Tiranë, nis rikonstruksioni i konvikteve në Qytetin Studenti Nr.2

Tiranë, nis rikonstruksioni i konvikteve në Qytetin Studenti Nr.2
Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz përuruan sot fillimin e punimeve për rindërtimin, sipas parimit të efiçiencës energjetike të godinave të Qytetit Studenti nr. 2, në kuadër të projektit për rehabilitimin e konvikteve ku Bashkia e Tiranës është përfituese direkte.

Projekti synon përmirësimin e kushteve të jetesës për rreth 600 studentë, nëpërmjet rinovimit të ndërtesave me një sistem më të mirë ngrohjeje dhe insulimi, si dhe rinovimit të strukturës së brendshme të ndërtesave për të rritur cilësinë e jetesës si dhe mundësitë e ngrohjes për studentët. Kështu, studentët e shkollës së inxhinierisë dhe fakulteteve të tjera që jetojnë në Qytetin Studenti Nr.2, pranë “21 Dhjetorit”, do të kenë shumë shpejt mjedise tërësisht të rikonstruktura dhe me standarde që garantojnë ngrohje me efiçencë energjetike.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj falenderoi qeverinë gjermane për kontributin e dhënë dhe theksoi se ky investim do të ofrojë për të gjithë studentët, kryesisht ata të inxhinierisë, por edhe të fakulteteve të tjera që jetojnë në këto konvikte, kushte më të mira e me standarde. “Bashkojmë energjitë që të kemi kushte më të mira në konvikte për 600 studentë të Tiranës. Është fatkeqësi të mendosh se kemi sot disa burgje që janë të standardeve evropiane, ndërkohë që kemi disa hapësira në qytetin e studentëve ku, në fakt, konviktet i ngjajnë më shumë burgjeve të vjetra. Më vjen mirë që për 600 prindër, që i kanë çuar fëmijët e tyre të shkollohen në Tiranë, duke e parë Tiranën si vendin e mundësive, edhe konvikti që është në fakt shtëpia e tyre e dytë, të jetë sot në kushte të mira”, tha Veliaj. /e.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: