Skenarët, për çfarë mund të negociojnë sot ndërkombëtarët?

Skenarët, për çfarë mund të negociojnë sot ndërkombëtarët?
INFO-ANALIZË / Pas skadimit të afatit të regjistrimit, Kodi Zgjedhor pengon regjistrimin e opozitës për zgjedhjet e 18 qershorit, ndërsa Kushtetuta nuk lejon shtyrjen e zgjedhjeve pas qershorit. E vetmja rrugë ligjore varet nga vullneti i mazhorancës, ose duhen ndryshuar sërish ligjet themelore

Nga Alket Aliu

Ardhja e negociatorit gjerman David McAllister, eurodeputet i Bashkimit Kristian-Demokrat dhe përfaqësues i Partive Popullore Europiane, pritet si një mundësi për zgjidhjen e krizës politike në vend. Një negociator padyshim i pranueshëm për të dyja palët, por që nuk dihet se çfarë zgjidhjesh do të ketë në “çantën diplomatike”. Ai shoqërohet nga reporteri i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Knut Flekenshtain. Vetë McAllister është njohës i mirë i çështjeve ballkanike dhe reporter i PE-së për Serbinë.

Ajo që konstatohet lehtësisht është se kriza tashmë nuk është vetëm politike, por edhe ligjore, pas skadimit të afatit të regjistrimit të partive opozitare për zgjedhjet e 18 qershorit.

Pozicionet e palëve aktualisht janë këto:

Partia Demokratike: Nuk marrim pjesë në zgjedhje, në qoftë se Rama nuk jep dorëheqjen dhe të krijohet një qeveri teknike. Pranojmë dialogun vetëm për modalitetet e kësaj qeverie.

Partia Socialiste: Nuk ka arsye që qeveria të japë dorëheqjen para zgjedhjeve. Do të shkojmë në 18 qershor për të votuar edhe pa pjesëmarrjen e opozitës. Pranojmë dialogun pa kushte.

Lëvizja Socialiste për Integrim: Nuk ka kuptim të zhvillohen zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës. PS dhe PD të ulen në dialog për të zgjidhur ngërçin.

Por le të shohim njëri pas tjetrit skenarët e një zgjidhjeje të mundshme.

  1. Edi Rama nuk jep dorëheqjen dhe opozita nuk tërhiqet. Vendi hyn në zgjedhje me ato parti të regjistruara. Në një rast të tillë zgjedhjet janë të ligjshme, por jo normale.
  2. Edi Rama nuk jep dorëheqjen dhe opozita vendos të hyjë në zgjedhjet e 18 qershorit. Në një rast të tillë do të shkelet Kodi Zgjedhor, që parashikon afatet e regjistrimit të partive dhe koalicioneve. “Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve”, thuhet në Kodin Zgjedhor. Një afat qartësisht i tejkaluar që mesnatën e 9 prillit. Po ashtu është i tejkaluar edhe afati për regjistrimin e koalicioneve që mesnatën e 19 prillit.
  3. Edi Rama nuk jep dorëheqjen, opozita pranon të hyjë në zgjedhje, por me një datë tjetër. Në një rast të tillë respektohet Kodi Zgjedhor për regjistrimin e partive dhe koalicioneve, por shkelet Kushtetuta, që përcakton kohën kur shpallen zgjedhjet në varësi nga mandati i Kuvendit të mëparshëm.

Kushtetuta përcakton: Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë... Zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit.

Ndërsa Kodi Zgjedhor përcakton periudhat zgjedhore: Zgjedhjet e përgjithshme...zhvillohen brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor... Në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit.

Duke qenë se Kuvendit aktual i skadon mandati në shtator, zgjedhjet në mënyrë taksative duhet të kryhen në periudhën 15-mars-30 qershor. Kjo pasi, as korriku dhe as gushti nuk janë periudha zgjedhore, ndërsa afati “jo më vonë se 30 ditë pas mbarimit të mandatit” është jo më vonë se muaji gusht.

Kjo do të thotë se, sipas Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, zgjedhjet nuk mund të shtyhen. Data 18 qershor është e vetmja mundësi për të zhvilluar zgjedhjet në mënyrë ligjore.

  1. Edi Rama jep dorëheqjen dhe instalohet një qeveri teknike. Opozita hyn në zgjedhjet e 18 qershorit. Sërish kemi shkeljen e Kodit Zgjedhor për arsyen e përmendur më sipër: Partitë e opozitës nuk mund të regjistrohen për arsye se është tejkaluar afati i regjistrimit.
  2. Edi Rama jep dorëheqjen dhe instalohet një qeveri teknike. Shtyhen zgjedhjet. Sërish shkelet Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, ku përcaktohet se data e zgjedhjeve nuk mund të shkojë përtej 25 qershorit (e diela e fundit e periudhës zgjedhore).

Çështja nuk është vetëm politike, por edhe ligjore. Thelbi nuk qëndron nëse Edi Rama jep apo jo dorëheqjen, por në faktin se në çdo rast shtyrje të zgjedhjeve, kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës dhe në çdo rast zgjedhjesh “normale” më 18 qershor, do të kemi të bëjmë me shkelje të Kodit Zgjedhor.

Po çfarë do të ofrojë si alternativë negociatori gjerman: Shkeljen e ligjit, apo një zgjidhje formale?

Që zgjedhjet të zhvillohen normalisht dhe në rrugë ligjore duket se mbeten akoma dy mundësi.

Kodi Zgjedhor parashikon mundësinë e shkrirjes së Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, që mund të realizohet në tre rrugë:

  1. Kuvendi “nuk arrin dot” të zgjedhë Presidentin dhe shpërndahet, duke diktuar nevojën e zgjedhjeve të parakohshme edhe jashtë periudhave të përcaktuara ligjore.
  2. Zgjedhjet zhvillohen formalisht në 18 qershor, por Kuvendi i ri “nuk arrin dot” të zgjedhë Kryeministrin dhe sërish shpërndahet për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme.
  3. Kryeministri Rama jep dorëheqjen, Kuvendi “nuk arrin dot” të zgjedhë një Kryeministër tjetër dhe sërish shpallen zgjedhje të parakohshme.

Këto tre rrugë kalojnë përmes zgjedhjeve të parakohshme dhe vullnetit politik të mazhorancës për t’i provokuar ato.

Rruga e katërt është më problematike: Palët vendosin të hyjnë në zgjedhje më 18 qershor ose në një datë tjetër në vjeshtë, duke ndryshuar Kushtetutën apo Kodin Zgjedhor në mënyrë konsensuale.

Nuk është hera e parë që e bëjnë, por në një rast të tillë është i madh rreziku i humbjes së arsyeve përse janë bërë këto ligje dhe rrezikohet mungesa e stabilitetit ligjor edhe në të ardhmen.

Është e vështirë që një politikan si David McAllister, i cilësuar nga mediat gjermane si “kancelari në pritje i Gjermanisë”, të vijë në Tiranë vetëm sa për të “larë gojën”.

Do të rekomandojë negociatori gjerman zgjedhje të parakohshme apo do të kërkojë të ndryshojë ligji? Kjo është dilema e sotme.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: