A PO GABOJNË SONDAZHET POLITIKE? - Nga EDUARD ZALOSHNJA

A PO GABOJNË SONDAZHET POLITIKE? - Nga EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Edi Rama publikoi para disa ditësh, në një konferencë për shtyp, të dhëna që sipas tij vijnë nga sondazhet që PS-ja zhvillon aktualisht. Ai bëri thirrje që edhe mediat të bëjnë vetë sondazhe profesionalë, dhe mandej le të shohin sesi qëndron puna me opinionet e qytetarëve. Sipas Ramës, 70% e shqiptarëve mendojnë se protesta e PD-së dhe Çadra janë një lojë për të mos lejuar zbatimin e reformës në drejtësi, ndërsa 68% e votuesve nuk e duan shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Por sidoqoftë, Rama tregoi një farë skepticizmi ndaj sondazheve, në përgjithësi, kur u shpreh para zgjedhjeve presidenciale franceze që “le të shpresojmë se kësaj radhe sondazhet nuk do të jenë gabim”.

Reth sondazheve politike, para dy muajsh, kur paraqita një sondazh në një emision televiziv, pjesëtarë të panelit të emisionit u treguan gjithashtu skeptikë. Ata përmendën “dështimet” e sondazheve para zgjedhjeve në Hollandë e SHBA, si dhe para referendumit për daljen e Britanisë së Madhe nga BE (njohur gjerësisht me nofkën Brexit).

Në fakt, në këtë rastin e fundit, sondazhet vërtet dështuan – parashikonin mesatarisht 52% të votave për “Po”-në, ndërkohë që ishte “Jo”-ja ajo që mori 52%. Por ndonjëherë, rrallë, edhe sondazhet më seriozë dështojnë. Ndërsa për dy rastet e tjera, llogaria nuk është aq e thjeshtë. Më poshtë vazhdon një analizë e sondazheve në SHBA e Holandë dhe e sondazheve në Shqipëri.

Sondazhet në SHBA

Në çastin kur Donald Trump-i u shpall fitues nga mediat amerikane (kur siguroi mbi 270 delegatë në Kolegjin Elektoral), ishin numëruar vetëm 93% e votave në rang kombëtar. Dhe deri në atë pikë të numërimit të votave, ai kishte epërsi si në votat në rang kombëtar, ashtu edhe në votat e Kolegjit Elektoral. Kjo gjë e bëri gazetën Los Angeles Times (me prirje të majtë) që të deklaronte se sondazhi i saj paraelektoral, përkundër përqeshjeve disamujore nga analistë të ndryshëm, kishte qenë i saktë.

Po përse ishte përqeshur gazeta kaliforniane?

Portali amerikan RealClearPolitics raportonte para zgjedhjeve të SHBA-së sondazhet kombëtare rreth garës Clinton-Trump, si dhe llogariste vazhdimisht mesataren e tyre. Mesatarja e  sondazheve të fundit para zgjedhjeve tregonte një epërsi të Clinton-it me 3.2 pikë përqindje në rang kombëtar, ndërsa ai i gazetës Los Angeles Time tregonte një epërsi të Trump-it me 3 pikë përqindje në rang kombëtar (mediat e tjera – ku përfshiheshin media me prirje të djathta, të majta e të qendrës – si Bloomberg, IBD, Economist, ABC, Washington Post, FOX News, Monmouth, NBC News, Wall Street Journal dhe CBS News – parashikonin një epërsi të Clintonit në rang kombëtar që luhatej në intervalin nga 1 deri në 6 pikë).

Me vazhdimin e numërimit të votave të deri në fund, rezultoi se, në rang kombëtar, Clinton-i mori pothuaj 3 milionë vota më shumë se sa Trumpi (2.1% epërsi). Ndërkohë, ky i fundit mori papritmas fare pak vota më tepër në Pensilvani dhe Uinskonsin, dy shtete që vulosën fituesin e Kolegjit Elektoral.

Me pak fjalë, në rang kombëtar, shumica e sondazheve të mediave kryesore ishin fare afër rezultatit përfundimtar (po të kihet parasysh se ato kishin një marzh gabimi statistikor rreth +/-3 pikë përqindje). Ndërkohë, sondazhet lokale, vetëm në fare pak shtete të veçanta, nuk iu afruan rezultateve përfundimtare në to.

Kështu, një ditë para zgjedhjeve mesatarja e sondazheve lokale në Uinskonsin tregonte një epërsi të Clinton-it me 6.5 pikë, por atje fitoi Trump-i me 1 pikë. Në Pensilvani, mesatarja e sondazheve lokale tregonte një epërsi të Clinton-it me 2 pikë, por atje fitoi Trump-i me 1.2 pikë. Në Miçigan, mesatarja e sondazheve lokale tregonte një epërsi të Clinton-it me 3.5 pikë, por atje fitoi Trump-i me 0.3 pikë. Në Nevada, mesatarja e sondazheve lokale tregonte një epërsi të Trump-it me 1 pikë, por atje fitoi Clinton-i me 2.5 pikë.

Ndërsa në shtetet e tjera të diskutueshme, rezultatet e sondazheve lokale ishin fare afër rezultateve përfundimtare. Kështu, në Florida mesatrja e sondazheve lokale tregonte një epërsi të Trump-it me 0.3 pikë, dhe në fakt, ai fitoi atje me 1.3 pikë. Në Karolinën e Veriut mesatarja e sondazheve lokale tregonte një epërsi të Trump-it me 1 pikë, dhe në fakt, ai fitoi atje me 3.7 pikë. Në Nju Hempshir, mesatarja e sondazheve lokale tregonte një epërsi të Clinton-it me 0.6 pikë, dhe në fakt, ajo fitoi atje me 0.3 pikë.

Në përfundim, mund të thuhet se shumica dërrmuese e sondazheve në rang kombëtar dhe shumica dërrmuese e sondazheve lokale iu afruan rezultateve përfundimtare në SHBA. Por gabuan ato që nuk parashikuan dot fitoren e Trump-it në ato fare pak shtete që vulosën fituesin e Kolegjit Elektoral…

Sondazhet në Holandë

Një ditë para zgjedhjeve në Hollandë (në 14 mars) u publikuan katër sondazhe kombëtare: TNS NIPO, Peil, I&O Research, dhe Ipsos. Ato parashikonin për partinë e kryeministrit Rutte një rezultat në intervalin 27-29 mandate parlamentare, ndërkohë që partia e tij mori 33 mandate, duke i siguruar të drejtën për krijimin e qeverisë si parti e parë.

Rezultati ishte jashtë marzhit të gabimit statistikor të sondazheve, por duhet mbajtur parasysh se anketimi për to kishte filluar 4-5 ditë para publikimit të tyre. Dhe 4-5 ditët para zgjedhjeve në Hollandë ishin të mbushura me zhvillime të vrullshme për kryeministrin Rutte, i cili pati një përplasje të fortë me Erdoganin, pasi nuk lejoi dy ministra turq që të bënin fushatë në Hollandë për referendumin turk. Në qoftë se anketimi do të ishte kryer i tëri një ditë para zgjedhjeve (dhe jo i shtrirë në 4-5 ditë para zgjedhjeve) sondazhet mund të kishin qenë më të sakta. Siç treguan anketimet pas zgjedhjeve, votuesit e lëkundur dhe votuesit e disa partive fare të vogla kishin vendosur vetëm në ditën e fundit për të votuar për partinë e kryeministrit Rutte, kryesisht të ndikuar nga qëndrimi i tij i fortë ndaj Erdoganit.

Sondazhet në Shqipëri

Sondazhet e fundit që janë publikuar para zgjedhjeve të zhvilluara në Shqipëri kanë qenë sondazhi Piepoli dhe sondazhi IPS Marketing. Kjo ka ndodhur një javë para zgjedhjeve lokale të 2015-ës. Ato sondazhe parashikuan një fitore të Erion Veliajt me 53%-54% dhe, në fakt, Veliaj fitoi 53.6% të votave.

Një sondazh që publikova unë në një televizion kombëtar, tre muaj para zgjedhjeve lokale të 2015-ës (kur ende nuk ishin përcaktuar kandidatët), tregonte se kandidatët për kryebashkiakë të mazhorancës do të merrnin 800 mijë vota dhe ata të opozitës 650 mijë vota, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin në mars. Tre muaj më vonë, pasi ishin caktuar kandidatët dhe ishte bërë fushatë, rezultati doli 830 mijë me 670 mijë.

Një javë para zgjedhjeve të 2013-ës, Piepoli dhe IPS Marketing  parashikuan një fitore të koalicionit të majtë 52%-54%. Ndërsa unë, një muaj para zgjedhjeve, publikova një sondazh që parashikonte fitore të këtij koalicioni me 53.5%. Në zgjedhje, ky koalicion mori 57.6% të votave në rang kombëtar.

Një muaj para zgjedhjeve të 2011-ës, unë parashikova në një televizion kombëtar fitoren e Ramës në Tiranë me 52.5%. Në fakt, Rama mori 50% të votave, por i humbi zgjedhjet, pasi u gjetën nja 80 fletë votimi në KQZ për Bashën, të cilat ishin hedhur në “kutitë e gabuara”.  Një dështim spektakolar pati atë vit (2011) firma Gani Bobi, e cila parashikoi një fitore të Bashës me 58% të votave, ndërkohë që ai mezi e barazoi Ramën.

Shënim: Sondazhet e fundit para zgjedhjeve presidenciale në Francë e parashikuan me përpikmëri fituesin, si në turin e parë, ashtu edhe në të dytin, i cili u zhvillua këtë të diel.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: