Shqipëria, inferiore në sukseset e rralla të sportit

Shqipëria, inferiore në sukseset e rralla të sportit
Arritjet e deritanishme të sportistëve shqiptarë në Lojërat Olimpike, apo të kombëtares së futbollit në finalet e Europianit dhe të Botërorit mbeten shumë pas vendeve të tjera të rajonit

Nga Aranit Muraçi

Inferioriteti “eklipson”, dukshëm, sukseset sportive të Shqipërisë, në arenën ndërkombëtare. Suksesi më i madh i kombëtares shqiptare të futbollit, është pjesëmarrja e fundit e saj në finalet e Kampionatit Europian, “Francë 2016”. Kjo mbetet edhe pjesëmarrja e vetme e Shqipërisë, në një aktivitetet të madh si europiani apo botërori. Por suksesi i parë dhe i vetëm, i ka “dehur” të gjithë, aq sa është pranuar, së fundmi, nga trajneri Gianni de Biasi apo edhe drejtuesit e FSHF-së. Ata janë ankuar, para dhe pas ndeshjes së fundit me Italinë, se “dehja nga suksesi” ka pasur ndikim negativ për kuqezinjtë në eliminatoret e Botërorit, “Rusi 2018”.  Edhe në këtë rast, duket se inferioriteti “mbisundon” mbi suksesin. Në fakt, Shqipëria ishte shteti i fundit i Ballkanit, që nuk kishte arritur asnjëherë të kualifikohej në një aktivitet të madh futbollistik, sukses të cilin vendet e tjera të rajonit tonë si Kroacia, Bullgaria, Rumania, Greqia, Turqia, Serbia, Sllovenia dhe madje Bosnje-Hercegovina, e kanë kthyer gati në rutinë.  Vetëm dy shtete të Ballkanit, Maqedonia dhe Mali i Zi, nuk kanë arritur, ende, të kualifikohen në europian apo botëror, por edhe ato si dy vende të ish-Jugosllavisë, mund të justifikohen me faktin se kanë histori më të shkurtër futbolli se Shqipëria, si dhe kanë popullsinë relativisht më të ulët në tërë rajonin, përveç problemeve etnike.

Ndërkaq, suksesi i fundit që bëri krenar tifozët e shumtë kuqezi, ka edhe anën tjetër të medaljes. Futbollistët shqiptarë që luajnë me përfaqësuese të tjera, kanë arritur të shkojnë shumë më larg se kualifikimi i Shqipërisë, në finalet e Europianit francez. Shkodran Mustafi provoi emocionet e titullit kampion bote me Gjermaninë, ndonëse ai nuk u përfshi në formacionin bazë gjatë finaleve të fundit të Brazilit. Shumë futbollistë të tjerë me origjinë shqiptare, përbëjnë gati gjysmën e kombëtares aktuale të Zvicrës. Me ekipin helvet, ata i kemi parë në finalet e fundit të europianit apo botërorit. Është hapur edhe një debat në Shqipëri, gati pa vlerë, që i cilëson ata apo edhe sportistë të tjerë që shënojnë sukses me kombe të tjera, si “tradhtarë”.  Por, nëse ata do të përfaqësonin Shqipërinë? Taulant Xhaka, vëllai i Granitit, përfaqëson Kombëtaren e Shqipërisë. Ndryshe nga futbollisti i Arsenal, që nuk ka pasur asnjëherë probleme disiplinor me helvetët, Taulanti u përfshi së fundmi në polemika me trajnerin Gianni de Biasi, madje në shenjë proteste braktisi ekipin kombëtar. Kështu, disiplina përveç mungesës së mentalitetit prej fituesi, është një tjetër anë negative që karakterizon sportin në Shqipëri, veçanërisht futbollin dhe që e pengon atë të ketë suksesin e vendeve të tjera të rajonit tonë.

Por edhe historia e sporteve të tjera, tregon se në Shqipëri, kur është fjala për garat ndërkombëtare, ka diçka që e pengon vendin tonë të ecë paralel me suksesin. Sportistët shqiptarë të të gjitha sporteve së bashku nuk kanë arritur të sjellin ende qoftë edhe një medalje nga eventi më i madh sportiv botëror, që është olimpiada. Arritja më e madhe e Shqipërisë në pjesëmarrjet nëpër olimpiada, është vendi i pestë që zuri peshëngritësi Ilir Suli, në Lojërat Olimpike “Sidney 2000”.  Para viteve ‘90, suksesi i vetëm u shënua në Olimpiadën “Munih 1972”, kur i ndjeri Ymer Papmuri u shpall kampion bote, por sipas rregullores së kohës, pavarësisht suksesit të madh, as ai nuk solli medalje.

Rastet e sportistëve shqiptarë të peshëngritjes, apo të atletes Mirtela Manjani, nuk janë të vetmet. Shembulli më i fundit i sportistit të Mundjes, Elis Guri, tregon se suksesi arrihet më lehtë kur sportistët tanë garojnë për një vend tjetër. Grui u shpall Kampion Bote vetëm një vit pasi kaloi te Bullgaria, sukses që sportistët shqiptarë në këtë sport nuk e kanë arritur ende.

 

Shqiptarët “e huaj” të futbollit 

Me Zvicrën luajnë disa futbollistë të tjerë me origjinë shqiptare, si Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Pajtim Kasami e Admir Mehmeti etj. Të gjithë këta lojtarë janë shqiptarë të trojeve nga Kosova, por janë larguar të vegjël drejt Zvicrës me familjet e tyre ose kanë lindur atje. Të gjithë këta lojtarë nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Por ata kanë qenë vendimtarë në arritjet e fundit të Zvicrës, që nuk e ka diskutuar kualifikimin në finalet e Francë 2016 apo Brazil 2014. Granit Xhaka është vëllai i Taluant Xhakës që aktivizohet me kombëtaren e Shqipërisë. Graniti është pjesë e një klubi të madh anglez, Arsenal. Me të njëjtin ekip aktivizohet edhe shqiptari tjetër i Gjermanisë,  Shkodran Mustafi.  Pothuajse të gjithë futbollistët që luajnë me ekipe të përfaqësuesve të tjera, janë pjesëtarë të klubeve të mëdha europiane.

 

 

                                      Kampionët e “huaj” shqiptarë

Mirela Manjani

Lindi në Durrës në vitin 1976. Në vitin 1996, ajo vendosi rekord kombëtar në  62.46 m (ky rekord mbetet ende i pathyeshëm në Shqipëri). Manjani përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Altanta 1996”. Më pas Manjani shkoi të përfaqësonte Greqinë, ku edhe u martua me peshëngritësin me origjinë shqiptare, Gjergj Xhelili.  Ajo menjëherë shënoi disa suksese me Greqinë, duke marrë medalje argjendi në Olimpiadën “Sidnei 2000”, ku edhe vendosi rekord të ri, 67.51 m, që mbetet rekordi grek në hedhjen e shtizës. Manjani mori medalje bronzi edhe Lojërat Olimpike “Athinë 2004”.

Pirro Dhima

Lindi në Himarë në vitin 1971. E nisi karrierën në Shqipëri, por u largua shpejt drejt Greqisë, në fillim të viteve 90’. Karriera e tij sportive në shtetin helen njohu sukses të jashtëzakonshëm. Pirro Dhima ka fituar tre herë medalje ari me Greqinë, në tre olimpiada radhazi, “Barcelonë 1992”, “Atlanta 1996” dhe “Sydney 2000”, si dhe një herë medalje bronzi në Lojëra Olimpike të Athinës, 2004. Atleti me i suksesshëm në historinë e sportit grek, i konsideruar gjerësisht kampion me përmasa botërore, Piro Dhima është i vetmi deri më sot me tre medalje ari dhe një bronzi në katër olimpiada radhazi.

Luan Shabani

Lindi në Korçë në vitin 1871. Ai në ‘89 përfaqësoi Shqipërinë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që u zhvillua në Athinë ku fitoi medalje bronxi. Pas viteve ‘90 Shabani përfaqësoi ngjyrat e Greqisë. Sukseset më të mëdha në karrierën e tij janë  medaljet e argjendit, që ai fitoi me Greqinë në lojërat olimpike 1996 dhe 2000, si dhe mori medalje bronxi në “Athinë 2014”.

Elis Guri

Lindi në vitin 1983 në Shkodër. Sportisti i mundjes, Elis Guri, vetëm një vit pas kalimit nga kombëtarja shqiptare në atë të Bullgarisë u shpall kampion bote me bullgarët.  Në turneun e zhvilluar në Stamboll të Turqisë, Guri përfaqësoi Bullgarinë duke arritur një sukses të madh, që sportistët shqiptarë nuk e kanë arritur ende. Rasti i Gurit është një sirenë alarmi se talenti në Shqipëri ekziston, por suksesi kërkon një mentalitet tjetër, që ekziston në vende të tjera.

Shkodran Mustafi

Nuk ka lindur në Shqipëri, edhe pse Gianni de Biasi e kërkoi atë me ngulm gjatë eliminatoreve të Kupës së Botës 2014. Por Mustafi pas ofertës kuqezi, zgjodhi përfundimisht Gjermaninë. Ai u përzgjodh madje me gjermanët në finalet e Kupës së Botës “Brazil 2014”. Nuk u përfshi në 11-shen bazë të Gjermanisë, që fitoi trofeun e Kupës së Botës. Shkodran Mustafi ishte shqiptari i parë që fitoi një trofe botërori në futboll, sigurisht me një komb tjetër, Gjermaninë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: