Teatri absurd i futbollit shqiptar!

Teatri absurd i futbollit shqiptar!
Teatër absurd! E tillë mund të quhet kjo javë, pas ndeshjeve të ekipeve kryesuese në Kategorinë Superiore dhe atyre të Kategorisë së Parë. Tirana shkoi për të humbur, thellësisht, në Kukës, Laçi priti të “shpartallohej”, pa kushte, ndaj Skënderbeut dhe Teuta iu fal “mëshirës” së Partizanit në “Selman Stërmasi”.

Skënderbeu dhe Partizani shënojnë nga pesë gola në portat kundërshtare, ndërsa Kukësi tregohet më “i arsyeshëm” në portën e Tiranës, duke realizuar një gol më pak. Mënyra sesi loja u zhvillua në tre fusha, njëkohësisht, të Kategorisë Superiore, la shumë për të dëshiruar. Teatri ishte vërtet absurd. Dyshime për tolerime të ndeshjeve ka pasur gjithnjë, edhe në ligat më të rëndësishme të Europës. Por “teatri” që ofrojnë ligat më të mëdha të Europës, nuk ngjason aspak me atë në Shqipëri. Teatri i tyre ka aq art në fushë, saqë vështirë të kuptohet nga tifozët.

Në mungesë të artit, futbollit shqiptar, prej kohësh, nuk i bën më përshtypje një teatër i tillë. Është kthyer në një teatër që nuk i shqetëson as ekipet që janë në garë, as tifozët, dhe askënd, përveç mediave që përgatiten për të raportuar një ndeshje futbolli dhe, në fund, raportojnë për teatrin e radhës apo estradën në fushat e blerta. Tre ekipet pretendente të Kategorisë Superiore, Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu, megjithatë, vijojnë garën për titullin kampion, kur mbeten edhe 6 javë deri në fund të kampionatit.

Kukësi dhe Partizani pas 30 javëve të para, kryesojnë tre pikë para Skënderbeut. Dy ekipet kryesuese shpresojnë që, këtë javë, në Gjirokastër të mos ketë teatër. Luftëtari synon vendin e katërt në kampionat dhe mendohet se do t’i presë i motivuar kampionët në fuqi. Po dy kryesueset? Kukësi pret Laçin dhe Partizani përballet me Tiranën, në derbi. Vështirë të gjendet një ndeshje derbi ku të ketë pasur kompromis, ndaj edhe teatri pritet të mungojë këtë javë në Kategorinë Superiore. Gjithsesi, sido që të jetë, ndeshjet direkte pritet të përcaktojnë fituesin  e garës në Superiore.

Në një kategori më poshtë, teatri është i ngjashëm, madje, edhe më absurd. Dy ekipet kryesuese të Grupit B, Lushnja dhe Bylis, ishin në humbje gjatë pjesës së parë, por i fituan ndeshjet e javës së fundit, me përmbysje brenda pak minutave lojë, në pjesën e dytë.  Lushnja fitoi 2-1 ndaj Shkumbinit në Peqin, ndërsa Bylis 3-2 me Tomorin në Kuçovë. Lushnja kryeson dy pikë para Bylis, por me këtë lloj “teatri”, edhe në këtë rast, ndeshja direkte mes tyre pritet të vendosë ekipin që do të ngjiten në Superiore.   Aranit Muraçi

 

Shifrat  e tre sezoneve të fundit, favorizojnë Partizanin në derbi ndaj Tiranës. Megjithatë, të kuqtë për titullin përballjen direkte ndaj Kukësin e shohin si “udhëtimin” e tyre të parë drejt titullit   

Tre “udhëtime” vendimtare për titullin kampion

Derbi i madh i kryeqytetit, e gjen Tiranën, ndoshta në momentin më të vështirë në historitë e përballjeve me Partizanin. Tirana e Mirel Josës po kalon momente negative, në këtë pjesë të dytë të kampionatit, ndonëse ka arritur të kualifikohet në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në 13 ndeshjet e fundit bardheblutë nuk njohin asnjë fitore. Me plot 7 humbje dhe 6 barazime të regjistruara ndaj Partizanit, më tepër se ekipi që do të zbresë në fushë duket se do të luajë këtë javë “fanella” e Tiranës.  Një tjetër statistikë negative për 24 herë kampionët e Shqipërisë është se në takimet derbi me Partizanin, Tirana ka tre vite që nuk fiton ndaj të rivalit të saj historik. Në 12 ndeshje që janë zhvilluar mes tyre, në tre vitet e fundit, të besuarit e Mirel Josës kanë arritur 7 barazime dhe 5 humbje. Megjithatë, Partizani pavarësisht shifrave në favor, i druhet Tiranës. Trajneri Sulejman Starova, një ditë pas ndeshjes së fituar 5-1 me Teutën, ka zbritur ekipin në fushë për të nisur përgatitjet për ndeshjen derbi ndaj Tiranës.

Por këtë javë barazimi i mundshëm në derbi është një rezultat që penalizon më tepër të kuqtë, të cilët pretendojnë titullin,  se bardheblutë që rrezikojnë rënien. Kjo për faktin se Kukësi pret këtë javë Laçin. Tirana dhe ekipet e tjera që tradicionalisht kanë qëndruar në Kategorinë Superiore, si Flamurtari apo Teuta, konsiderojnë Laçin si rrezikun e rënies, në një kategori më poshtë. Laçi me humbjen e fundit në fushën e vet me Skënderbeun duket se i ka dorëzuar “armët”, ashtu si Korabi shumë më herët, ndaj edhe beteja e vetme që mbetet të përcaktohen deri në fund është fituesi i titullit kampion. Kur mbeten edhe gjashtë javë deri në fund, në një kohë kur kompromiset konsiderohen të pashmangshme në futbollin shqiptar, tre do të jenë momentet vendimtare, për të përcaktuar fituesin në gjashtë javët e mbetura të këtij kampionati. Dy të parat konsiderohen më të rëndësishme: Udhëtimi i Kukësit në Tiranë, kur të përballet me Partizanit, si dhe udhëtimi i Skënderbeut në Kukës për t’u ndeshur me verilindorët. E treta, është udhëtimi i Partizanit në Korçë, në javën e fundit të kampionati. Kjo ndeshje do mund të vendosë fatet e titullit kampion, në varësi të rezultateve që do të arrihen në dy “udhëtimet” e para.

Udhëtimi i mbetur për ekipet kryesuese

Kukësi                                

Java 31: Kukësi- Laçi, Java 32: Partizani-Kukësi, Java 33: Kukësi-Flamurtari, Java 34: Korabi-Kukësi, Java 35: Kukësi-Skënderbeu, Java 36: Luftëtari-Kukësi

Partizani

Java 31: Tirana-Partizani, Java 32: Partizani-Kukësi, Java 33: Partizani-Laçi, Java 34: Flamurtari-Partizani, Java 35: Partizani-Korabi, Java 36: Skënderbeu-Partizani

Skënderbeu

Java 31: Luftëtari-Skënderbeu, Java 32: Skënderbeu-Vllaznia, Java 33: Teuta-Skënderbeu, Java 34:      Skënderbeu-Tirana, Java 35: Kukësi-Skënderbeu, Java 36: Skënderbeu-Partizani

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: