Sokol Sejdo: Muzika Jazz më bën të ndihem vetvetja

Sokol Sejdo: Muzika Jazz më bën të ndihem vetvetja
Saksofonisti i njohur Sokol Sejdo, pas mbi 20 viteve eksperiencë si instrumentist dhe profesor, rrëfen pasionin e tij për muzikën Jazz, përpjekjet për ngritjen dhe suksesin e aktivitetit të Skena-Jazz, e para skenë e mirëfilltë e Tiranës për të apasionuarit me këtë muzikë, me rrënjë të largëta, por që jo të gjithë e njohin.

 

intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Për disa Jazz-i është shpirtëror e  për të tjerë elitar. Ndonëse në realitet vjen nga lagjet e varfra e klubet underground afro-amerikane, baza e rrymës vjen pikërisht nga Evropa, vendet latine apo Afrika.

Për kulturën e muzikës Jazz në Shqipëri dihet pak. Kjo edhe për faktin që ky zhanër nuk është performuar ashtu si në vendet e tjera të botës.

Në Shqipëri ka nga ata persona që e dinë dhe e kanë pasion këtë muzikë, ka nga ata që e kanë dëgjuar por ka edhe nga ata që nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë.

Por kjo rrymë muzikore e quajtur Jazz  për ne shqiptarët nuk është aspak një tendencë e re pavarësisht se pak e dinë. Së paku në Tiranë, ajo i pati fillesat e saj në vitet 1943, në hollin e hotel Dajtit, kur një grup muzikantësh italo-shqiptarë, nën dirigjimin e Antonio Alogio-s,  interpretonin për publikun shqiptar me tingujt e saksofonit, kontrabasit a baterisë.

 

Kjo rrymë muzikore evidentohet fillimisht përmes pllakave të gramafonit që sillnin shqiptarët e punësuar jashtë kufijve, si dhe muzikantët që interpretonin në Shqipërinë e asaj kohe, si në Shkodër, Korçë apo Tiranë.

Në vitet, ’70-80 sërish ka pasur një tjetër përpjekje në fushën e xhazit, sipas Sejdos dhe një ndër përpjekjet stoike për të realizuar dhe futur sërish muzikën Jazz ka qenë edhe kompozitori Agim Krajka.

Kultura e muzikës Jazz në Shqipëri është pak e njohur dhe shumë e vakët në performancën e saj në aktivitetet kulturore. Muzika Jazz është si një pasion i disa muzikantëve që performojnë në klube të veçanta të kryeqytetit. Por ka një vend lidhës, ku mblidhen artistët, instrumentistët, të huaj e shqiptarë, miq me vesh të hollë, por edhe të dëshiruar për eksperiment. Në zemër të jetës së natës dhe argëtimit, ka një skenë-teatër, “Skena-Jazz” ku të pret Sokol Sejdo, virtuozi i saksofonit prej dy dekadash.

Muzikanti i Modern Jazz-it është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura, dega klarinetë e më pas përfundon masterin në Konservatorin “Giusepe Verdi” të Milanos. Në karrierën e tij artistike numërohen me dhjetëra koncerte, por është edhe kompozitor i “White spot” në vitin 2002 apo album-koncertet “Septet Jazz” në 2010 dhe “Quartet Jazz” në 2013. Në vitin 2014, Sokol Sejdo është autor i dokumentarit “Shqipëria jazz”, me foto e dëshmi të hershme, apo edhe intervista për zhvillimin e muzikës Jazz në Shqipëri, që nga viti 1943.

 

Saksofonisti Sejdo ka arritur, bashkë me miq e kolegë, të ngrejë një fole në zemër të ish-bllokut vetëm për këtë muzikë, nuk ka qenë e lehtë, por ka arritur të njihet në jetën e natës së Tiranës, mbushur me muzikë dance.

Thuhet se kjo rrymë muzikore i përket elitës, sa e vërtetë është?

E ka mbështetur elita, duke qenë më shumë e sofistikuar. Pra, do vëmendje të dëgjosh virtozitetin që përmban loja instrumentale. Përpos kësaj bandat e mëdha muzikore kërkojnë mbështetje financiare. Por mund të them që është e pëlqyeshme edhe nga gjithë pjesa tjetër e shoqërisë, pikërisht për shkak të atyre ritmeve latine, afrikane, e normalisht atyre evropiane.

Pub-et shqiptare ku luhet Jazz janë të përzgjedhura, ndërsa jashtë kufijve tanë, luhet pothuajse në çdo Pub. Në Tiranë, në pub-et e zgjedhura performojmë kryesisht Punk apo Modern Jazz, ndonëse për audiencën luajmë Swing Jazz, Bepop Jazz.

A është futja e kësaj rrymë muzikore në rang të gjerë kombëtar si kërkesë e kohës dhe e modernizimit të muzikës?

 

Kjo përgatitje fillon që në tetë vjeçare nëpërmjet instrumentit, mësimdhënies, formës së programit, harmonisë Jazz apo nëpërmjet formacioneve të vogla dhe të mëdha duke u përgatitur me rregullat e kësaj muzike në mënyrë që fëmijët që studiojnë muzikë të jenë në gjendje që t`i përgjigjen parametrave të botës”, shton ai.

Instrumentistët e Jazz janë të detyruar të performojnë në Shqipëri në zhanre të tjera muzikore edhe pse ata pasionin e tyre e kanë tek muzika Jazz për shkak të mos njohjes nga publiku të këtij zhanri muzikorë.

Ndërkohë që artistët jashtë kanë pasur të gjitha kushtet për Jazz, artistët shqiptarë në mungesë të këtij luksi, kanë bërë përpjekjet e tyre të shkëlqyera. Mund të them që libri ekziston kudo, edhe në vendet më të censuruara nga regjimet dhe ai që ka vullnet, pasion,  shfleton dhe shkollohet. Në çdo fushë të artit, ka ekzistuar dhe do të vazhdojë shpresoj që të mos humbasë shprehja,që një profesion apo talent pa punë dhe përkushtim është i djegur.

 

Ndaj shqiptaret nuk mundet më të qëndrojnë empirik ndaj jazz. Ka muzikantë që do i cilësoja në tre modele: muzikantë Jazz që kanë mbaruar shkolla Jazz përtej kufijve, muzikantë që kanë studiuar literaturë në mënyrë autodidakte, këtu përfshij dhe veten, muzikantë që kërkojnë të futen në këtë botë të madhe të Jazz.

Këta mund të cilësohen një kontingjent tepër i brishtë, pasi mendoj se ka ardhur pikërisht koha dhe momenti, që gjithë pasioni apo të dhënat e tyre të bëhen realitet, nëpërmjet mbështetjes apo krijimit të kushteve.

Nuk mendoni se duhet guxim dhe vullnet për të bërë të ndjekur dhe të pëlqyer një rrymë si muzika Jazz?

 

Mua nuk më ka munguar vullneti prej të marri, duke u përfshirë totalisht me gjitha shqisat e mia vetëm  për Jazz-in. Mënyrat e komunikimit sot janë të ndryshme, por mbi të gjitha muzikantët shkëmbejnë materiale, eksperiencë dhe aty duket gjithçka, sesa mund të arrihet me rezultat profesional një iniciativë.

Nuk besoj që komercializmi i këtyre kohëve të ftohta, të arrijë të zbehë dhe këtë pasion duke e çuar në rezultate mediokre, apo keqpërdorim të termave muzikore apo rrymave, ritmeve. 20 vitet e fundit, Shqipëria apo artistët të çliruar nga ndalesat apo paragjykimet, tashmë kanë pasur gjithë terrenin e duhur për të eksploruar në rryma të ndryshme, si dhe në Jazz, për tu hapur me botën.

Janë realizuar bashkëpunime me artistë të huaj, janë zhvilluar koncerte Jazz përtej kufijve, me artistë shqiptarë që na përfaqësojnë denjësisht, gjithashtu ekziston kontingjenti dhe në Shqipëri, i atyre të ardhurve nga shkolla apo master nga jashtë të kësaj fushe që quhet Jazz.

Si lindi ideja e një skenë Jazz në Tiranë?

Ideja ose vazhdimësia e udhës time artistike nëpërmjet koncerteve, performancave live, bashkëpunimeve, duke ofruar art në forma të ndryshme muzikore dhe me muzikantë apo stile të ndryshme, është dhe mbetet qëllimi, pasioni, mundësia për të siguruar jetesën, pra për këtë qëllim artistik apo jetësor, zgjodha të hapja një mini-biznes privat të formës së një qendre kulture ku të ofrohet art dhe t’u jap mundësinë edhe kolegëve të performojmë së bashku, në këtë ambient me emrin Skena- Jazz, pra skena ku lind dhe edukohet artisti. Kjo skenë është kthyer në një vend promovimi dhe për talentet e reja, apo të çdo fushe tjetër arti. Nuk kanë munguar aktivitetet kushtuar dhe netëve poetike,artit dramatik, One Man Shoë me artistë profesionistë,banda muzikore shqiptare dhe të huaja me muzikantë profesionistë.

Për këtë formë- përmbajtje që ofron Skena- Jazz, ajo qëndron në zemër të ish-bllokut në një stil krejt ndryshe nga klubet e natës, edhe sepse nuk mungon dhe shërbimi apo asortimentet bio të përzgjedhura me shumë shije nga “Histori Shqiptare”, një seri dokumentarësh i realizuar nga gazetarja e suksesit Alma Çupi, bashkudhëtare dhe ideatore që në zanafillë të krijimit të Skena-Jazz .

Skena-Jazz  shquhet për një publik elitar, ose e thënë ndryshe, është ky publik që përkrah duke ndjekur dhe qenë vazhdimisht pjesëmarrës në të gjitha shoë-aktivitetet apo koncertet, me një përgjegjësi profesionale, me një mesazh të qartë artistik të një niveli të lartë, duke filluar që nga muzika klasike, moderne Jazz etj, përtej abuzimit me zhanre muzikore tejet të rëndomta të një niveli të ulët artistik, që lënë një tendence të keqe në shoqërinë tonë.

 

Dhe si arrini të mbijetoni në këtë treg të vështirë muzikor shqiptar?

Ne fakt është e vërtete ta quajmë mbijetesë, kjo falë energjive të artistëve dhe publikut, klientelës besnike që është ofruar tek Skena Jazz , natyrisht që në veçanti  Skena Jazz mbijeton në treg  edhe nga eksperienca 15 vjeçare si profesor klarinete dhe saksofoni në Liceun Artistik.

Brezat e muzikantëve që kam përgatitur kanë qenë pjesëmarrës me performancat e tyre tek Skena Jazz dhe unë shpërblehem shpirtërisht tek sa i ndjek të aktivizohen në tregun muzikor. Pra jetojnë me art.

Dhe çfarë përfaqëson Jazz-i në jetën tënde?

 

Për mua Jazz është një gjuhë që kam zgjedhur të flas me miqtë, audiencën time që më ndjek në netët e mia live, stili që më bën të ndihem vetja. Kur luaj Jazz është si  një udhëtim që nuk ka ndalesa, shkoj dhe eci krejt natyrshëm.

Këtij qyteti do i dhuroj përherë Jazz, gjithë vendit tim po të jetë e mundur, vetë ndjesia e stilit, botës së meditimit, të improvizimit, janë ca dritare që më hapen përpara dhe më japin atë mundësinë të shprehem me tërë qenien time, në mënyrën më të lartë, në nivelin më të lartë të shpirtit, ekstravagancës, emocionit, ndjesisë.

 

Qëllimi i muzikantëve të këtij zhanri është që të dihet dhe të njihet kjo muzikë. Ne duam ta zbardhim këtë muzikë me profesionalizmin e saj sepse ky zhanër ka ende shumë surpriza të bukura për t`i dhënë këtij brezi.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: