ANALIZË - RREZIQET ME TË CILAT PËRBALLET SISTEMI BANKAR SHQIPTAR - Nga GENT SEJKO

ANALIZË - RREZIQET ME TË CILAT PËRBALLET SISTEMI BANKAR SHQIPTAR - Nga GENT SEJKO
Banka e Shqipërisë është e ngarkuar me ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar dhe adresimin e rreziqeve të mundshme që prekin atë. Banka e Shqipërisë vlerëson se ekspozimi i sistemit bankar ndaj rrezikut të likuiditetit dhe atij të luhatjeve të tregut është brenda parametrave të pranueshme, por administrimi i këtij rreziku kërkon vëmendje të vazhdueshme nga industria bankare. Ndërkohë, rreziku kryesor ndaj të cilit ekspozohen sektori bankar vijon të mbetet ai i kredisë

Nga GENT SEJKO

Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Treguesit kryesorë financiarë të shëndetit të sektorit bankar – ata të kapitalizimit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë – evidentojnë kapacitetin e tij të plotë për të përballuar rreziqet e veprimtarisë në kushte normale, si edhe për të treguar një rezistencë të mirë ndaj goditjeve.

Pesha e aktiveve të sektorit bankar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto arriti në 95.8% në fund të vitit 2016, duke u rritur me rreth 4.5 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë. Kredia dhe depozitat u rritën, përkatësisht me 2.5% dhe 5.2%. Në terma të kapitalizimit, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit qëndron ndjeshëm mbi nivelin rregullator. Ai shënoi 15.7% në vitin 2016 përkundrejt normës rregullatore 12%. Kapitalizimi i mirë mbetet një karakteristikë e sektorit bankar dhe ruajtja e tij në nivele të larta është mbështetur nga ruajtja e vlerave pozitive të rezultatit financiar neto. Megjithatë, rezultati financiar i sistemit pësoi një rënie të lehtë gjatë vitit 2016, kryesisht në reflektim të rritjes së shpenzimeve për fonde rezervë (provigjione) ndaj rrezikut te kreditit. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e qendrimit konservativ të Bankës së Shqipërisë që ka kërkuar nga bankat të kryejnë riklasifikimet si kredi me probleme të disa kredimarrësve të mëdhenj në vështirësi financiare apo në situata falimenti. Kthimi nga aktivet e sistemit (RoA) ra në 0.7% nga 1.2% një vit më parë, ndërsa kthimi nga kapitali (RoE) ra në 7.2% nga 13.2%.

Në terma të rreziqeve, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekspozimi i sistemit bankar ndaj rrezikut të likuiditetit dhe atij të luhatjeve të tregut është brenda parametrave të pranueshme, por administrimi i këtij rreziku kërkon vëmendje të vazhdueshme nga industria bankare. Ndërkohë, rreziku kryesor ndaj të cilit ekspozohen sektori bankar vijon të mbetet ai i kredisë. Ky rrezik bëhet edhe më prezent, si pasojë e persistencës së tij dhe problematikës së vazhdueshme që hasin bankat në procesin e marrjes dhe ekzekutimit të kolateralit. Në vijim të rritjes së nivelit të kredive me probleme në pjesën e parë të vitit dhe rënies së treguesit në pjesën e dytë të tij, raporti i kredive me probleme ndaj kredive në total zbriti ne 18.2% në fund te 2016, duke qenë në të njëjtin nivel me atë të një viti më parë.

Për këtë arsye, reduktimi i kredive me probleme dhe krijimi i stimujve për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e punës sonë.

Banka e Shqipërisë ka punuar në disa drejtime për adresimin e këtij problemi. Së pari, vlerësimi i rrezikut të kredisë dhe rikuperimi i kredive me probleme kanë qenë nën monitorim intensiv gjatë ekzaminimeve në vend. Paralelisht me to, ne kemi ruajtur një qëndrim të kujdesshëm në vlerësimin e politikave dhe praktikave të kredi-dhënies nga ana e bankave. Së dyti, Banka e Shqipërisë ka përmbushur angazhimet e saj brenda Planit Kombëtar për uljen e kredisë me probleme.

Në përputhje me to, Banka e Shqipërisë bëri ndryshime rregullatore lidhur me qartësimin e konceptit të fshirjes së kredive me probleme, si dhe lidhur me administrimin e pronave të rikuperuara nga ekzekutimi i kolateraleve. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar me FMN-në për rishikimin e kuadrit rregullator për licencimin e shoqërive që blejnë borxhet e këqija. Së treti, kemi forcuar kërkesat rregullatore dhe raportuese për bankat në drejtim të mirë-administrimit të rrezikut të kredisë në përputhje me praktikat evropiane. Së katërti, ne kemi intensifikuar komunikimet me bankat për të trajtuar çështjen e cilësisë së portofolit, si në drejtim të trajtimit të kredi-marrësve me probleme ashtu edhe të fshirjes të kredive të kategorizuara të humbura. Së pesti, roli koordinues i Bankës se Shqipërisë ka dhënë rezultate në ristrukturimin e kredive me ekspozim në më shumë se një bankë dhe do të vazhdojë edhe këtë vit.

Në gjykimin tonë, hapat e ndërmarra për zgjidhjen e kredive me probleme do të kontribuojnë në krijimin e një terreni të frytshëm për nxitjen e kreditimit të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm. Ky është një prioritet madhor, i cili kërkon një matricë shumëdimensionale veprimi dhe një bashkëveprim të gjerë midis autoriteteve shtetërore dhe sistemit bankar.

***

Ligji për Funksionimin e Shoqërive të Kursim Kreditit dhe Unioneve të Tyre mundësoi rishikimin e tërë kuadrit rregullator për mbikëqyrjen e shoqërive të kursim-kreditit, që konsiston në rregulloren për procesin e licencimit, rregulloren për kriteret e administrimit të rrezikut në veprimtarinë e këtyre subjekteve, si dhe sistemin raportues të veprimtarisë së tyre financiare.

Ligji për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Banka i jep Bankës së Shqipërisë atributet e Autoritetit për ndërhyje të jashtëzakonshme, duke i vënë në dispozicion një tërësi instrumentesh ligjore. Ky ligj përbën një hap cilësor në drejtim të plotësimit të garancive për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend.

Gjithashtu, në përgjigje të ngjarjeve negative të vitit të kaluar ku u cenua siguria e transportit dhe ruajtjes së vlerave monetare, Banka e Shqipërisë ka nxitur bashkëpunimin midis bankave dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit, për marrjen e masave për eliminimin e mangësive; ka shtuar inspektimet në vend për të këqyrur mundësinë e ndodhjes së rrezikut; si dhe, ka forcuar kuadrin rregullator për krijimin e kushteve minimale të sigurisë fizike.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: