, të deritanishme, të zhvilluara mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Përkatësisht në Prizren, Tiranë dhe Prishtinë. Teksa mbledhja e katërt, është parashikuar të mbahet në datën 24 prill 2017.

***

Për çdo vit, nga një mbledhje të përbashkët me qeverinë e Kosovës. Kështu i bie të ketë vepruar qeveria shqiptare, teksa ka zhvilluar, deri më tani, tre mbledhje të tilla dhe ka përcaktuar edhe datën kur do të realizojë të katërtën, 24 prill 2017. Fakt  i bërë me dije publikisht, dje, nga vetë ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, në prani edhe të homologut të tij kosovar, Enver Hoxhaj. Madje, Hoxhaj nga ana e tij ka theksuar se fokusi i vizitës së tij të fundit në kryeqytetin shqiptar, ka qenë, pikërisht, organizimi i këtij takimi. “Qëllimi i takimit tonë, është organizimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, datën mund ta caktonim edhe më vonë, por mendojmë në Prishtinë, që duhet të ketë një metodë të re të kësaj mbledhjeje”, - tha ai.

Kujtojmë se mbledhja e parë, mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, është mbajtur në Prizren, në datën 11 Janar 2014. Ajo përkonte edhe me muajt e parë të qeverisë së majtë në vend, teksa slogani i saj ka qenë “Dy qeveri - një Tryezë”. Mbledhje që do të mbahet mend, pikërisht, për aktin e firmosjes së Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik, nga kryeministrat e dy vendeve, bërë, tashmë, edhe model i bashkëpunimit rajonal. “Ne jemi më shumë se qytetarë të dy shteteve fqinje, sepse shumica dërrmuese e qytetarëve tanë, i takojnë një kombi që, megjithë diferencat e brendshme, kanë një gjuhë, një kulturë dhe një traditë të përbashkët”, - do të deklaronte, atëherë, kryeministri, Edi Rama.

Më tej, mbledhja e dytë mes dy kabineteve qeveritare, Shqipëri-Kosovë, u zhvillua në Tiranë, më 23 mars 2015, pra, një vit më pas.

Me sloganin “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr” ajo mbahet mend, pasi u zhvillua në kohën kur Shqipëria e kishte marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ndërsa Kosova gjendej në pritje të nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, si edhe të asaj për vizat dhe liberalizimin e tyre.

Mbledhja e tretë e përbashkët, e zhvilluar në Prishtinë në datën 3 Qershor 2016, mund të thuhet se ishte edhe më konkretja mes të tjerave, sa i takon marrëveshjeve dhe memorandumeve të nënshkruara mes dy palëve. Konkretisht, gjatë saj u firmos për hetimet administrative, tatimore dhe doganore; për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm; për fushën e mirëqeverisjes dhe administrimit publik; mbi njohjen e ndërsjellë të certifikatës së testim/kalibrim të tahografit të mjeteve rrugore etj.

Ndërkaq, mbledhja e parashikuar të zhvillohet në 24 prill 2017, do të përfshijë, gjithashtu, një sërë marrëveshjesh që palët, respektive, kanë programuar të nënshkruajnë së bashku.

3

Mbledhje të përbashkëta janë zhvilluar, deri tani, mes qeverisë sonë dhe asaj të Kosovës. Ndërsa, një e katërt është parashikuar të mbahet në datën 24 prill 2017

 

PROPOZIMI

Shqipëria, mbledhje të përbashkët edhe Turqinë

Një mbledhje e përbashkët kabinetesh ministrore, ishte parashikuar të zhvillohej nga ana e qeverisë së Shqipërisë edhe me atë të Turqisë. Një fakt ky i pohuar në fillim të marrjes së mandatit, qeverisë së kabinetit “Rama”, gjatë një vizite që kreu atëherë, në vendin tonë, ish-ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu. Ishte, pikërisht, data 5 tetor 2013, kur ai konfirmoi faktin se Shqipëria dhe Turqia do të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin me hartimin e një dokumenti strategjik, i cili parashikonte, mes të tjerash, edhe mbledhje të përbashkëta të dy qeverive. Nismë kjo e cila, mesa duket, ka mbetur vetëm e tillë, deri më sot, pasi nuk ka mundur të përmbushet, teksa, ende, nuk kemi të realizuar në realitet ndonjë mbledhje të përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Turqisë.

PARASHIKIMI

Në tetor, mbledhje me qeverinë e Malit të Zi

Një mbledhje e përbashkët qeverie edhe me Malin e Zi. Ky është një tjetër projekt i propozuar nga pala shqiptare dhe i bërë me dije publikisht nga vetë kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë vizitës së tij zyrtare që kreu, së fundmi, në këtë vend, ku ka prani të konsiderueshme shqiptarësh. Kështu, gjatë një takimi që zhvilloi me homologun e tij malazez, Dushko Markoviç, teksa dy kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve, ata ranë dakord edhe për mbajtjen e një mbledhje të përbashkët të dy kabineteve qeveritare gjatë muajit tetor të këtij viti. “Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mira. Ne u përkasim vendeve me liri demokratike” , tha Rama, nga ana e tij. Duke shtuar se “nuk ka çështje të hapura midis Malit të Zi dhe Shqipërisë”. “Ne do të mbajmë një seancë të përbashkët të të dy kabineteve qeveritare në muajin tetor”, saktësoi më tej Rama.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: