Të verbrit: Javën e ardhshme, nisim protestat masive në të gjithë vendin

Të verbrit: Javën e ardhshme, nisim protestat masive në të gjithë vendin
Protesta masive, deri në përmbushje të detyrimeve dhe premtimeve të bëra nga qeveria, - kjo ka qenë deklarata e bërë, pas mbledhjes së fundit të Këshillit Drejtues i Shoqatës së të Verbërve. Në një letër të drejtuar kryeministrit, Edi Rama, dhe ministres së Mirëqenies Sociale Olta Xhaçka, të verbrit kërkojnë plotësimin e të gjitha kërkesave ekonomike, por edhe atyre ligjore. “I nderuar! zoti kryeministër! Në vijim të kërkesave të dërguara, vite me radhë, po ju dërgojmë, edhe njëherë, dhe ndoshta të fundit për këtë mandat, kërkesat dhe ankesat tona. Ju mund të vazhdoni të na injoroni, me heshtjen tuaj, së bashku me administratën tuaj, siç keni bërë prej shtatorit 2013, por kjo nuk do të jetë e mirë as për ne, as për ju. Nëse ju nuk do t’i jepni zgjidhje themelore, atëherë, ne do të kërkojmë zgjidhje të tjera alternative, pa përjashtuar protestat dhe ngujimin, para institucioneve”, - thuhet në kërkesën që PAK, i kanë drejtuar kreut të qeverisë. Por cilat janë kërkesat ekonomike dhe ligjore të Personave me Aftësi të Kufizuar, që kërkojnë zgjidhje nga qeveria? “Kërkojmë që, rritja e pagesës së aftësisë së kufizuar, të bëhet në masën 10%, pasi nuk është rritur, asnjëherë, prej vitit 2009, ndryshe nga pensionet edhe pagat. Kërkojmë që, qeveria të deklarojë edhe njohë borxhin që ka ndaj PAK, për detyrimet e prapambetura, nga viti 2005- 2010, dhe të fillojë shlyerjen e tyre brenda muajit mars. Kërkojmë shfuqizimin e ndryshimeve të ligjit 93 55, sipas të cilit i hiqet pagesa e aftësisë së kufizuar personave që janë në burg, institucione publike ose të punësuar, pasi cenon parimin e pavarësisë së kësaj pagese”, - thuhet në kërkesat e PAK.

Por, ndër të tjera, tjetër kërkesë është edhe përmirësimi i marrëdhënieve me qeverinë ku, kjo e fundit, të shprehet qartë se mbështet lëvizjen e aftësisë së kufizuar dhe të drejtën e tyre për tu përfaqësuar nga organizatat që vetë ata ngrenë. Po kështu, në radhën e kërkesave është edhe hetimi administrativ dhe transparent i fondeve publike, të dhëna për këtë shtresë të popullsisë. “Kërkojmë hetim administrativ të pavarur, transparent, në bashkëpunim me organizatat e personave me aftësi të kufizuar, për të gjitha fondet publike ose të dhëna me mbështetjen e institucioneve publike organizatave të Shoqërisë Civile, që kanë patur objekt shërbimet dhe mbrojtjen e interesave të personave me aftësi të kufizuar”, - thuhet në deklaratën e bërë nga PAK, duke shtuar edhe kërkesën për krijimin e një akti nënligjor, i cili të ketë qëllim mbrojtjen e PAK nga abuzimi i konfliktit të interesit. Në kërkesat e radhës është edhe aksesi dhe informacioni që duhet dhënë për personat që nuk dëgjojnë, shikojnë dhe flasin, për t’u njohur si shërbim i posaçëm në nivel kombëtar.

 

Kërkesat e PAK

  1. Përmirësimi i marrëdhënieve me qeverinë
  2. Rritje të pagesës së aftësisë së kufizuar, në masën 10%, pasi ajo nuk është rritur asnjëherë që nga viti 2009
  3. Qeveria të deklarojë edhe njohë borxhin që ka ndaj PAK, për detyrimet e prapambetura nga viti 2005-2010. dhe të fillojë shlyerjen e tyre brenda muajit mars
  4. Shfuqizimin e ndryshimeve të ligjit 93 55, sipas të cilit i hiqet pagesa e aftësisë së kufizuar personave që janë në burg apo në institucione publike ose të punësuar, pasi cenon parimin e pavarësisë së kësaj pagese
  5. Lidhur me dhënien e shërbimeve të posaçme edhe cilësinë e tyre

 

E para protestë ekonomike

Nëse qeveria, deri javën e ardhshme, nuk do të marrë masa për plotësimin e kërkesave të Personave me Aftësi të Kufizuar apo të ulet në bisedime me ta për të gjetur gjë rrugëzgjidhje, vendi do të përballet me protesta masive. Por, ajo që vlen për tu shënuar, është se këto do të jenë protestat e para ekonomike, që do të ndodhin në këtë katërvjeçar të qeverisë Rama. Të dhënat tregojnë se, deri më tani, përveç protestave politike, nuk është shënuar asnjë protestë me karakter ekonomik; kjo, edhe për vetë faktin se, në vendin tonë nuk ka sindikata aktive që organizojnë protesta kombëtare apo në fusha të caktuara.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: