Shkodër, sekuestrohen 4.5 ha tokë në Theth

Shkodër, sekuestrohen 4.5 ha tokë në Theth
Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka vendosur sekuestro preventive për rreth 41.500 m2 tokë në zonën turistike të Thethit, e dyshuar si e regjistruar në emër të disa shtetasve të ndryshëm në bazë të dokumentave të falsifikuar të përpiluara nga ish-kryetari i Komunës Shalë (Theth), Dedë Tonaj, në bashkëpunim me ish-vartësit e tij, Tom Shyti dhe Gjovalin Lokthi.

Prokuroria e Shkodrës bën me dije se është në përfundim të hetimit për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” për tre ish-zyrtarët, ndërkohë që ka marrë lejen nga gjykata për caktimin e masës së sekuestros për pronat e shpërndara prej tyre, në bazë të procedurave fiktive dhe jo-ligjore.

Në bazë të një hetimi të mëparshëm të Prokurorisë së Shkodrës, lidhur me veprimtarinë e ish-drejtuesve të Hipotekës së qytetit, kanë rezultuar të dhëna të tjera mbi veprime të dyshuara si të paligjshme të kryera nga ana e ish-zyrtarëve të Komunës Shalë (Theth).

Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se janë regjistruar në Hipotekën e Shkodrës pronat në një sipërfaqe totale prej rreth 41.500 m2 në zonën e Thethit, ndërsa pjesa tjetër e pronave janë në proces regjistrimi.

Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar sekuestrimin e pronave të regjistruara në Hipotekë në emër të 5 shtetasve të ndryshëm, me qëllim që të shmanget tjetërsimi i mëtejshëm i tyre.  Për tokat e përfituara në mënyrë të paligjshme, por që vijojnë të jenë në proces regjistrimi në Hipotekë, Prokuroria e Shkodrës njofton Avokaturën e Shtetit për të vijuar procedurat e mëtejshme për të rikthyer në ligjshmëri procesin e ndarjes së tokave në ish-komunën Shalë (Theth). /e.g/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: