Alketa Doçi: Volejbollistet shqiptare, mirë të dalin jashtë dhe të hapin horizontet

Alketa Doçi: Volejbollistet shqiptare, mirë të dalin jashtë dhe të hapin horizontet
Shqipëria është në grupin A në Ligën Evropiane të Volejbollit për Femra, ku do të ketë përballë Bjellorusinë, Finlandën e Austrinë dhe, Kombëtarja kuqezi ka nisur përgatitjet në kryeqytet.

Trajneri Altin Martiri, vlerëson grupin e sportisteve që ka grumbulluar, duke theksuar se përvoja e lojtarëve që luajnë jashtë Shqipërisë do ta ndihmojë skuadrën e tij për një paraqitje edhe më të mirë sesa vjet në Ligën Evropiane të qershorit.

Alketa Doçi, një nga ikonat e fundit të një brezi të jashtëzakonshëm të volejbollit shqiptar të femrave, ish-sportiste e Dinamos dhe e ekipit Kombëtar, beson se ky sport ka potencialin për një rizgjim të ri.”Ka vajza të gjata dhe shpresoj me gjithë zemër që ato të rriten dhe të japin nivele të larta,” tha ajo për RTSH.

Doçi, e pranishme në seancat stërvitore të Kombëtares së vajzave, e cila ka nisur prej dy ditësh përgatitjet për pjesëmarrjen e saj në Ligën e Evropës nën drejtimin e trajnerëve Altin Martiri dhe Roland Tarja, nxit volejbollistet e sotme të luajnë brenda Shqipërisë, por ta provojnë fatin edhe jashtë saj. - “Unë jam shumë e kënaqur që vajzat luajnë jashtë dhe kanë mundësi të dalin jashtë Shqipërisë. Ne në kohën tonë e kishim më të vështirë lëvizjen” kujton me keqardhje ajo.

“Nëse niveli këtu do të rritet, pse jo, të luajnë në kampionatin shqiptar. Por ndoshta për momentin ato është mirë të dalin jashtë dhe të hapin horizontet” sugjeron volejbollistja e shquar Alketa Doçi.

Në Ligën e Europës Alketa është optimiste për një paraqitje edhe më të mirë sesa vjet. “Është edhe pune eksperience. Kombëtarja shqiptare nuk është mbledhur shpesh dhe sigurisht eksperienca është e rëndësishme. Në fushën e tyre ato dhanë më shumë, - vlerëson ish- volejbollistja.

Ndeshjet e grupit A të Ligës së Evropës në volejboll për femra do të luhen nga data 9, deri më 11 qershor 2017 në Shqipëri dhe nga data 16, deri më 18 qershor 2017 në Bjellorusi.

Foto marrë nga Federata Shqiptare e Volejbollit, gjatë momentit të përgatitjeve të ekipit tonë kombëtar të volejbollit të femrave  

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: