25 QERSHORI, NJË DITË MË PAS! - Nga ALFRED PEZA

25 QERSHORI, NJË DITË MË PAS! - Nga ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Marrëveshja Rama- Basha, pritet të sjellë efektet e para reale në spektrin politik shqiptar, në ditën e re të zgjedhjeve, që sapo u dekretua nga Presidenti Nishani. Produkti që do të prodhohet nga vota e shqiptarëve, me sigurik do të ndikojë jo vetëm në katër vitet e ardhshme të mandatit të qeverisë dhe opozitës së re, por edhe më tej, suke e ndarë "de facto" këtë epokë politike të vendit, në atë të para dhe pas kësaj marrëveshjeje.

Së pari, skena politike pritet të rikonfigurohet me aleanca të reja, lidership e protagonistë të rinj dhe me spostim të aktorëve dhe faktorëve të vjetër, të cilët kanë filluar të dalin që tani nga skena. Ndërsa pjesa tjetër që do të jetë sërish në sallën e Kuvendit, pritet të spostohet gjithnjë e më në periferi, duke mos patur më peshën dhe rëndësinë e derisotme, duke krijuar në këtë mënyrë, një ditë pas 25 qershorit, mundësinë e fillimit të një epoke të re për Shqipërinë dhe shqiptarët, e cila startoi me momentin kur Basha dhe jo Berisha, të ishte për herë të parë pas 27 vjetësh, violina e parë e të djathtës. E që do të marrë udhën pa kthim, vetëm pasi lideri historik i PD-së, të mos ketë më rol përcaktues në vendimmarrjet e ardhshme politike të Shqipërisë. Pak rëndësi ka nëse doktori do të jetë apo jo në sallën e Parlamentit të ri, për aq kohë sa e sigurt është që, në të, nuk do të mungojë më si këto 4 vitet e fundit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Së dyti, një nga efektet e para të mëdha që ka prodhuar marrëveshja mes krerëve të mazhorancës dhe opozitës, është mundësia që pas kësaj, skena politike shqiptare të bipolarizohet përsëri. Ku rishfaqet arkitektura e disa viteve më parë, me dy pole të fuqishme të gravitetit politik, PS-PD, - njëra në të majtë, tjetra në të djathtë të spektrit. Njëra në mazhorancë, tjetra në opozitë ku, pas zgjedhjeve, pesha, roli dhe përfaqësimi i partive të tjera të treta, të katërta e kështu me radhë, do të vijë duke u relativizuar, pasi mungesa e ballafaqimit të përbashkët elektoral të LSI-së dhe partive të tjera të majta në një koalicion me PS-në dhe futja e kryetarëve të partive të vogla të djathta në listat e kandidatëve për deputetë të PD-së, çon në bërjen e skenës gjithnjë e më bipolare. Kjo jo aq për meritë të PS-së dhe PD-së, sesa për shkak të formulës specifike të ligjit elektoral shqiptar, të cilën Rama dhe Basha në kushtet e krijuara nuk kishin pse të mos e shfrytëzonin.

Së treti, bipolaritetit politik i shërben edhe aktivizimi i hapur i një aleance deri dje "të fjetur" mes Metës dhe Berishës, të cilët janë kujdesur që takimi mes tyre, në kohën që po i jepej dora e fundit marrëveshjes Rama- Basha, jo vetëm të ekspozohej publikisht, por edhe të përcillte mesazhin e një aleance "të re" mes tyre. Duke e bërë bipolaritetin e skenës politike mes partive, bipolare edhe në aleancën mes aktorëve të saj kryesorë. Në këtë mënyrë, Berisha atë pushtet që u duk se iu dobësua nga negocimi direkt i kryeministrit në detyrë me aspirantin për kryeministër, e kompensoi duke ristartuar një linjë direkte raportesh me Presidentin e votuar. Një linjë që i vuri vulën nr. 2 i LSI-së Monika Kryemadhi, kur deklaroi se i kishte bërë bllok komunikimit me Ramën, e duke ngritur në piedestal vlerat e Berishës si një lider që i shkon deri në fund marrëveshjeve.

Së katërti, nëse PS-ja e ka shprehur hapur ambicien për t’i fituar 71 mandate parlamentare, për të qeverisur e vetme përgjatë mandatit të dytë, sfida më e madhe mbetet ajo e LSI-së. Një parti e cila gjatë 8 viteve të fundit, erdhi duke e shtuar rolin dhe ndikimin në elektorat dhe skenën politike shqiptare, duke luajtur rolin e "kingmaker"-it, qoftë në mandatin e dytë të qeverisjes së Berishës, por edhe në të parin e qeverisjes së Ramës. Javët e fundit, shumë prej deputetëve dhe drejtuesve kryesorë të kësaj force, kanë shpallur ambicien për t’u bërë parti e parë. Veç presidencës, ata artikuluan tezën e guximshme se kishte ardhur koha edhe për qeverisur Shqipërinë. Emri i kreut të ri të kësaj partie, Petrit Vasili, filloi të lakohej gjithnjë e më shpesh për postin e kryeministrit të ardhshëm të vendit. Mbetet për tu parë, një ditë pas zgjedhjeve, sesa afër ëndrrës do të jetë kjo forcë që për këtë ka guxuar ta sfidojë sistemin, duke futur në listat e kandidatëve për deputetë, të rinj e të reja pa përvojë dhe pa njohjen e duhur publike për një garë të tillë elektorale.

Së pesti, e hëna e 26 qershorit do na bëjë të kuptojmë nëse do rikthehen sërish në sallën e Kuvendit, apo do t’i mungojnë këtë radhë skenës politike, zëra të tillë si Ben Blushi, Mimoza Hafizi, Eduart Ndocaj, Gazmend Oketa, Kreshnik Spahiu, Gjergj Bojaxhiu, etj., të cilët garojnë më vete, nën siglat e partive të tyre të reja. Deri pak para marrëveshjes, atëherë kur u duk se, për herë të parë në 27 vitet e fundit, po shkonim në zgjedhje pa opozitën, shanset e tyre ishin më të mëdha se kurrë, për të qëndruar në lojë. Pasi në një palë zgjedhje ku gjysma e skenës do të ishte bosh, kishte pafundësisht mundësi dhe hapësira, për aktorët e rinj që kërkonin të ngjiteshin në të. Marrëveshja e re ia ka vështirësuar së tepërmi shanset, për këdo jashtë partive të mëdha, për një vend në Parlamentin e ri.

Së fundi, në start për një rol të ri në këtë rikonfigurim që pritet të ketë skena politike shqiptare pas 25 qershorit, janë edhe "milienialët". Të gjitha ata të rinj që ia kanë dalë të futen në zonat e sigurta të listave të partive kryesore, si kandidatë për deputetë dhe që me shumë gjasë e kanë siguruar që tani emërimin për të qenë në sallën e Kuvendit të ri në shtator. "Milienialët" janë të gjithë ata që u lindën dhe u rritën në kapërcyell të ndërrimit të mijëvjeçarit dhe që tani, pas 17 vjetësh nga mileniumi i ri, u rritën dhe u shkolluan, duke u bërë edhe pikat e reja të orientimit në jetët e partive, aq sa të marrin, tashmë, një mandat përfaqësimi të qytetarëve si deputetë. Nga këtu pritet që të lindi grupimi i protagonistëve të ardhshëm të skenës sonë politike, menaxherët e ardhshëm të qeverisjes së vendit dhe pse jo, lidershipi i ardhshëm i partive tona kryesore politike.

Marrëveshja Rama-Basha pritet t’i shtrijë efektet e veta edhe pas zgjedhjeve. Pasi dy liderët politikë janë angazhuar për të vijuar bashkëpunimin në Parlamentin e ri për një sërë reformash të reja, duke mos prekur Kodin Elektoral aktual, që do të thotë, se edhe në të ardhmen, bipolariteti politik do të jetë i garantuar, për aq kohë sa formula e ligjit dekurajon krijimin e poleve të reja politike dhe të pushtetit. Se çfarë do të sjellë si cilësi demokratike për jetën e vendit, kjo arkitekturë e re që po rimerr sistemi, kjo duhet parë. Një gjë është e sigurt që tani, se Shqipëria politike e pas 25 qershorit, do të jetë e ndryshme nga ajo e derisotme, jo vetëm në sallën e Parlamentit, por edhe jashtë saj.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: