Rrëfehet i dyshuari, një shuplakë u bë shkak për vrasjen e 33-vjeçarit në Vlorë

Rrëfehet i dyshuari, një shuplakë u bë shkak për vrasjen e 33-vjeçarit në Vlorë
Dalin detajet të tjera, mbi vrasjen e ndodhur mbrëmjen e datës 20 prill në një lokal në zonën e Ujit të Ftohtë në qytetin e Vlorës. Gani Tozaj ka treguar çdo detaj mbi ngjarjen duke ndërtuar skemën sipas tij të vrasjes. Gjatë kqyrjes së pamjeve të kamerave të lokalit ku ka ndodhur vrasja e 20 prillit dolën edhe fakte të reja që sollën dhe identifikimin e autoreve.

Fakte reja kanë dalë edhe nga marrja në pyetje e autorit të vrasjes Gani Tozajt i cili ka thënë se gjithçka ka nisur pas një sherri të çastit, pasi viktima Ergys Gjioveshaj e ka qëlluar me pëllëmbë atë vetë dhe shokun e tij Aranit Kondaj (në arrati), 37 vjeç me të cilin Tozaj ka qenë në tavolinë.

“Na erdhi në tavolinën tonë me mendjemadhësi dhe na qëlloi me pëllëmbë. Aty reaguam ne”. Ky ka qenë rrëfimi fillestar që ka bërë për hetuesit ditën e sotme 19­vjeçari Gani Tozaj.

Dëshmitarë thanë se sherri ka ardhur pas një debateve verbale mes viktimës dhe autorëve të vrasjes. Sipas tyre, djemtë po shiheshin shtrembër me njëri­tjetrin por nuk përjashtohet dhe pista që shkak mund të ketë qenë një vajzë. 19­vjecari në pranga rrëfen se shkak u bë pëllëmba që mori në fytyrë nga Ergys Gjiveshaj. “Ergysi ishte ulur dy tavolina më tutje dhe bëmë fjalë”, thotë Tozaj.

Sipas Tozaj, Gjioveshaj ishte ulur me dy miq në lokal dhe po ngacmonte me fjalë atë dhe disa shokë të tij. “Ai erdhi drejtim nesh dhe më vuri dorën në sup. Aty unë i hoqa dorën nga supi kurse ai ma ktheu me pëllëmbë, mua dhe Aranitit. Aty ne reaguam”, tha Tozaj në dëshminë për hetuesit. Menjëherë pas kësaj nga tavolina e Ganiut janë nxjerrë armët dhe është qëlluar në drejtim të 33 vjeçarit Gjioveshaj, por sipas policisë edhe një prej shokëve të Ergysit mund të ketë nxjerrë armën dhe të ketë qëlluar në drejtim të autorëve të vrasjes.

Pas arrestimit të shtetasit Gani Tozaj si autor të vrasjes, është shpallur në kërkim edhe Aranit Kondaj 37 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale të "Vrasjes në rrethana cilësuese të rrezikshme për jetën e shumë personave, e kryer në bashkëpunim".

Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe shtetasi E..S 25 vjeç, për moskallëzim krimi. Arrestimi i Gani Tozaj ka ndodhur në banesë ku po flinte, rreth 500 larg ambientit ku ndodhi vrasja. Policia në momentin e arrestimit ka gjetur atletet e Tozajt, madje i kishte të veshura dhe ishin të mbuluara me gjak. Arrestimi është bërë në 6.00 të mëngjesit të 21 prillit, kurse për identifikimin e tij dhe personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje janë parë pamjet e sigurisë së lokalit.

Tozaj është shprehur se kishin njohje me viktimën e tij, madje ky i fundit ulej shpesh në lokalin ku ndodhi ngjarja që i mori jetën. Mësohet nga informacionet e policisë se mund të jenë shkëmbyer mbi 20 plumba.

Gjioveshaj ka humbur jetën pas disa çastesh, sapo ka dalë nga ambientet e lokalit, ndërsa në trup mori 6 plumba. Të plagosur në këtë ngjarje mbetën aksidentalisht dhe 3 klientë që ishin ngjitur me tavolinat e sherrit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: