Vrasja në Vlorë, kapet një nga autorët e dyshuar; dy në kërkim

Vrasja në Vlorë, kapet një nga autorët e dyshuar; dy në kërkim
Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen djeshme në një lokal në lagjen “Ujë i Ftohtë” Vlorë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri pas një konflikti të çastit humbi jetën një person dhe mbetën të plagosur tre të tjerë.

Pas një pune intensive, forcat e rendit kanë bërë të mundur arrestimin e njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes si dhe ka shpallur në kërkim dy shtetas të tjerë.

Sipas policisë, rreth orës 23:20, pas një konflikti të çastit, në ambientet e lokalit “Fiks Fare” në lagjen “Ujë i ftohtë”, është qëlluar me armë zjarri tip Pistoletë dhe ka humbur jetën shtetasi Ergys Gjioveshaj, 33 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu, kanë mbetur të plagosur edhe 3 shtetas të tjerë:

1- F.H., 28 vjeç, ndodhet në Spitalin e Vlorës (punonte si muzikant).

2- A.L., 26 vjeçe, ndodhet në Spitalin e Vlorës (kliente në lokal).

3- A.Ll., 33 vjeç, ndodhet në Spitalin e Tiranës (punonte si kamarier në lokal).

Të tre, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Vlorës ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në një banesë në lagjen “Ujë i Ftohtë” pranë vendit të quajtur “7 pallatet” në orët e para të mëngjesit të sotëm (06:00) e shtetasit:

– Gani Tozaj, 19 vjeç, banues në fshatin Sevaster, Vlorë.

Gjithashtu Policia ka shpallur në kërkim shtetasit:

1- A.K., 37 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.

2- E.S., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzim Krimi”.

Dyshohet se konflikti ka nisur ndërmjet viktimës dhe autorëve për motive të dobëta.

Në vendngjarje, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

– 1 armë zjarri Pistoletë të llojit “Revolver-Magnum”,

– 15 gëzhoja fishekësh.

Vazhdojnë hetimet me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve të shpallur në kërkim.

Po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. /e.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: