Studimi, 300 milionë vuajnë nga depresioni në botë

Studimi, 300 milionë vuajnë nga depresioni në botë
Depresioni është, tashmë, shkaku kryesor i shëndetit të sëmurë dhe aftësive të kufizuara në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila raporton për një numër të madh njerëzish që jetojnë me këtë situatë. Depresioni, tashmë, ka kaluar sëmundjet e frymëmarrjes si problemi më i madh shëndetësor i globit, me shifra që tregojnë se plot 300 milionë persona në mbarë botën, kanë një diagnozë të tillë, një rritje 18% gjatë periudhës 2006 – 2015. Organizata shpreson se këto shifra do të çojnë në përmirësim të trajtimit efektiv të gjendjes, e cila përmban kosto të mëdha njerëzore. Drejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së, Dr. Margaret Chan, i quan shifrat alarmante një thirrje që vendet të rimendojnë qasjet e tyre ndaj shëndetit mendor dhe ta trajtojnë këtë gjendje me urgjencën e nevojshme. Mungesa e kuptimit të depresionit dhe paragjykimi kundrejt atyre që vuajnë për shkak të kësaj gjendjeje, vijojnë të mbeten barriera ndaj kurimit efektiv.

Sipas studiuesve, edhe në vende me të ardhura të larta, thuajse 50% e njerëzve me depresion nuk marrin trajtimin e duhur dhe ilaçet e rekomanduara, janë shpesh joefektive. Mesatarisht, vetëm 3% e buxheteve qeveritare mbi shëndetin, investohen në shëndetin mendor, duke variuar nga 1% në vende me të ardhura të ulëta, deri në rreth 5% në vende me të ardhura të larta, përfshi këtu Mbretërinë e Bashkuar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: