AMBASADORËT KTHEHEN NGA VITI 1912 – OPINION NGA FRROK ÇUPI

AMBASADORËT KTHEHEN NGA VITI 1912 – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nuk jemi, sigurisht, në “St James's Palace” të Londrës, ku u mblodh Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1912. Që jemi këtu në Shqipëri, kjo është e sigurt. Por kjo që po ndodh këtu, vallë, çfarë skene është?

Kjo që po ndodh këtu, është skenë politike apo korridore ambasadorësh?

Më duket se ngatërresa është marramendëse. Reporterët dhe kameramanët e medias kanë hyrë në një lojë pingpongu; kokën sa majtës-djathtas, në një të dhjetën e sekondës. Të gjithë në kërkim të ambasadorëve. Marrin makinat, kamerat, mikrofonat dhe xhupat që kishin hequr nga vapa; fluturojnë njëri pas tjetrit... kurrkush nuk e di ku!? ..., por dikush ka thënë se “Lu hyri në zyrën e atij”, “Vllahu në zyrën e tjetrit”, “Borsh nuk është zgjuar akoma, por prisni te porta...”. Kaq shpejt shkojnë pas ambasadorëv,e saqë tani mes reporterëve, është aplikuar gjuha me shkurtime, si në një anglishte të Amerikës: “Lu” “Borsh”, “Vllah”... Kush ka kohë ta thotë p.sh., “Borchardt” duhen ndjekur ku zateten ambasadorët... Sot, p.sh., ishin në zyrën e Ministrit të Brendshëm, dhe të gjithë u dyndën për atje. Para pak ditësh në zyrën e kryetarit të Kuvendit, te Presidenti, te kryeministri, te opozita dhe te disa deputetë që janë “për shitje”... Pronarët e mediave, në këtë rast, kthehen në “roje të gjahut”. Ata nuk mund të lejojnë që të shpëtojë ndonjë ambasador pa “u mbuluar”.

As vetë politikanët nuk mund t’ia lejojnë vetes t’u shpëtojë ndonjë ambasador, por këta i ndjekin me mediat. As njerëzit e thjeshtë, me njëmijë halle dite në kurriz, nuk mund të lejojnë t’u shpëtojë ndonjë ambasador... Të gjithë duket se janë mbledhur në një sallë ku luhet pingpong.

Dje, shefja e misionit të BE-së, që pranon ta thërrasin “ambasadore”, burgosi një gazetar. Nuk e burgosi vetë Vllah, por policia, sigurisht, veçse policia kishte hyrë në fushën e pingpongut e po ndiqte zonjën Vllah. Kushedi sa krime reale ndodhin diku tjetër, po kush e ka mendjen, të gjithë shikojnë veç ambasadoren. Policisë iu duk se, zoti Myftaraj (gazetari) po e vriste dhe e arrestoi. Çdo gjë është veç dukje. Vetë prezenca e ambasadorëve është veç dukje, nuk ka “bereqet”. Edhe për zonjën Vllah ishte një dukje e prandaj, nuk tha asgjë, por nuk tha as “jo, mos e burgosni”... E kush ka kohë të flasë me mend e me durim!? Të gjithë janë duke i ndjekur... Ja, as unë nuk po mund ta shkruaj të plotë emrin e ambasadores, por thjesht si zhargoni i reporterëve “Vllah”!... Duhet shpejt.

Çfarë është gjithë ky nxitim?

Në vend ka pllakosur një krizë e rëndë politike. Zgjedhjet Parlamentare që ishin dekretuar për 18 qershor, kanë rënë; as ligji nuk i lejon më. Të kishin rënë e të ishin thyer, kjo do të ishte më e pakta, por kanë rënë dhe as janë thyer, as kanë mbetur pa thyer. As janë të ligjshme, as të paligjshme; as janë të besueshme, as të pabesueshme. Siç është e gjithë marrëdhënia “në fushën e pingpongut”. Qytetarët ndjekin “topthin” e qeverisë, plus ambasadorë dhe iu merren mendtë, por nuk përfitojnë asgjë. Institucionet e shtetit kanë rënë: Kuvendi mbaroi punë për këtë legjislaturë; presidenti mbaron pas pak, por presidenti i ri është zgjedhur veç nga një krah, njësoj sikur njeriu i shkretë të lindë veç me të majtë. Avokatit të Popullit i ka mbaruar koha. Drejtësia është thuajse paralizuar për shkak të Vettingut në tentativë. Vetë pluralizmi politik, si themel i shtetit, po rrëzohet...

Kush do t’i ngrejë vlerat e shtetit?

Sytë janë drejtuar nga ambasadorët. Jo vetëm reporterët, por të gjithë u janë drejtuar ambasadorëve, njësoj si perëndisë. Edhe shkrimtari më i madh i kohës, Kadare, dje ra në gjunjë të zonjës Vllah, me vullnetin e tij, për të mos u ngritur më nga ajo “parajsë”.

Po vallë, a do të na i ngrenë vlerat ambasadorët e huaj? Jo veç pse janë “të huaj”, por sepse janë veç ambasadorë dhe nuk janë për këtë punë. Këtë punë ua kemi ngarkuar ne shqiptarët; dhe ata e kanë pranuar me cinizëm e kënaqësi. Përderisa dikush iu var në qafë besimin dhe “mbretërinë” kombëtare, pse të mos e mbajnë derisa të shkojnë të prashisin kopshtet në vendet e tyre. Gjatë gjithë kohës së krizës që po përjetojmë, kemi besuar dhe besojmë vetëm ambasadorët. Të tjerat, gjithçka, janë nën dyshim: Qeveria - sigurisht; Opozita - e dyshuar edhe nga qeveria dhe ambasadorët; Kuvendi - i dyshuar si kriminel; Drejtësia - e dyshuar si e korruptuar; populli - i dyshuar nga vetvetja dhe nga teoricienët e shtetformimit. ..

Në fakt, gjithë pesha e “mëkatit” bie mbi kombin. Ky akuzohet si joshtetformues’, por jo veç kaq, akuzohet edhe si kultivues droge, edhe sylesh para atyre që e kultivojnë; edhe si shitës votash; edhe si manipulator kriminelësh që i zgjedh në pushtet. Padrejtësisht, krejt padrejtësisht, sepse të gjitha këto “krime” shtetërore të kombit kryhen nën kujdesin e ambasadorëve. Ambasadorët ndodheshin këtu kur u mbollën narkotikët; edhe kur u ngritën laboratorët, edhe kur erdhën avionët e transportit, edhe kur u mblodhën eurot, edhe kur u ndanë eurot... Ambasadorët provuan se edhe të burgosin po fole, por jo po bëre krim; ambasadorët kanë në dorë të hapin rrugën për narkotikë dhe për manipulim zgjedhjesh. Ambasadorët kanë marrë në dorë sovranitetin e popullit që ka mbetur veç një frazë kushtetuese, sepse ambasadorët kanë në dorë qeveritarët dhe politikanët; pastaj politikanët kanë në dorë deputetë e përfaqësues të popullit... Pastaj, asgjë. Sovraniteti ka rënë.

Kjo është çështja. Në këtë nxitim të madh drejt ambasadorëve si në një sallë pingpongu, thellë-thellë kërkohet sovraniteti i humbur. Politika nuk ka sovranitet, media nuk ka, Kuvendi nuk ka, drejtësia nuk ka, droga nuk ka, as përdhunuesi u provua që nuk kishte sovranitet deri në fund, - erdhi deri në një pikë dhe e shkarkuan, por as e zëvendësuan dot...

Kanë rënë vlerat e shtetit. Ambasadorët e Konferencës së Londrës 1912, janë kthyer vetëm si hije. Edhe atëherë kur po copëtohej kombi shqiptar, Konferenca e Ambasadorëve ishte gjithçka. Madje edhe historia jonë e transmetoi si “ngjarje të madhe” që na u ngulit në mendje nëpër shkolla e nëpër libra; deri edhe këngë në festivale kombëtare u këndua për ambasadorët...

Mbetëm në “konferencë ambasadorësh”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: