ANALIZË VETES - Nga MERI DISHNICA

ANALIZË VETES - Nga MERI DISHNICA
Nga MERI DISHNICA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nëse e mbani veten se jeni perfektë, më mirë mos e lexoni shkrimin (ju jeni nivel më i lartë, sigurisht)! Në shkallë të ndryshme, ne kemi dobësitë tona në sjellje, për të cilat nuk e kemi idenë aspak, sepse gjithmonë kemi pak kohë për të analizuar veten dhe mjaft kohë për të vëzhguar me sy kritik të tjerët.

Po, kemi dobësitë tona, që, sigurisht, nuk i njohim dhe nuk i pranojmë, derisa një MIK (po nga ata miqtë e vërtetë), na i vë në dukje, duke marrë kurajën ta thotë edhe pse ti mund të mërzitësh… Në rastin më të mirë, dikush do ta ndreqë sjelljen, në rastin më të keq do të thotë: “Kush je ti të më gjykosh mua?!” dhe, atëherë, të gjithë do të rrojnë të lumtur e të gëzuar në një vend ku njerëzit nuk merren vesh, ku nuk i pranojnë gabimet e nuk kanë vullnetin të ndreqen… Durim! Të tillë ka sa të duash…

Këto pika të dobëta bëjnë që, lehtësisht, ta gjejmë fajin tek të tjerët, për të gjitha ato gjëra që nuk “na shkojnë vaj”. Kështu ndodh të fajësojmë të tjerët, prindërit, shefat, gjithë botën. Kjo gjë na pengon të shohim se gjërat kanë ngecur, janë ngatërruar, pikërisht, nga ai që shohim në pasqyrë, jemi ne. Meqë mjediset e punës bëhen më konkurruese, lidhjet bëhen gjithmonë dhe më të ndërlikuara. Si rrjedhojë e ritmit të jetës aktive, pengesat janë gjithmonë e më të mëdha, ata sërish do të fajësojnë dhe fajësojnë, duke mos denjuar të hedhim sytë nga vetja dhe të shohim çfarë nuk shkon me ta.

Pse jemi kaq të pavëmendshëm për të parë sjelljen tonë? Pse e kemi si një lloj kulture, fajësimin e të tjerëve, direkt, ashtu kot, aty për aty, ashtu pa lidhje? Sipas psikologëve, ka një arsye të thellë që e shpjegon këtë sjellje.

Njerëzit janë programuar të shohin të tjerët më qartë sesa veten,  - fenomen i quajtur diferenca aktor/vëzhgues. Ne i lexojmë/kuptojmë ndryshe situata të ndryshme, në varësi nga pozicioni, nëse jemi ne aktori apo personi i cili shikon, që do të thotë, gjykimi ynë do të ishte në dy standarde.

Mjaft individë kanë vështirësi të njohin sjelljen e tyre negative, ose janë tepër krenarë për ta pranuar... apo, thjesht, i bien shkurt dhe nuk “e vrasin trurin” , sepse të gjykosh të tjerët kërkon më pak kohë dhe angazhim, ndërsa të gjykosh sjelljen tënde, të pranosh ndonjë gabim e ta ndryshosh më pas, kërkon “këllqe” dhe jo të gjithë i kanë

Në shkallë të ndryshme, kemi dobësitë tona në sjellje, të cilat nuk i vëmë re, sepse jemi tepër të zënë duke pëlqyer veten dhe duke e mos e patur idenë aspak se po gabon, po shkatërron nervat e dikujt, po bëhesh i neveritshëm.

Unë do ta shihja, herë pas here, veten në pasqyrë, dhe jo vetëm për të parë sytë e bukur ngjyrë mjalti, por përtej tyre. Po ju?

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press