YPI, DENBABADEN

YPI, DENBABADEN
Nga EDISON YPI

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Qysh fëmijë e dija se, mbiemri Ypi ishte i lavdishëm dhe problematik. Adnan Ypi, kolonel i NATO-s që stërviste diversanta në Gjermani, Tomorr Ypi arratisur nga Mali i Thatë, të tjerë Ypi nëpër internime dhe burgje, na sillnin telashe të pafundme.

Kur isha nja 10 ose 12 vjeç, një mbrëmje, daja që kishte ardhur për vizitë, i tha babait;

- Po të merr më qafë mbiemri Ypi. Ruaje veten, familjen. Na ruaj dhe ne të tjerët. Ndërroje mbiemrin.

- Si ta bëj? - e pyeti babai me qesëndi.

- Bëje "Shkëmbi".

Fisniku, aristokrati, eruditi, patrioti, folësi i katër gjuhëve të huaja, babai anglofil, që katër fëmijëve nuk ua vuri emrat Hasan e Hysen, Merjem e Myzejen, por Dezdemona, Elizabeta, Edison, Eduard, iu përgjigj dajës me kërcënim:

- Kurrë nuk do ta ndërroj mbiemrin!

Ypi elegant me një rrokje dhe tre gërma, Ypi muzikor me dy zanore të pafundme dhe një bashkëtingëllore të butë në mes, Ypi misterioz me irracionalen "Pi" brenda; këtë Ypi ta bëje Shkëmb, nuk dukej keq. Mbase daja kishte të drejtë. Me ndërrimin e mbiemrit, ndoshta rreziqet do pakësoheshin, vuajtjet do rralloheshin, do merrnim frymë lirisht, nuk do tmerroheshim ditët e kongreseve, nuk do trembeshim ditën e parakalimeve, nuk do na ngrinte gjaku ditën e votimeve. Në fund të fundit, Edison Shkëmbi nuk tingëllonte keq. Por refuzimi i babait ishte i arsyeshëm. Babai e kishte të qartë se, pikërisht, pse ishte delikat, muzikor, artistik, Ypi ishte më i fuqishëm se Shkëmbi.

Episodi me dajën që i sugjeroi babait ta bënte Ypin Shkëmb, më mbeti në kujtesë si një varkë në mes të oqeanit që ulet e ngrihet, duket e zhduket, por nuk mbytet.

E dija që në Durrës, jetonte Esat Ypi. E dija, gjithashtu, se Esat Ypi nuk ishte kolonjar, pra, nuk e kishim kushëri. Në botë Ypi kishte vetëm në Kolonjë, në Starje. Si ishte e mundur që Esati, pa qenë kushëriri ynë, ta kishte mbiemrin Ypi?! Kjo pyetje mbeti pa përgjigje. Misterioziteti kërcënues i Ypit të rrethuar me internime dhjetëra vjeçare, pushkatime, varje në litar, aq sa na pengonte ne ta pyesnim Esat Ypin, pamundësonte dhe Esat Ypin të na shpjegonte ne, pse mbante atë mbiemër.

Mirë ne që rrota e proletariatit, nuk na lejonte ta luanim bishtin nën mbiemrin llaftarisës, po Esat Ypi, pse nuk e ndërronte mbiemrin kërcënues, por i kishte thënë belasë byrum dhe vazhdonte të vuante nën rrotën?

Misterin frymëndalës, para ca ditësh, ma zbardhi vetë Esat Ypi.

Më 20 janar 1920, duke dalë nga zyra, rrëfen Esat Ypi, vranë pabesisht ideatorin e Kongresit të Lushnjës, avokatin Abdyl Ypi. Në varrimin madhështor e mori fjalën babai i Esat Ypit, Asllani. Asllani i mahniti të pranishmit kur në fund të ligjëratës së tij tha:

- Abdyl Ypin e kisha mik për shpirt, e kisha vëlla. Ashtu si Abdyl Ypi, edhe unë për armë kam lapsin dhe librin, për ideologji patriotizmin, për Atdhe Shqipërinë, për mbrojtës të madhin Zot. I them dorës kriminale, që goditi Abdyl Ypin, juve që jeni këtu, përmes jush edhe gjithë të tjerëve, se prej këtij çasti, unë nuk quhem më Asllan Demiri, por Asllan Ypi.

Gjatë viteve të diktaturës, Asllan Ypi i refuzoi këshillat e vazhdueshme të miqve për ta ndërruar mbiemrin, krejt ashtu si, pas shumë vitesh, babai im refuzoi këshillën e dajës për ta ndërruar Ypin me Shkëmbin.

Vizionari patriot Asllan, për tu vëllazëruar me idhullin e tij të vdekur, patriotin dhe intelektualin, Abdyl Ypi, nuk bëri siç bëjnë, në këto raste, që presin gishtat dhe pinë gjakun e njëri-tjetrit. Bëri diçka më madhështore se gjakpirja. Diçka unikale në historinë e botës dhe njerëzimit. I mori Abdyl Ypit mbiemrin. Asllan Ypi vuajti, por mbiemrin e rrezikshëm dhe të bukur nuk e ndërroi kurrë, për asnjë arsye, për asnjë çmim! Mes shumë peripecish, në vitin e tretë të shkollës së lartë, Esat Ypit i thanë se si i biri i një tregtari, pra, si i biri i një armiku të proletarëve, nuk duhej të studionte, por të shkonte të punonte punëtor krahu. Esat Ypi u kthye në Durrës. Asllan Ypi mblodhi 56 deklarata për të dëshmuar se nuk kishte qenë tregtar, por mësues. Ngjarja tronditëse sa e tmerroi edhe e qartësoi Esat Ypin. Por sa më tepër vuante, aq më i dashur i bëhej mbiemri i adoptuar prej babait Asllan. Esat Ypi mbeti, për gjithë jetën, i biri i babait, njeri i nderuar, i respektuar, me vendosmëri të palëkundur! Peripecitë sfilitëse, paradoksale, të Esat Ypit, dashuruar pas mbiemrit të lavdishëm po aq sa dhe babai i tij, vazhduan edhe pas shembjes së diktaturës. Esat Ypi tregon se si një soc-historian i mahnitur pas disertacionit të tij, donte të shkruante për Esatin një libër. Historiani e kishte pyetur nëse kishte qenë komunist, çfarë dekoratash kishte marrë etj. Kur kishte mësuar se Esat Ypi nuk kishte qenë kurrë komunist, nuk ishte bërë kurrë spiun, nuk kishte marrë, kurrë, asnjë dekoratë, por kishte mbijetuar me djersën e ballit dhe vullnetin e pamposhtur të patriotit dhe intelektualit, historiani hoqi dorë nga libri.

Mbiemrin Ypi nuk e ndërroi Asllani që e kishte të huazuar, edhe po ta varje. Nuk e ndërroi babai im që e kishte të vetin, edhe po ta vrisje. Nuk e ndërroi Esati që e trashëgoi nga Asllani, edhe po ta pushkatoje. Nuk do ta ndërrojë kurrë, askush, për asnjë arsye. Ypi vuajti. Ypi u rropat. Ypi u përpëlit. Por Ypi nuk vdiq. Ypi kurrë nuk do vdesë. Ypi nuk është mbiemër. Ypi është Frymë. Për inat të hyzmeqarëve, qëllimi i vetëm i të cilëve është të bëhen bejlerë, Ypi që Bej ka qenë, Bej është, Bej do jetë, do trashëgohet dhe huazohet pafund, nga brezi në brez, denbabaden!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: