Sot skadon afati. Zgjedhje pa opozitën, apo shkelje të Kodit Zgjedhor?

Sot skadon afati. Zgjedhje pa opozitën, apo shkelje të Kodit Zgjedhor?
Disa nga emrat kryesorë të gazetarisë në Shqipëri, komentojnë në këtë rubrikë të përjavshme për lexuesit e “Albanian Free Press”, aktualitetin politik.

Në forumin e kësaj të hëne, flasin me “Albanian Free Press”, Desada Metaj, kryeredaktore e “Opinion”, gazetari i njohur Mentor Kikia dhe drejtuesi i “Pamfleti”, Gjergj Zefi

Alket Aliu

Afati i përcaktuar në Kodin Zgjedhor për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet e 16 qershorit, skadon mesnatën mes 10 dhe 11 prillit. Në datën 19 prill skadon afati i dytë, ai i regjistrimit të koalicioneve politike. Por asnjë koalicion nuk mund të regjistrohet, nëse forcat politike nuk janë të regjistruara më parë si parti politike. Kjo do të thotë se, nëse Partia Demokratike dhe forcat e tjera politike të opozitës nuk regjistrohen brenda orës 23.59 të datës 10 prill, ato mbeten zyrtarisht jashtë zgjedhjeve të 18 qershorit.

Në një rast të tillë, alternativat e zhvillimit të zgjedhjeve me pjesëmarrjen e opozitës janë tre: Ose do të shtyhet data e zgjedhjeve, ose do të ketë një marrëveshje për shkeljen e afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, ose do të ketë negociata të momentit të fundit që mund të çojnë në regjistrimin e opozitës brenda afatit ligjor.

Deri në këto momente, nga opozita nuk ka asnjë sinjal për të plotësuar procedurat e regjistrimit në zgjedhje, madje janë tërhequr edhe partitë e regjistruara përpara vendimit politik për të mos hyrë në zgjedhje pa një qeveri teknike. Ka vetëm një përpjekje për dialog, që, sipas gjasave, mund të arrijë në një zgjidhje politike përtej afatit të 10 prillit.

Për zhvillimet e ardhshme politike në një situatë të tillë të komplikuar, Albanian Free Press po sjell mendimin e analistëve të njohur politikë, të cilët iu përgjigjën këtyre pyetjeve të përbashkëta:

  1. A mendoni se mazhoranca dhe opozita do ta gjejnë gjuhën e përbashkët për të zhvilluar zgjedhje normale?
  2. A ka mundësi që zgjedhjet mbi bazën e kësaj “gjuhe të përbashkët” të zhvillohen më 18 qershor, duke shkelur Kodin Zgjedhor, apo duhet përcaktuar një datë tjetër?
  3. A do të cenohej procesi zgjedhor nëse palët do të binin dakord të respektonin datën 18 qershor duke shkelur Kodin Zgjedhor që përcakton afatet e regjistrimit?

 

Zgjedhje normale më 18 qershor? Vetëm nëse tërhiqet Basha

Desada Metaj, kryeredaktore e “Opinion”

1.

Të gjithë e shpresojnë një mundësi të tillë, por personalisht mendoj se do e kenë shumë të vështirë, në mos të pamundur. Ka kaluar kohë mjaftueshëm që të paktën një nga palët të tërhiqet nga qëndrimet që mban për me shumë se 50 ditë. Kështu që vetëm ndryshimi i pozicionit që mbajnë, do të mund të sillte një zgjidhje për krizën. Qëndrimi dhe deklaratat e fundit të Ilir Metës, sigurisht që i japin më shumë "krahë" kërkesës së opozitës për qeveri teknike. Por fakti që asnjë reagim nga qeveria nuk ka lënë hapësirën më të vogël për mundësinë e kësaj qeverie tregon qartë se palët do ta kenë të vështirë.

Shtyrja e afatit të regjistrimit të partive në KQZ është një artificë e keqpërdorur ligjore që, më shumë se hapësirë për zgjidhjen e krizës, mendoj se zgjat ankthin dhe ngërçin për këtë situatë të paprecedent. Nëse 50 ditë nuk kanë mjaftuar,10 ditë më shumë nuk besoj se mund të sjellin ndonjë zgjidhje, për sa kohë kushtet dhe negociatorët janë të njëjtë.

Nuk besoj se ka më hapësira për zhvillimin e zgjedhjeve në 18 qershor. Kjo vetëm nëse Lulzim Basha tërhiqet nga qëndrimi i tij për qeverinë teknike. Në çdo rast tjetër, krijimi i një qeverie dhe përgatitja e zgjedhjeve me një ekzekutiv të ri kërkon më shumë kohë. Dhe, meqë tashmë kjo është një kërkesë e mbështetur dhe nga aleati i Ramës në qeveri, më duket shumë e largët dita e zgjedhjeve.

Kjo nuk do ishte hera e parë që afatet ligjore dhe kodi zgjedhor do të shkeleshin për shkak të rrethanave politike. Nëse palët gjejnë gjuhën e përbashkët për një marrëveshje, atëherë automatikisht kanë edhe votat për të ndryshuar kodin apo çfarëdo ligji tjetër që pengon realizimin e zgjedhjeve me standarde të pranuara nga të gjitha palët dhe që, në fund të fundit, do të shënonin dhe ç'tensionimin e situatës. Me gjendjen aktuale politike në Shqipëri çdo proces pa pjesëmarrjen e opozitës së vërtetë dhe jo asaj të emëruar, do të shënonte fillimin e një krize të thellë, kulmi i së cilës mund të ishte katastrofal për kushtet e Shqipërisë.

 

Veprimet e klasës politike nuk kanë lidhje me demokracinë

Mentor Kikia, gazetar

1.

Unë mendoj se kjo është një pyetje shumë vështirë, pasi kriza politike ka hyrë në një fazë ku as vetë partitë nuk dinë se çfarë do të sjellë e nesërmja. Opozita as vetë nuk e di se çdo të bëjë me protestën që ka nisur, as PS nuk e di se çfarë qëndrimi duhet të mbajë. Ndërsa LSI është ende me një këmbë në qeveri e një këmbë në çadrën e bulevardit. Duket e gjithë si një teatër absurd, ku aktorët sillen në mënyrë spontane pasi kanë mbaruar të gjitha aktet e pjesës që kishte shkruar dramaturgu, por regjisori u kërkon që ta vazhdojnë lojën duke improvizuar dialogë. Deri në skadimin e afatit të regjistrimit të partive në zgjedhje, palët kanë demonstruar vullnetin për t’i qëndruar pozicioneve ultimative që kanë caktuar më parë. Opozita për të mos shkuar në zgjedhje pa qeveri teknike, dhe Partia Socialiste, për të mos i shtyrë zgjedhjet për asnjë arsye. Në këto kushte opsionet duken të hapura të gjithë, nga gjetja e një zgjidhjeje dhe zhvillimi i zgjedhjeve në 18 Qershor, shtyrja e tyre, apo mbajtja e zgjedhjeve pa partitë e opozitës. Por një gjë është e sigurt në këto momente, që asnjë veprim i klasës politike nuk ka lidhje me demokracinë. Mbi të gjitha,kemi të bëjmë me tejkalime apo shkelje të afateve ligjore që përcakton Kodi Zgjedhor për pjesëmarrje në zgjedhje, të paktën nga partitë e opozitës.

2.

Unë shpresoj që kriza të gjejë një zgjidhje, pasi e tëra kjo përkthehet në kosto për shoqërinë dhe ekonominë kombëtare. Përvoja ka treguar se marrëveshjet mes partive kanë prevaluar mbi ligjet dhe vetë Kushtetutën. Duke qenë marrëveshje dy apo disa palëshe, dhe të pakontestueshme nga asnjëra palë, ato nuk kanë menduar nëse shkelet apo jo ligji. Edhe në këtë rast, nëse partitë do të bien dakord, pavarësisht se si, për t’i mbajtur zgjedhjet në 18 Qershor, ato mund të pranojnë ta shkelin Kodin Zgjedhor me “dakordësi”, duke arsyetuar se mbajtja e zgjedhjeve është më e rëndësishme se respektimi i Kodit.

3.

Ligjet, Kushtetuta apo Kodet në një vend demokratik dhe shtet ligjor hartohen për t’u zbatuar ndaj dhe idealja, apo normalja do të ishte që zgjedhjet të bëheshin në datën që parashikon Kushtetuta dhe sipas Kodit Zgjedhor të aprovuar nga parlamenti. Por tashmë ne jemi në kushtet kur njëra nga këto është shkelur. Partitë opozitare nuk janë regjistruar në KQZ dhe afati ligjor është tejkaluar tashmë. Nëse do t’i qëndrojmë logjikës së zbatimit të ligjit, zgjedhjet ose duhet të mbahen pa opozitën, ose duhet të shtyhen. Por ka edhe një opsion tjetër, që palët të bien dakord më vonë, siç theksuam më lart, dhe të pranojnë të shkojnë në zgjedhje duke shkelur Kodin. Në fakt për mua kjo do të ishte shkelja më e vogël e mundshme, pasi bëhet fjalë për afatin e regjistrimit të partive, dhe kostoja e prodhuar është shumë e vogël krahasuar me agravimin e krizës, shtyrjen e zgjedhjeve, apo edhe më keq shkuarjen në zgjedhje pa opozitën.

Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, unë do të preferoja një proces zgjedhor në kushtet e shkeljes së Kodit sa i takon afatit të regjistrimit të partive, sesa zhvillimit të zgjedhjeve pa opozitën dhe hyrjes së krizës politike në një spirale, fundin e të cilës nuk e parashikon askush.

 

Zgjedhjet t’i shërbejnë vendit, të tjerat janë aspekte teknike

Gjergj Zefi, editor i “Pamfleti”

 

1.

Në perceptimin tim kriza politika e shfaqur kohët e fundit në Shqipëri është pak më e thellë seç paraqitet. “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme” dhe retorika të tilla të këtij lloji janë vetëm ana e dukshme e medaljes, janë pretekst që fshehin në vetvete arsyen e vërtetë të kësaj krize që ka filluar vitin e shkuar dhe që ka të bëjë me “Reformën në Drejtësi” ose e thënë më troç me përfshirjen e ndërkombëtarëve në këtë proces kaq të rëndësishëm në vend.

Nëse i keni ndjekur me vëmendje prononcimet e ndërkombëtarëve, ata janë shprehur se janë të përgatitur për reagime të tilla, si dhe për një qëndresë shumë të madhe të forcave që preken nga kjo reformë që për hir të së vërtetës vetëm ankthin ka shqiptar, pasi e gjitha është një iniciativë euroatlantike.

Ndaj dhe unë mendoj që transversalisht në politikën shqiptare ka forca, individë dhe faktorë që nuk e duan këtë gjë. Në praktikat politike botërore raste të tilla kanë ndodhur, ne nuk jemi të vetëm në luftën e tmerrshme midis mafias dhe politikës.

Mjafton të kujtojmë që në fundvitet ’80 si pasojë e një revolucioni në drejtësinë italiane, partia demokristiane doli nga sistemi politik si rrjedhojë e implikimit të lidershipit të saj me “CosaNostra”-an. Thuajse e njëjta gjë ndodhi edhe me socialistët italianë.

Edhe nivelet elektorale mjerane të Pasok-ut në Greqi të njëjtin shkak kishin.

2.

Nuk mendoj se ka ndonjë arsye për të shtyrë zgjedhjet. Siç e thashë edhe më sipër, tjetërkund “fle lepuri”. Çfarëdo që të ndodhë, një gjë është e sigurt: Reforma në Drejtësi do të realizohet. Klasa politike duhet të ndërgjegjësohet. Katarsisi i saj nuk varet më nga ajo. Nuk mundet më që të vazhdojnë e të fshihen si struci duke futur kokën në rërë dhe duke lënë trupin jashtë. Zgjedhjet do të bëhen, Reforma, duan apo nuk duan ata, do të bëhet, Shqipëria do të bëhet!

Çdo përpjekje për të kundërtën është e kotë. Ajo çka do të uroja është që lidershipi i korruptuar i partive të mos sakrifikojnë forcat e tyre politike, pasi ata nuk janë çifligje por asete publike dhe të vyera për vendin.

3.

E rëndësishme është që zgjedhjet t’i shërbejnë Shqipërisë, të tjerat janë aspekte teknike që i shërbejnë procesit. Nuk duhet që këto aspekte t’i përdorim në dëm të procesit për interesa personale apo qoftë edhe klanore. Vendi ka hyrë tashmë në zgjedhje... Çdo përpjekje për ta penguar atë janë tentativa destabilizuese.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: