18 QERSHORI SI VIJË DEMARKACIONI - Nga PLATOR NESTURI

18 QERSHORI SI VIJË DEMARKACIONI - Nga PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Temperatura politike vijon të rritet dhe 18 qershori po shihet si vijë demarkacioni. Për maxhorancën ajo mbetet si datë zgjedhjesh në të cilën do të votohet qoftë edhe pa opozitën, ndërsa minoranca e trajton si fillimin e një mosbindje civile apo "revolucioni" nëse nuk arrihet konsensusi.

Situata është vërtet e rënduar ndërsa pritet dhe protesta e 13 majit në Tiranë që në mos pastë skenarë agresiviteti të paktën do të tregojë muskujt e të djathtëve që janë ngujuar prej mëse 70 ditëve në çadër.

Sidoqoftë, megjithë retorikën e ashpër të deklaratave nga të dyja palët, duket se ende po tentohet për një shtrat për marrëveshje. Tashmë jo të minutës së fundit, pasi ajo tashmë ka përfunduar, por në kohën shtesë.

Shanset duken të pakta por jo do të sillte një pauzë normaliteti e qetësie si për shoqërinë  dhe për ekonominë që kanë shtuar prognozat e errëta. Në këto kushte  një marrëveshje maxhorancë opozitë për tejkalimin e krizës do të sillte doemos shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare pasi do të duhej koha e nevojshme për ndryshimet në kodin zgjedhor.

Në kushtet kur marrëveshja ka dështuar maxhoranca ka vendosur të hyjë në zgjedhjet e 18 qershorit edhe pa pjesëmarrjen e opozitës.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar 15 parti politike të cilat kryesisht janë parti të majta ose kanë qenë pjesë e koalicionit të Ramës në vitin 2013. Vetëm dy parti të regjistruara kanë profil opozitar.

Libra e Blushit, kundërshtar i Ramës deri sa u shkëput gjashtë muaj më pare, dhe e Bojaxhiut, i cili u shkëput nga PD para tre vitesh.

Partia Demokratike e Bashës dhe partitë e tjera të spektrit të djathtë kanë bojkotuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Qëndrimi i tyre i përbashkët është se "nuk do të marrin pjesë në zgjidhje parlamentare fasadë" dhe se do të përshkallëzojnë veprimet e tyre deri në mos bindje civile.

Në datën 7 maj zgjedhjet vendore në Kavajë pas heqjes së mandatit të kryetarit bashkiak socialist nga ligji i  dekriminalizimit, nuk u zhvilluan. Midis zgjedhjeve dhe protestës u zgjodh të mos bëhet asnjëra. Ish vetë kryeministri i cili tërhoqi kandidatin socialist nga gara pas informacioneve se protesta e opozitës që do të zhvillohej në atë ditë do të kish skenar destabilizues.

Ndërkohë, disa nga drejtuesit e vjetër të PD, si ish kryetarja e Parlamentit Topalli apo ish ministrja Bregu, e kanë kritikuar Bashën për politikën e bojkotit duke argumentuar që në çdo rast PD nuk duhej t’i shmangej zgjedhjeve parlamentare. Sidoqë këto zëra mbeten në minorancë dhe gjasat duken për një përshkallëzim të protestës çka mund të sjellë konflikte.

Edi Ramës veshtirë se do ti vlejë për një kohë të gjatë një fitore pa pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. Kriza mbetet aty  dhe e gatshme të rritet e të marrë përmasa të paparashikueshme. Pavarësisht se në të gjitha sondazhet socialistët ishin fitimtarë në zgjedhje përballë demokratëve, kjo dëshmi e arrogancës për të mos bërë marrëveshje e lëshime ndaj opozitës mund të ketë pasoja në të ardhmen.

E shoqëruar kjo me krizën ekonomike, varfërinë në shtresat e ulëta dhe shkallën e lartë të papunësisë, por dhe me konkliktualitetin e treguar edhe me aleatin e deritanishëm LSI, mund të prodhojë në të ardhmen situate të pafavorshme dhe lëshime më të rënda të detyruara, qoftë në zgjedhje të parakohshme ashtu dhe me qeveri teknike.

Gjithçka do të varet edhe nga shkalla e konfliktualitetit politik që mund të krijohet. PD mund të ketë patur të drejtë në disa nga akuzat që ngre por opozitarizmi i saj ka qenë i vakët në 4 vite dhe pa strategji të qartë politike. Rritja e agresivitetit për të plotësuar kohën që ka humbur mund të sjellë kosto për vendin. E futur dhe në një kontekst rajonal ku tensionet nuk kanë munguar, shtimi i temperaturës konfliktuale në Tiranë  mund të sjellë pasoja të rrezikshme. Deri tani PD është shprehur për protesta paqësore e mosbindje civile, por në tregun politik po dëgjohet gjithmonë e më shpesh fjala destabilizim. Deri më tani këto shenja nuk janë të dukshme, por mbyllja e shtigjeve për marrëveshje nga maxhoranca e shoqëruar kjo dhe me protesta të dhunshme  nga ana e opozitës, mund të përgatisë shtratin për destabilizim me pasoja.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: