Thjeshtësia e “të mëdhenjve”

Thjeshtësia e “të mëdhenjve”
 

nga Juela Meçani

 

Thjeshtësia është virtyt i të mëdhenjve. Është shprehje e stërthënë, por është plotësisht e vërtetë. E po i bie direkt në kokë. Sa shumë mendjemadhësi, fodullëk apo popullorçe, tangërllëk ka rreth nesh. Gjyshja ime do të thoshte “tangërllëk firauni”. Dhe ajo që vëmë re shpesh, është se, më tepër, kjo dukuri qëndron tek të pazotët apo tek ata që në jetë nuk janë lodhur shumë për të arritur aty ku janë.

Në këtë profesionin tonë të gazetarit, na ndodh të komunikojmë me personazhe publikë dhe e pikasim thjeshtësinë tek çdo aktor i madh, tek çdo këngëtare apo piktor i njohur prej dekadash. E ndërkohë, na ndodh edhe që artistë të rinj apo që e bazojnë famën vetëm tek “liket” në rrjetet sociale, të mos të hapin telefonin apo të lexojnë mesazhet e mos të përgjigjen, qoftë edhe me një JO, ashtu, sa për politesë!

Gjithmonë më vjen të qesh me personazhe si këto, sepse kur ke jetuar goxha gjatë në profesion, e ke të qartë skenarin se si do të jetë vazhdimi i sjelljeve të tyre më pas. Henry James shkruante dikur, se njerëzit janë mendjemëdhenj vetëm kur kanë diçka për të humbur dhe janë të thjeshtë vetëm kur kanë diçka për të fituar. Por është jashtëzakonisht e qartë se tek njerëzit e mëdhenj, gjen thjeshtësi, në shumë forma, dy nga të cilat janë korrektesa dhe mirësjellja. Por, pse vallë?

Sepse, mendoj, të jesh i thjeshtë nuk do të thotë aspak të jesh inferior ndaj të tjerëve, as i nënshtruar apo i dorëzuar. Personat e thjeshtë nuk janë të pandjeshëm ndaj fyerjes ose nënçmimit, por ata, me thjeshtësi, i njohin limitet e tyre, i pranojnë, bashkëjetojnë me to. Por, në të njëjtën kohë, kanë zotësi që të shpalosin cilësitë e tyre përmes veprimeve dhe jo fjalëve.

Një njeri mendjemadh është arrogant, që mbart ndjenja të ngatërruara mbi atë që është, nuk ka paqe me veten, e kështu nuk mund të ndërtojë asnjë raport paqeje me të tjerët.

Të jetë e qartë, të jemi të thjeshtë, nuk do të thotë se lejojmë të goditemi, por pranojmë se ka të ndryshëm nga ne, pranojmë se kemi inteligjencën për të përdorur maturinë. Prepotenca është stërkëmbëshi, është pengesë drejt evolucionit.

Ja pse njerëzit e mëdhenj, janë më të thjeshtë. Është njohja e vetvetes, bindja në zotësitë e tua reale, është mençuria që të jep puna dhe përpjekja që të është dashur në jetë, për të arritur aty ku je. Mos prisni thjeshtësi fisnike nga një dembel, apo nga një “ngjitëszvarritës social” nga ata që servilosen, apo shkelin mbi çdo parim për të arritur aty ku janë. Mos prisni thjeshtësi nga ata që nuk kanë vuajtur thellësisht, të paktën, njëherë në jetë. Mos prisni thjeshtësi nga një njeri që është pasuruar brenda ditës, si me magji. E as nga dikush që konjukturat e politikës e kanë bërë drejtues, brenda natës.

Duhen admiruar gjërat e thjeshta dhe duhet besuar tek thjeshtësia, duhet nxjerrë në pah mirësjellja dhe sjellja e mirë, dinjiteti duhet quajtur virtyt. Por është thjeshtësia që na bën të drejtë e të mëdhenj, na ndihmon të kuptojmë cilat janë limitet tona e na ndërgjegjëson se kemi ende shumë për të mësuar. Ndryshe, si një kalli bosh me kokë përpjetë, do të tregonim vetëm se e kemi mbyllur qarkun e rritjes, jemi në fund të rrugës, pa qenë ende në mes të saj.

Kur kupton dhe beson se vetëm një njeri i thjeshtë mund të jetë lider dhe se nuk je lider, po nuk qe i thjeshtë, atëherë ridimensionon vizualen që ke për botën. Ajo bëhet më e vogël, të mirëpret më mirë e ti bëhesh pjesë e saj, me punën tënde.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: