Reflektime pas rolit tim të parë në "Ti mund të më quash Xhon"

Reflektime pas rolit tim të parë në "Ti mund të më quash Xhon"
 

Nga Rovena Dilo

 

Të gjithë ata që e duan librin dhe filmin, fshehurazi, në fëmijërinë e tyre ëndërronin të bëheshin aktorë, sepse, sidomos libri, por dhe filmi kanë një fuqi të madhe tërheqjeje... do apo nuk do, ata të marrin me vete.

Të thithin në vorbullën e përjetimit dhe imagjinatës. Aty fillon një tjetër jetë, dimensionet zgjerohen, truri punon ndryshe, të vetëndierit transformohet. Sa më të lirë ta lësh veten, aq më i fuqishëm përjetimi!

Ka njëfarë ngjashmërie me play station-in e sotëm, por unë, këtë të fundit, do ta quaja një prodhim dembel për dembelet e shekullit të 21-të.

Megjithatë, kurrfarë të krahasuari me librin, sepse libri të jep liri, ndërsa play station, sipas mendimit tim, të kufizon në formatin e tij.

E pra, kjo botë e pamat, bota e imagjinatës, ëndërrimit, idealeve, nis dhe zhvillohet nëse libri është pjesë e jetës tënde.

Falë librit, ti e ndërton veten me themele të gjera, kështu ndërtesa që do të ngresh nesër, mund të ketë përmasa e forma nga më të çuditshmet.

Eksperienca të pamundura në jetën reale, i bën nëpërmjet faqeve të librit.

Kur s’ke mundësi të udhëtosh, të takosh njerëz, të shkëmbesh eksperienca drejtpërsëdrejti, të paktën bëje nëpërmjet librit e filmit.

Duke u bërë pjesë e realiteteve virtuale plot kreativitet, ti shpëton nga monotonia e kafesë dhe e bisedave të njëjta, me po të njëjtët njerëz.

Zgjeroji njohjet. Lë një takim me Dombin, me Zhan Val Zhanin, Gobsekun, Mefistofelin, madam Bovarinë, e qindra personazhe të tjerë, që do t’i takosh për herë të parë, sikur kanë lindur dje, enkas për ty, paçka se jeta e tyre është qindravjeçare.

Besomëni, ata janë atje, duke ju pritur! Dhe ti je ai që po presin.

Kështu e kam nisur unë udhëtimin drejt artit, duke ëndërruar pafund, mes realitetesh te panjohura.

Duke u kthyer në personazhe që më pëlqenin, duke u shoqëruar me secilin nga ata, krijime të mendjeve gjeniale, por që bëheshin pronë e imja për sa të doja dhe kur të doja.

Kisha një botë që nuk mund të ma prishte askush.

Botën në të cilën më çonte libri i radhës.

Dhe kështu, pak nga pak, unë mësova të aktroja për të realizuar skenën e dëshiruar.

S’kisha nevojë për asgjë, përveç pasionit më të madh për të qene e vërtetë dhe koha kaloi, si kalojnë gishtërinjtë nëpër faqet e një libri.

Unë u gjenda në shesh xhirimin e një filmi dhe për çudi, asgjë nuk mu duk e vështirë.

Përkundrazi, ndoshta unë i kisha bërë provat e mia.

Isha thjesht, duke pritur filmin.

Ndodhi që ky film të ishte "Ti mund të më quash Xhon".

Pritjet nuk janë asnjëherë të mërzitshme, për sa kohë je e shoqëruar nga kavalieri më i mire, LIBRI!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: