AKSET QË PRESIN ÇADRËN – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

AKSET QË PRESIN ÇADRËN – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nga FRROK ÇUPI

Nesër, në mos sot pasdite, do të mbërrijë në Tiranë dikush që do të flasë mirë për ‘burokratët e BE”; me siguri. Edhe dje ose pardje ishte dikush tjetër... Sepse sot në Çadrën e Lirisë- siç ka marrë emër tani protesta e Opozitës- foli ‘kundër, Szolt Nemeth- një emër i panjohur, me pak biografi në Wikipedia. Ose jo aq i njohur sa Flenckenstein, ose jo aq sa Mogherini, ose sa Kukan...

Këtu shënohet një vijë ndarëse.

Szolt Nemeth është një politikan i lartë i Hungarisë, kryetar i Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme, ka qenë sekretar i shtetit për Punët e jashtme. Në vendin e tij ka dhënë kontribut në luftë kundër komunizmit. Ai tha sot në Çadër se ‘korrupsioni i ndërkombëtarëve është më e keqja e botës pas komunizmit”.

Që nga çasti simbolik se tre ‘administratorët’ që përmenda në fillim janë shumë më të njohur se zoti Nemeth i Hungarisë, më lë të kuptoj se si ndahen gjërat: Ata që kanë rrënjë në institucionet e kontinentit- dhe të ‘tjerët’. Në ‘të tjerët’ përfshihet gjysma tjetër e Botës që po tenton të ndryshojë kahjen, e, ndoshta edhe shpejtësinë e zhvillimit. Era e re e ndryshimit ka nisur që me Brexit, me fitoren e Donald Trump dhe tani me zhvillimet në Europë. Që nga qershori i vitit 2016 kur u votua Brexit, kampet nisën të lëvizin shpejt; kampi i vjetër që nuk besonte në një “gjë tjetër’ përveç vetes,- dhe kampi që po vjen, i cili ndodhet para “maleve’ të gjërave që duhen ndryshuar. Tani disa i përkasin njërës kohë dhe të tjerët- tjetrës.

Nuk kemi pse të mos e themi qartë atë që mendjet e hapura të Botës po e gjykojnë përditë: Bota ndodhet në një vijë ndarjeje njësoj si në epokën e diktaturës komuniste ose të ngjarjeve të tjera madhore që kanë lënë gjurmë. Kush do të fitojë?- Kjo është tjetër gjë. Nuk është, po kështu, e çuditshme që këtu në Tiranë kalojnë disa akse ku ndahen dy botët. Protesta e Opozitës, e shkurtuar si emër ‘Çadra’, nuk është një gjë që ‘Ou, si ndodhi!’. Për shkak të saj, në Tiranë zbresin përditë misionarë të botës që do ‘status-qou’-në; dhe ata të botës që kërkon ndryshimin.

Cilët akse ‘presin’ këtu?

1.Jo vetëm akset ‘klasike’ Linde- Perëndim.

Këto duket se sot nuk ekzistojnë më, ndoshta për shkak se brenda përbrenda species janë krijuar ndarje më të mëdha. Brenda Europës Perëndimore tani ndodhen edhe ‘Lindja’ edhe ‘Perëndimi’. Jo vetëm pse një pjesë e nëpunësve të lartë të BE kanë shërbyer në partitë dhe rininë komuniste të Lindjes... Kjo është një gjë. Por sjelljet e ndryshme brenda llojit kanë krijuar ‘ndarjen’. Establishmenti i vjetër i qeverive ka krijuar burokraci mbytëse; qeveritë që premtojnë por nuk bëjnë punë; arroganca e pushtetit; hapja e kufijve pa kontroll e pa kriter; pagesa para krimit dhe terrorit ku njerëzit ndjehen të pasigurt... Kjo është njëra anë... Ç’lidhje kanë këto me Tiranën? Elitat politike po braktisen nga popujt në Europë me çdo mënyrë; saksonët anglezë gjetën ‘Brexit-in’ ndërsa të tjerët rrugë të tjera. Polakët gjetën rrugën për të mos paguar taksa të rënda për emigracionin masiv; hungarezët- për të ndërtuar muret dhe fshatra ndarës për emigrantët... Elitat, duke mos u ndjerë mirë në vendet e tyre, janë ngulur në pjesën Lindore të Perëndimit të Europës dhe kërkojnë të mbajnë këtu ‘status-quo’-në, në emër të BE. Por a ka BE, atë BE që dinim?... Akset që ‘presin’ Çadrën, pikërisht këtë ndajnë: atë çfarë mendonim se ishte dhe këtë që është në realitet.

  1. Këtu presin akset që ndajnë dy botë të pasigurta:

Askush nuk mund të thotë nëse do të fitojë konservatorizmi ‘populist’- siç po e quajnë frymën e re që po vërshon në Perëndim, apo do të qëndrojë edhe për disa kohë fryma e vjetër e qeverive demagogjike. Lufta është shumë e vështirë. Sistemi ekzistues ka grumbulluar pasuri dhe influenca pa fund. Shikoni vetëm liderët e BE: BE brenda ditës e rrit faturën ndaj Britanisë me 40 miliardë euro; para dy ditësh e kishte 60 miliardë, dje tha 100 miliardë euro. Sistemi i pushtetit që ‘bën çfarë të dojë’ rrënoi Bashkimin dhe Qytetërimin Europian. Një ambasador i BE në Tiranë blen një vilë gati 2 milionë euro, katër herë më shumë se çmimi. Një ish ministër në qeverinë e Gjermanisë, që ndodhet në hetim për pastrim parash, bëhet sekser i drogës shqiptare në Bundestagun Gjerman... Lufta e qeverisë kundër Çadrës, këtu brenda vendit, ka motive të njëjta: Të mos i ikë nga duart pasuria e përfituar ilegalisht, të ruajë plantacionet e drogës dhe linjat e trafikimit; të mbajë lidhjet që ka me ‘mafien BE’ siç e quan lideri i Brexit, Nigel Farage... A mund të fitojë Opozita kundër kësaj ‘fuqie’ të madhe aferash dhe pasurie? Do të duhej të zbrisnin popujt nga planetë të tjerë, jo këta popuj... Por Protesta (d.m.th., Çadra) është kufiri ku ndahen akset.

  1. Dhe më në fund, akset klasike:

Në Tiranë, çuditërisht, si në Sarajevë në vitin 1914, ka ardhur momenti kur ndahen akset mes të quajturave ‘Lindje dhe Perëndim’. Në qoftë se fiton ‘Çadra’ atëherë investimi perëndimor është më i qartë. Këtu nuk ka implikacione; Çadra është në anën e Shteteve të Bashkuara me presidentin Trump. Ndërsa luftohet me anën e kundërt: Qeveria disa herë ka paralajmëruar se “Eeej!, ikëm me Moskën!”; d.m.th., ka implikime. Lidhjet e ngushta qeveritare me Serbinë rezultuan ‘konflikt’ dhe imponim nga Beogradi. Në Maqedoni ka një konflikt të hapur ku është përfshirë qeveria shqiptare edhe si grupim politik edhe si familje me Soros. Greqia është ‘abandonuar’ për shkak të vëllazërisë me Turqinë. Turqia ka hyrë këtu si model autokratik i pushtetit dhe si dominim religjioz. Nëse nuk fiton Çadra, atëherë vijat ndarëse, ose akset, me Rusinë, Turqinë, Sirinë, Ukrainën..., mbetën të dyshimta. Aq më tepër që qeveria është shpallur prej para- fillimit si kundërshtare e ardhjes së fenomenit ‘Trump’ në këtë botë.

Por edhe nëse nuk fiton ‘Çadra’, ka përcaktuar kualitetet ‘cili është me kë’... M duket se alegorisht Çadra është ngritur për të thënë: “Ju shikojmë ku po shkoni...”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: