Adela Muçollari: Çdo rol ka të veçantën edhe specifikën e tij

Adela Muçollari:  Çdo rol ka të veçantën  edhe specifikën e tij
 

INTERVISTA/ Flet prima-balerina dhe koreografja e TKOB-it: Çelësi i suksesit për mua është që unë jam realiste me veten dhe punën time. Kjo gjë më ka bërë të shkoj shumë lart në profesion 

Adela është një nga balerinat shqiptare më të suksesshme të viteve të fundit. Ajo ka luajtur në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit role nga më të bukurat, deri edhe më të vështirat, të cilat i ka përcjellë me shumë sukses te spektatori. Roli i fundit, ku ajo ishte prima-balerinë ishte tek "Liqeni i Mjellmave", rreth së cilës ajo tregon edhe emocionet e kësaj shfaqjeje...

 

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

Adela, ti tashmë je prima-balerinë e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Sa e vështirë është kjo për ty?

Të jesh soliste e parë e Teatrit, është një përgjegjësi shumë e madhe. Kërkon një punë të madhe dhe rezultate të larta. Jam vlerësuar nga koreografët më me emër si Youri Vamos, Angelin Prelocaj, Agron Aliaj, Daniel Cardoso, Liljana Cosi, Ilir Kerni, Enada Hoxha, Mvula Sungani, Toni Candeloro etj. Kjo më bën të ndihem krenare për punën dhe rezultatet e mia në skenë.

Kush ju mbështeti më shumë, nëna apo babai?

Dëshira ka qenë e nënës sime për të nisur këtë karrierë të gjatë dhe të bukur. Jam e lumtur që sot kam realizuar ëndrrën e saj. Mamaja ime është arma ime më e fortë. Ajo më mbështet në çdo hap të jetës sime. Mamaja ime është gjithmonë me mua në çdo moment.

Shfaqja juaj e fundit ishte "Liqeni i Mjellmave" jeni vlerësuar për një performancë shumë të lartë dhe interpretim shumë të spikatur, kush është çelësi i suksesit tuaj?

“Liqeni i Mjellmave” është një balet, i cili për mua ka qenë gjithmonë shumë i veçantë. Çelësi i suksesit për mua është që unë jam realiste me veten dhe punën time. Kjo gjë më ka bërë të shkoj shumë lart në profesion. Punoj çdo ditë dhe kërkesat e larta që kam për veten më bëjnë të arrij atje ku dua.

Sigurisht, kur ka shfaqje të tilla, emocionet janë të mëdha. Po pas përfundimit të shfaqjes si u ndjetë?

Kur je në sprova të tilla, mezi pret të përfundosh që të shohësh rezultatin. E them me krenari se u ndjeva shumë e lumtur, kur duartrokitjet e publikut nuk mbaronin dhe kur personalitete të veçanta ndoqën shfaqjen time me një interes të veçantë.

Sukseset dhe medaljet nuk  ju kanë munguar. Vjet keni marrë çmimin “Kult” si “Balerina më e mirë shqiptare” për vitin 2016. Çfarë do të thotë për ty ky çmim?

Ishte një vlerësim i madh. Për mua do të thotë shpërblim i punës, talentit dhe i performancave të mia.

Keni shumë role të realizuara. A keni një rol që parapëlqeni, apo cilat nga rolet do veçonit?

Në këtë përgjigje ndalem. E them me bindje se çdo rol ka të veçantën e vet, specifikën e vet, vështirësitë e veta. Kjo më bën që nuk mund te veçoj askënd, sepse të gjitha më kanë dhuruar emocione të jashtëzakonshme.

Cili është baleti më i mirë që keni realizuar?

Kam realizuar denjësisht shumë balete. Kam treguar në skenë harmoni, përqendrim dhe kryesorja, profesionalizëm në çdo balet.

Të ndalemi tek kohëzgjatja. Ky është një profesion me kufizim moshe, si e keni menduar të ardhmen?

Kjo është një e vërtetë. Baleti është arti që ka moshë të kufizuar, por unë kam studiuar për koreografi, kështu që edhe të ardhmen time e kam menduar mirë.

Jeni supersticiozë dhe te cilat numra, sende apo fenomene besoni?

Aha, pyetje zbavitëse. Ta them me sinqeritet, nuk jam fare supersticioze, besoj tek vetja ime dhe në punën time. Kjo gjë nuk më ka zhgënjyer në asnjë çast.

Njeriu ka dhe s’ka idhuj në jetë, ose më mirë të themi ka dhe udhërrëfyes të së mirës, ju keni të tillë. Apo cilat modele keni për zemër?

Kjo varet nga njeriu. Në jetën time unë kam punuar me shumë maestro dhe profesorë të fushës dhe kam përfituar nga ata mjaft gjëra të rëndësishme që më kanë shoqëruar në karrierën time. Në rrugën time unë kam takuar një mike e cila përfaqëson figurën e një njeriu plot vlera, mirësi, dashuri. Ajo është vërtet një model për ta mbajtur për zemër.

E zhytur tërësisht në botën e bukur dhe magjike të baletit. Përveç prima-balerinë, a keni ndonjë profesion, apo hobi që ngjitet në nivelet e një talenti të dytë?

Po ju them me sinqeritet se për mendimin tim nuk mund të bësh shumë gjëra njëkohësisht. Por, përveç baletit unë tashmë jam edhe një mësuese e brezit të ri.

Jeta dhe dashuria janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën. Jeni e dashuruar dhe ç’është dashuria për ju?

Jeta në tërësi është e veshur me dashuri të shumta. Në tërësinë e saj ka dhe dashurinë shpirtërore. Po, jam e dashuruar. Një njeri pa dashuri nuk mund të jetë kurrë i lumtur dhe i suksesshëm në jetë.

Një balerinë sigurisht është e lidhur me librin dhe muzikën,  cilat janë lidhjet tuaja me muzikën dhe librin?

Me muzikën sigurisht që kam një lidhje të ngushtë, por gjithashtu nuk shkëputem në asnjë çast nga libri. Tek libri gjej histori njerëzore që më frymëzojnë. Muzika më jep qetësi shpirtërore dhe nerv për të ecur në rrugën magjike të baletit.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: