Reshjet e dëborës mbulojnë vendin

Reshjet e dëborës mbulojnë vendin
Masat e ftohta ajrore rikthyen reshjet e borës gjatë mbrëmjes dhe mëngjesit të sotëm në zonat malore.

Reshjet  e dëborës parashikohet të jenë të pranishme me intensitet të ulët deri në mesditë, në verilindje dhe juglindje të vendit.

Kjo situatë meteorologjike u pasua nga rënie e ndjeshme e temperaturave ku sot termometri vlerën më të ulët e ka regjistruar me 0 gradë celcius në qytetin e Kukësit.

Reshje dëbore ka pasur në disa fshatra të Bulqizës, në zonat e thella malore të Malësisë së Madhe dhe Shkodrës, ku në Qafë të Thorës, po në zonën e Thethit, ka prani më të madhe bore, madje raportohet vështirësi në kalimin e automjeteve në disa akse.

Reshjet e borës janë rikthyer edhe  në rajonin juglindor të vendit.

Në dy fshatrat malore, Dardhë dhe Voskopojë, trashësia e borës ka arritur deri në disa centimetra. Në Voskopojë, trashësia ka arritur në 5 cm, ndërsa janë duke vazhduar reshjet. Në Dardhë, bora ka arritur 15 cm, ndërkohë që po punohet për pastrimin e rrugës.

Në Elbasan, në lartësinë mbi 1 mijë metra, në fshatrat e Librazhdit ka pasur reshje të pakta dëbore. Reshje dëborë raportohet  edhe në disa  zona të Gjirokastrës. /e.g/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: