Të rikthyer në vendlindjen e tyre, emigrantët ende nuk dihet sa janë

Të rikthyer në vendlindjen e tyre,  emigrantët ende nuk dihet sa janë
“Jam kthyer nga Greqia bashkë me burrin dhe dy fëmijët. Ishte krizë atje. Tani do të jetojmë në Tiranë”. Kjo ishte zgjidhja që shoqja ime Sofika Laska, më komunikoi se kishte menduar për familjen e saj para pak vitesh, teksa e takova rastësisht në një nga rrugët e kryeqytetit. Dhe vetëm pak kohë më pas, po prej saj mësova se kishte mundur të gjente punë në profesionin e saj si ekonomiste, duke i dhënë kështu fund periudhës së “emergjencës” në të cilën u gjend befas teksa la pas vendin fqinj, ku kishte jetuar prej shumë vitesh...

Kjo është vetëm një nga historitë e zakonshme të mijëra emigrantëve që kanë vendosur të kthehen në Shqipëri për të rindërtuar jetën e tyre pas shumë vitesh emigracioni. Për të cilët në fakt, deri më sot shteti shqiptar nuk disponon dot një shifër të saktë të totalit të tyre, e kjo për faktin se ata nuk janë të detyruar të deklarojnë se janë kthyer në mënyrë përfundimtare në vendin e tyre.

“Në momentin që një emigrant shqiptar kalon kufirin, ai nuk është i detyruar me ligj që të pohojë arsyen e kthimit, apo dhe kohën e qëndrimit në vendin e tij, edhe nëse kjo mund të jetë përgjithmonë”, citojnë për “Albanian Free Press” burime zyrtare të zyrës së shtypit të Ministrisë së Brendshme, lidhur me një dukuri të tillë.

Fakt ky i cili pohohet gjithashtu edhe nga ato të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e që e bën kështu të vështirë identifikimin e saktë të shifrës së kësaj kategorie në vendin tonë, por gjithashtu edhe projeksionin e ecurisë së saj në të ardhmen.

“Shifrat që ministria e Mirëqenies Sociale disponon janë vetëm ato të emigrantëve të kthyer që paraqiten në sportelet e emigracionit për të kërkuar ndihmë. Nga strategjia që kemi për ta, nuk është detyruese që ata të vijnë dhe të regjistrohen. Por kemi vetëm ata që vijnë vullnetarisht të regjistrohen”, pohon drejtoresha e MMRS-së, Silva Banushi, posaçërisht për “Albanian Free Press”.

Në këtë mënyrë, ajo që dihet me siguri për këtë kategori janë vetëm shifrat e publikuara nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, në varësi të dikasterit të Mirëqenies Sociale, pikërisht për emigrantët e paraqitur pranë sporteleve të tij për të kërkuar një vend pune.

Konkretisht, sipas tyre, rezulton se në fund të vitit të kaluar 2016 numri i emigrantëve shqiptarë të kthyer në vendlindje dhe të regjistruar si punëkërkues të papunë ka qenë 717, nga të cilët 289 regjistrime të reja. Pjesa më e madhe e tyre raportohet se janë kthyer nga Greqia, rreth treçereku i tyre, që kanë raportuar në nivelin prej 84% si shkak të kthimit papunësinë. Gjithmonë sipas të njëjtave shifra, pjesa më e madhe e këtyre emigrantëve të kthyer kanë rezultuar se janë familjarë dhe se kanë qenë të papunë afatgjatë, në nivelin prej  75%.

717

Emigrantë shqiptarë të kthyer në vendlindje përfundimisht raportohen në fund të vitit 2016 nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, që janë regjistruar si punëkërkues

SHPËRNDARJA

Nga Elbasani e Kukësi, të regjistruarit më të shumtë si të rikthyer në vend 

Qarku i Elbasanit dhe ai i Kukësit janë dy rajonet kryesore të vendit, nga ku rezultojnë se mbërrin për të jetuar sërish atje pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë të rikthyer në vendlindje. Gjithmonë sipas shifrave të dhëna nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, për emigrantët e regjistruar pranë tij si punëkërkues. Duke shtuar më tej faktin se për ata mbi moshën 40 vjeç, shumica ka qenë nga rajoni i Korçës, Vlorës dhe Lezhës. “Pothuajse e gjithë kjo kategori ka pasur vetëm arsim të mesëm dhe fill pas regjistrimit kanë kërkuar më së shumi këshillim për punësim, si dhe orientim profesional”, cilësojnë ekspertët e këtij institucioni.

 

STUDIMI

INSTAT: Rreth 140 mijë emigrantë të rikthyer

Më shumë se 140 mijë emigrantë janë rikthyer në vendlindje që prej vitit 2011. Kjo është shifra e vetme zyrtare e konfirmuar deri më tani nga një institucion shqiptar. Konkretisht, prej Institutit të Statistikave, disa vite më parë, e rezultuar kjo falë një vrojtimi të kryer konkretisht në vitin 2013 për këtë kategori. I titulluar “Migracioni i kthimit dhe ri-integrimi në Shqipëri”, ai mbetet deri tani i vetmi studim i mirëfilltë i kryer për dukurinë e rikthimit të emigrantëve shqiptarë në vend, dhe pas tij, ende nuk ka një pikë referimi zyrtare për të ditur saktësisht sesa të tillë përfshihen në këtë kategori. “Sa i përket kthimit, nga vrojtimi rezulton që gjithsej 133.544 migrantë shqiptarë të moshës 18 vjeç dhe sipër janë kthyer në Shqipëri në periudhën 2009-2013, prej të cilëve 98.414 meshkuj dhe 35.130 femra”, citonte saktësisht ai.

 

NDIHMA

Arsim profesional falas dhe banesa sociale për ta

“Vizioni është sigurimi i një kthimi të qëndrueshëm për emigrantët përmes mbështetjes së procesit të riintegrimit, pavarësisht formës së kthimit”. Ky ka qenë thelbi i Strategjisë së miratuar nga qeveria shqiptare posaçërisht për Riintegrimin e Shtetasve Shqiptarë të Kthyer, e cila gjendet ende në fuqi. Por që mesa duket kjo kategori nuk i nënshtrohet shumë asaj e këtë e tregon më së miri fakti që nga mijëra emigrantë të rikthyer, vetëm disa qindra prej tyre regjistrohen pranë zyrave të shtetit duke kërkuar ndihmën e tij për punësim. Teksa ky i fundit ka gjetur edhe zgjidhje të tilla konkrete ndaj kësaj kategorie, siç është arsimi profesional falas, me mundësinë që më tej të integrohen lehtësisht në tregun e punës. Apo edhe “dhënia e dorës” për çështjen e strehimit, teksa së fundmi i ka përfshirë edhe ndër kategoritë përfituese për banesa sociale.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: