Shpërthejnë virozat, 350 fëmijë në pediatri çdo ditë

Shpërthejnë virozat, 350 fëmijë në pediatri çdo ditë
Një valë e re e virozëve të stinës, duket se ka shpërthyer sërish në të gjithë vendin, duke tejmbushur repartet e pediatrisë. Vetëm në Urgjencën e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, numërohen rreth 350 pacientë të vegjël, të cilët kanë kërkuar ndihmë. Mjekët pohojnë se kjo valë e re virozësh, ka ardhur me të tjera simptoma në krahasim me ato të periudhave të kaluara, pasi dominojnë të vjellat, diarretë dhe më pas temperatura dhe infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Rastet

Fëmijë të cilët e kanë kaluar vitin e parë të jetës dhe ata me probleme alergjike, duket se janë edhe rastet më të shumta të cilët dynden dyerve të urgjencës së Pediatrisë në QSUT, për shkak të virozës së stinës. Mjekët pohojnë se më të prekur, kanë qenë ato grupmosha të cilët shkojnë në kopsht apo shkollë, duke bërë që virusi të qarkullojë më lehtësisht, duke qenë në kontakt me njëri- tjetrin. “Ka pasur viroza të traktit gastro-intestinal, kryesisht me bark, me të vjella. Por nuk përjashtohen edhe rastet kur fëmijët janë me rrufë, teshtitje, kollë, skuqje sysh e hundësh, temperaturë deri në 39-40 gradë, shpesh e shoqëruar me rrëqethje e të dridhura, dhimbje goje dhe veshësh, dhimbje koke, muskujsh, kockash, e kyçesh. Fëmijët e prekur nga virozat gripale, kanë gjendje të përgjithshme jo të mirë dhe në mungesë të theksuar oreksi”, - pohojnë mjekët pediatër.  Sipas bluzave të bardha, duke nisur nga kontakti me një të sëmurë, deri në shfaqjen e shenjave të para, kalon një periudhë e heshtur mjaft e shkurtër, nga disa orë, deri në 1 apo 2 ditë. Por kush janë më të rrezikuar për tu prekur? “Të gjithë mund të prekemi, por më të rrezikuarit janë fëmijët, por edhe të rriturit që kanë sëmundje të tjera sekondare. Pra, të sëmurët kronikë. Kjo sepse imuniteti i tyre, është me i ulët për shkak të sëmundjes që kanë”, - pohon mjekja pediatre.

Mjekimi

Në momentin që fëmijët preken nga virozat, mjekët këshillojnë për një mjekim simptomantik, që në varësi të shenjave që paraqiten. “Në rastet e virozës aktuale, kryesisht përdorim medikamente të cilët rregullojnë florën e zorrës si dhe qetësues të tjerë  për rrugët gastrointensinale. Nëse fëmija ka temperaturë, merret një medikament që ul temperaturën, siç është paracetamoli, ponstan, iboprofeni.  Gjithashtu, duhet të përdoret shumë çaj, supë, lëngje. Por, ajo që është më e rëndësishme, është edhe konsultimi me mjekun, në këtë rast me pediatrin dhe jo me farmacistin. Antibiotikët nuk duhet të merren në rast të një viroze normale, së cilës i duhen 5 ditë për të plotësuar kurbën e saj”, - pohojnë bluzat e bardha.

Situata

Rastet më të shumta të fëmijëve të cilët paraqiten në urgjencën e pediatrisë, rezultojnë se kanë pasur nevojë për trajtim te specializuar nën  asistencën e mjekëve dhe infermierëve, për shkak se gjendja e tyre ishte e rënduar kur paraqiteshin në spital. “Përveç ngarkesës së lartë, na është dashur që shumicën e rasteve t’i ndjekim me serume dhe qetësues të tjerë në pavijonin tonë, pasi gjendja e pacientëve në momentin e paraqitjes në spital, ka qenë e rënduar”, - thekson mjekja Hoxhaj. Mjekët dhe infermierët pohojnë se situata më e rënduar dhe me më shumë raste, është gjatë ditëve të fundjavës, kohë kur qendrat shëndetësore në lagje janë në ditë pushimi.

 

 

 

Këshillat e nevojshme

Shmangni mjediset e mbyllura (lokale, kënde lojërash, etj).

Sa më shumë lëvizje në mjedise të hapura dhe në ajër të pastër.

Vendosni një regjim të ekuilibruar ushqimor: sugjerohet përdorimi sa më shumë i frutave (sidomos i agrumeve), perimeve dhe te fëmijët nuk duhet të mungojnë proteinat e mishit (mundësisht peshk ose pulë) si dhe proteinat e qumështit, por në sasi të ekuilibruara.

Mundohuni të evitoni për aq sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë.

Nëse jeni të sëmurë qëndroni në shtëpi për të paktën 24 orë.

Nëse jeni të sëmurë evitoni kontaktet me të tjerët pasi virusi i gripit është shumë ngjitës.

Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni më pas në vend të sigurt.

Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool.

Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuara, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë.

Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi

Shpërndajeni me miqtë tuaj: