Tiranë, me mbështetjen e qeverisë gjermane fillon rehabilitimi i Konvikteve të UT-së

Tiranë, me mbështetjen e qeverisë gjermane fillon rehabilitimi i Konvikteve të UT-së
Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz përuruan sot fillimin e punimeve për rindërtimin, sipas parimit të efiçiencës energjitike të godinave të Qytetit Studenti nr. 2.

Rehabilitimi i konvikteve synon përmirësimin e kushteve të jetesës për rreth 600 studentë, nëpërmjet rinovimit të ndërtesave me një sistem më të mirë ngrohjeje dhe insulimi, si dhe rinovimit të strukturës së brendshme të ndërtesave për të rritur cilësinë e jetesës si dhe mundësite e ngrohjes për studentët.

Erion Veliaj, kreu i bashkisë Tiranë falenderoi qeverinë gjermane për kontributin e dhënë dhe theksoi se ky investim do të ofrojë për të gjithë studentët, kryesisht ata të inxhinierisë, por edhe të fakulteteve të tjera që jetojnë në këto konvikte, kushte më të mira e me standarde.

Ai u shpreh se përmes këtij projekti bëhet e mundur përdorimi më efiçent i energjisë elektrike, duke ulur ndjeshëm kostot që duhet të paguajë Bashkia për ngrohje.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damin Gjiknuri në fjalën e tij  vlerësoi se ky është një investim që ofron jo vetëm mundësi dhe kushte më të mira për studentët, por edhe që bën të mundur që brenda një kohe shumë të shkurtër, me anë të kursimit të energjisë, të shlyejë veten e vet.

Ambasadorja gjermane, Susanne Schütz vuri në dukje  se Qeveria Federale ka vënë në dispozicion 15,5 milionë euro për të gjithë projektin; nga të cilët 9 milionë euro do të përdoren për rikonstrukionin energjitik të katër konvikteve, duke përmirësuar ndjeshëm izolimin termik dhe duke rinovuar impiantet e ngrohjes.

Projekti të ruajë strukturën  ekzistuese dhe  të riorganizojë ndarjen në dhoma.

Në çdo kat është parashikuar të shtohet një kuzhinë, një hapësirë ngrënie dhe llozhë e përbashkët. Për herë të parë, do të instalohet një ashensor, si dhe do të vendosen dy shkallë të jashtme duke siguruar dalje emergjente në raste rreziku.

/e.g/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: