5 MAJI, JO VETËM PËR DËSHMORËT E LUFTËS SË II-TË BOTËRORE - NGA ROLAND QAFOKU

5 MAJI, JO VETËM PËR DËSHMORËT E LUFTËS SË II-TË BOTËRORE - NGA ROLAND QAFOKU
Rubrika ekskluzivisht në “Albanian Free Press”, Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga ROLAND QAFOKU

Edhe pse kanë kaluar 27 vjet nga rrëzimi i regjimit komunist, 5 maji është nga të rralla ditë të shënuara në Shqipëri që përkujtohet akoma gati me të njëjtën vlerësim si gjatë asaj kohe. Ishte turp për ne fëmijët e brezit tonë të mos e dije që më 5 maj të vitit 1942, afër një spitali në Tiranë, ishte vrarë Qemal Stafa dhe për nder të tij kujtoheshin të gjithë dëshmorët e luftës që zyrtarisht njiheshin se ishin 28 mijë. Sot ne shqiptarët dimë që caktimi i kësaj date si dita e dëshmorëve është nga të rrallët punë që ai sistem nuk e bëri gabim. Por vetëm kaq ama, Sepse na gënjyen si derri se numri i dëshmorëve në fakt ishte 6 mijë dhe jo 28 mijë. Dhe më e rëndësishme se kaq, fjala dëshmor nuk mund të simbolizojë doemos ata që dhanë jetën vetëm gjatë atyre 5 viteve pushtim nga Italia fashiste dhe Gjermania naziste duke përzierë dhe ngatërruar luftën për çlirim me lëvizjen komuniste. Edhe sot tregohet akoma thënia lapidare e Hysni Kapos se u ngjitën në mal si atdhetarë dhe zbritën nga mali si komunistë. Por heroizmi i atyre djemve dhe vajzave që u vranë në luftë ishte tjetër gjë dhe komunizmi një gjë tjetër. Sot kuptohet qartë përse regjimi i Enver Hoxhës e bashkoi dhe përzjeu nacionalizmin dhe atdhedashurinë me komunizmin bolshevik. Por ta bashkosh edhe sot pas 27 vjetësh këtë është një prirje gati kriminale. Pak e besojnë sot se dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore e dhanë jetën për idealin komunist por të shumtë ama janë ata që mendojnë se ata e dhanë jetën për të çliruar Shqipërinë. Idealizmi i Qemal Stafës, Margarita dhe Kristaq Tutulanit, Bule Naipit dhe Persefoni Kokëdhimës, Vasil Laçit e shumë e shumë të rinjve jo më shumë se 20 vjeç edhe sot të habit dhe të lë pa fjalë. Të lë pa fjalë gjithashtu edhe fakti që qindra të rinj shqiptarë lanë studimet në universitetet e Evropës dhe u kthyen në atdhe për të luftuar pushtuesit dhe u vranë në këtë luftë.

Megjithatë, Shqipëria nuk ka heronj dhe dëshmorë vetëm ata që dhanë jetën nga 7 prilli 1939 deri në 29 nëntor 1944. Radha e atyre që dhanë jetën për këtë shtet është e gjatë dhe me shembuj që përsëri të lënë pa fjalë. Madje mes tyre ka edhe të huaj që Shqipërinë e bënë atdheun e tyre të adoptuar. Është detyrë e shtetit dhe e shoqërisë sonë që në çdo 5 maj duhet ti kujtojmë njësoj si dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore.

A nuk ishte dëshmor edhe hero Hasan Riza Pasha që në një ditë janari të vitit 1913 u vra për të mbrojtur Shkodrën?

A nuk ishte dëshmor dhe hero koloneli holandez Lodwijk Thomson që në 1914 u vra duke mbrojtur qeverinë shqiptare nga rebelët e “Dum babës”?

A nuk ishte dëshmor dhe hero Çerçiz Topolli dhe gazetari Mustafa Qulli të vrarë nga malazezët në 1915?

A nuk ishte dëshmor dhe hero prefekti i Durrësit Abdyl Ypi që u vra në 1920 nga kundërshtarët teksa organizonte Kongresin e Lushnjes?

A nuk ishte dëshmor dhe hero kapiten Meleq Frashëri i vrarë në Tiranë në 1922 në krye të detyrës për të mbrojtur institucionet e shtetit nga sulmi i 3 mijë malësorëve ndërsa qeveria ishte përzënë me armë në Elbasan?

A nuk ishte hero për Shqipërinë gjenerali italian Enrico Telini në gusht 1923 i cili u vra në detyrën e kryetarit të komisionit të Kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë?

A nuk ishte hero Azem Galica që u vra në luftë nga serbët në vitin 1924?

A nuk ishte hero e dëshmor Llesh Topollaj që dha jetën për të mbrojtur mbretin Ahmet Zogu në Vjenë gjatë atij atentati në 1931?

A nuk ishte hero gjeneral Leon Gilhardi u vra nga forcat kundërqeveritare të një grushti shteti në Fier në 1935?

Përgjatë regjimit komunist ne ende nuk i kemi dhënë përgjigje pyetjes se cilët ishin heronjtë, kufitarët që mbronin kufirin apo diversantët që synonin rrëzimin e sistemit komunist?

Simbolikisht, ne ende nuk e dimë nëse është hero, Pal Mëlyshi që mbronte atdheun apo Tahir Prençi që u vra teksa përpiqej t’i rrëzonte regjimin komunist këtij atdheu.

Por heronj janë edhe ata që dhanë  jetën pas rrëzimit të sistemit komunist e që për hir të vërtetës në listë futen vetëm policë që kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Përpos Azem Hajdarit duhet doemos të vlerësohen si të tillë edhe Josif Budo, Artan Lenja e Spartak Deliu që u vranë gjatë protestave në vitin 1991 e deri te Artin Basha që mbeti i vrarë në murin e ambasadës gjermane edhe më herët më 2 korrik 1990. Dhe si ai janë edhe shumë e shumë të tjerë, madje disave nuk u përmendet as emri.

E gjithë kjo që në çdo 5 maj ne të mos nderojmë vetëm dëshmorët dhe heronjë e Luftës së Dytë Botërore por të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e shtetit shqiptar. Sot vazhdojmë të kemi një datë për t’i nderuar dhe varrezat e dëshmorëve që ende mbajnë perceptimin se janë ata që u vranë vetëm gjatë atyre 5 viteve. Ne vazhdojmë të mos kemi panteonin e kombit një projekt që e ideoi i pari Eqrem bej Vlora që në vitin 1950 por që edhe pas 67 vjetësh është ende në letër. Sepse shteti gjithmonë ka qenë dhe është i zënë me punë të tjera. Por vetëm kështu do t’i nderojmë të gjithë dhe vetëm kështu 5 maji nuk do jetë vetëm i Qemal Stafës. Nderim dhe përulje për të gjithë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: