“Arbitri, lojtari më i mirë i ndeshjes”, Gjici: Titulli i merituar, ndeshja Fair-Play

“Arbitri, lojtari më i mirë i ndeshjes”, Gjici: Titulli i merituar, ndeshja Fair-Play
Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, pas ndeshjes Kukësi-Skënderbeu ka shprehur ironikisht pakënaqësi me vendimet e arbitrit kryesor të ndeshjes, Enea Jorgji.

I zhgënjyer nga humbja e titullit kampion, ai ka ironizuar gjyqtarin e ndeshjes në deklaratën e dhënë për “Gol pas Goli”.

“Nuk kam ç’të them sa i përket çështjeve tekniko-taktike, i uroj Kukësit kampionatin. Ne i kemi respektuar në fushën e lojës edhe pse ishim me dy lojtarë më pak. Nuk besoj që na ka penalizuar gjyqtari, ka qenë lojtari më i mirë në fushë. Kam thënë që para ndeshjes që janë në gjendje të mbajnë një takim të tillë dhe arbitrat tanë. Nuk e di pse Federata nuk vendosi për gjyqtarë të huaj, por sot arbitri nuk e di ç’ka bërë, gjykojeni vetë,” tha Daja pas ndeshjes.

Pas fitores 2-0, në një ndeshje të tensionuar ndaj Skënderbeut, Kukësi shpallet për herë të parë kampion në histori, kur mbetet edhe një ndeshje nga mbyllja e garës.

Trajneri Ernest Gjoka dhe disa prej lojtarëve të Kukësit, folën për Supersport, pas shpalljes kampion të Shqipërisë:

Ernest Gjoka:

“Arritëm ta finalizonim me sukses dhe më në fund arritëm që t’i jepnim këtë trofe këtij qyteti. Ja dedikoj gjithë cunave, presidentit dhe të gjithë njerëzve.”

Kapiteni Rrahman Hallaçi:

“Sigurisht që është një mund pesë vjeçar, një sakrificë e madhe e ka merituar ky qytet një titull kampion. Sot i treguam të gjithëve që këtë titull e meritonim.”

Mesfushori Ylli Shameti:

“Mendoj se është kulmi i karrierës sime ky titull dhe jam krenar që fitova trofeun me këtë skuadër. Ky titull i shkon djalit tim, cunave dhe presidentit që ka bërë një investim pesë vjeçar.”

Kryegolashënuesi Pero Pejiç:

“Gola shënuar në momentin më të mirë për mua, por jo vetëm për mua por dhe për ekipin e presidentin. Kjo ishte shumë e rëndësishme për ne. Jemi kampionë.”

Mbrojtësi Simon Rrumbullaku:

“Është një ditë e madhe për të gjithë ne, falënderojmë të gjithë tifozët dhe duam të festojmë të gjithë bashkë. Erdhi kjo ditë që të festojmë kampionatin. Ishte objektivi më i madh dhe besoj se do të vijnë ditë më të mira për Kukësin.”

Sulmuesi Izair Emini:

“Jam shumë i kënaqur, pasi në një vit e gjysmë kam fituar Kupën, Superkupën dhe kampionatin dhe i përgëzoj të gjithë cunat për këtë titull.”

 

Mbrojtësi Albi Alla:

“Donim ta mbyllnim këtu kampionatin dhe besoj se bëmë një ndeshje shumë të mirë, kishim kontrollin e lojës dhe ishte një ndeshje e përgatitur shumë mirë. Nuk dua të merrem me arbitrat, por ishte një ndeshje e bukur dhe nuk besoj se duhet të qëndrojmë te gjyqtari.”

Presidenti

Safet Gjici: Titulli i merituar. Ndeshja ishte Fair-Play

Festë në Kukës, pas titullit kampion. Presidenti Safet Gjici ka investuar pa fund për një skuadër duke besuar te një ëndërr që më në fund u bë realitet. Kukësi paso doli  tre herë nën-kampion, fitoi edhe një kupë trofe të Kupës së Shqipërisë, siguron edhe titullin kampion duke i dhënë fund mbretërimit të Skënderbeut, prej 6 sezonesh.

“Kjo ishte një ndeshje e rëndësishme, por mendoj se kemi merituar të fitonim titullin për sakrificat dhe mundin që kemi treguar gjatë këtyre 5 viteve. Nuk duam t’i futem polemikave sepse ndeshja ishte “Fair-play”. Ky ishte një titulli rekordesh sepse, kemi 35 javë pa humbje. I kemi dhënë tonin kampionatit shqiptar dhe mbi të gjitha kemi qenë vetëm, kundër të gjithëve”.

Festa zyrtare, e organizuar nga FSHF, do të vijë vetëm në fund të kampionatit. Gjici dhe një dedikim dhe një premtim i përsëritur.

“Pavarësisht se matematikisht e kemi marrë kampionatin sot, por kampionati përfundon në ndeshjen e fundit në Gjirokastër do ta fitojmë do të shkojmë ta fitojmë dhe atë sfidë. Këtë titull ua dedikoj kukësianëve sepse e meritojnë. Natyrisht që do ta bëjmë rrugën nga tuneli deri në Kukës në këmbë”.

Në përballjen me Skënderbeun, fitorja 2-0 pati edhe kritika të shumta mbi vendimet e tij Enea Jorgji, por Gjici nuk ndan të njëjtin opinion.

“Nuk mendoj që Jorgji ka vendosur rezultatin sot sepse ai është dhe ka qenë një nga gjyqtarët më të mirë, të kampionatit shqiptar madje as Takaj nuk e ka kontestuar dhe ishte dakord që ta gjykonte Jorgji këtë sfidë”.

Safet Gjici është edhe kandidat për deputet dhe në rast se do të zgjidhet si anëtar i Kuvendit, i duhet të lërë rolin e presidentit të klubit.

“Edhe nëse populli shqiptar do të votojë për mua në parlamentin shqiptar do të jetë dikush tjetër që do ta drejtojë skuadrën, por mua s’do më ndalojë askush, të mbështes skuadrën. Kur po festonim golin e dytë Ardian Takaj nuk ishte fare aty pasi ishte larguar dhe nuk kisha çfarë t’i thosha. Futbolli kështu është 6-herë fiton Skënderbeu dhe njëherë fitojnë edhe të tjerët. Mirë do ishte që Takaj të qëndronte dhe të festonte me ne, pasi futbolli është për të bashkuar njerëzit.”

Foto, nga festa e tifozëve të Kukësit marrë Google

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: