Ardit Çollaku: Nga 1 maji deri në fund të tetorit, hotelet të prenotuara plotësisht

Ardit Çollaku: Nga 1 maji deri në fund të tetorit, hotelet të prenotuara plotësisht
Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina NASI

Nga data 1 maj dhe deri në fund të muajit tetor, hotelet e Shqipërisë do të jenë të bllokuara, apo të prenotuara plotësisht. Një fakt të tillë e pohon vetë kreu i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”.Nëse para 4-5vitesh flitej për një turizëm që ishte 30 apo 40-ditor, sivjet do të kemi një turizëm që nis prej datës 1 maj deri në fund të muajit tetor. Domethënë hotelet do të jenë të bllokuara apo të prenotuara plotësisht dhe kjo gjë e bën akoma më të gjatë sezonin turistik veror në vendin tonë, ashtu siç e meriton ta ketë”, citon  saktësisht ai. Duke shtuar gjithashtu edhe faktin se megjithëse ky është një vit elektoral, ai nuk ka për të ndikuar aspak te sektori i turizmit. E kjo sipas tij, pasi vendi ynë tashmë e ka kapërcyer fazën e vështirësisë fillestare për t’u bërë i njohur turistik. “Tashmë jemi bërë një vend konkurrent, jo vetëm për natyrën, biodiversitetin, por gjithashtu edhe për ushqimin apo gatimet përkatëse, çmimet, etj”, thekson më tej kreu i AKT-së. Për të referuar këtu edhe faktin se në 2-3 vitet e ardhshme pritet që vendi ynë të ketë edhe dy pasuri të reja të pranuara në UNESCO, liqenin e Pogradecit me dy fshatrat Lin dhe Tushemisht...

***

Zoti Çollaku, në vigjilje të sezonit të ri turistik, a mund të na thoni cilat janë risitë që Shqipëria po shfaq sivjet, para të huajve, sa i takon kapaciteteve të saj turistike? Si po i promovoni ju ato?

Ndoshta fjala “sezon turistik” do të ishte e tepërt, pasi ne po synojmë një gjithëpërfshirje, siç është dhe slogani aktual, që Organizata Botërore e Turizmit, po mban; pra, të kemi turizëm të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor. Është një gjë të cilën qeveria aktuale e ka futur në programin e saj duke e zhvilluar këtë sektor dhe duke e bërë turizmin të jetë një ndër sektorët prioritarë për zhvillimin e ekonomik të vendit. Është një lloj bashkëpunimi apo një vëmendje tjetër që Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit i ka kushtuar atij, në bashkëpunimin që po bëhet me operatorët e ndryshëm privatë.  Gjithashtu, është edhe një rritje e promovimit dhe përmirësimit të Shqipërisë turistike që Agjencia Kombëtare e Turizmit është duke ndërmarrë sa i përket pjesëmarrjes së saj në panaire ndërkombëtare, organizimit të aktiviteteve apo tureve familjarizuese, me gazetarë dhe operatorë të ndryshëm të huaj, pjesëmarrja e spoteve promovuese shqiptare në disa nga kanalet më prestigjioze siç janë Discover Channel, BBC apo Euronews, që e kanë bërë vendin tonë akoma edhe më shumë tërheqës dhe e kanë njohur kundrejt atyre personave, të cilët do të duan ta zbulojnë për ta patur atë si një destinacion turistik për pushimet e tyre të ardhshme.

Ku ndryshon realisht situata me të cilën ne po i presim sivjet turistët, në krahasim me vitin e kaluar? A jemi “rritur” sivjet dhe në ç’aspekt konkretisht?

Natyrisht që kjo ka sjellë edhe një rritje përkatëse, Po të shohim shifrat e vitit 2016, ato tregojnë një rritje shumë të madhe sa i përket turizmit dhe nga krahasimet apo prenotimet që operatorët turistike dhe hotelet shqiptare kanë për vitin 2017, do të kemi një dyfishim të këtyre shifrave duke e kthyer turizmin tashmë me të vërtetë ndër kontribuesit më të mëdhenj për zhvillimin e ekonomisë.

Aktualisht, ne e dimë shumë mirë që Shqipëria është një destinacion kryesisht bregdetar pasi gjatë muajve të verës ne kemi dhe atë fluksin e turistëve që shkelin vendin tonë, por një gjë që jemi duke u munduar duke e bërë dhe këtë e kemi pjesë të promovimeve, është që të hapemi kundrejt destinacioneve të reja për të patur një prurje sa më të madhe nga vende të ndryshme turistësh, në mënyrë që ai interes të mos jetë vetëm për bregdetin, por të shtrihet edhe për kulturën, për artin, arkeologjinë, kalatë apo vendet historike që ka Shqipëria, apo për gatimet tradicionale, për zonat ku ne duam të zhvillojmë agro-turizmin, por gjithashtu edhe për sportet outdoor që ofron Shqipëria, në mënyrë që të kemi një larmi aktivitetesh të ofruara sa më të gjera në kohë. Gjë e cila do ta bëjë akoma dhe më të gjerë ofertën turistike që ofrojnë jo vetëm operatorët, por edhe bashkitë përkatëse, e kjo edhe falë reformës administrative e cila ka kontribuar në mënyrë direkte për të përmirësuar dhe dhënë një lloj imazhi të ri. Pasi ne  tashmë e dimë që jemi duke ndjekur edhe një hap të ri, siç është ai i Rilindjes Urbane, ku shumë bashki të vendit, janë shndërruar në destinacione turistike dhe e kanë përmirësuar shumë imazhin e tyre.

Ndërkaq, nëse unë do ta krahasoja Shqipërinë në shifra, mund të themi që ne kohët e fundit kemi parë edhe të dhënat e Bankës Botërore apo Bankës së Shqipërisë, ku kontributi për sezonin në Shqipëri i kalon 1.5 miliardë euro. Është jashtëzakonisht i madh nëse mendojmë se rritja ka qenë mbi 19% e vizitorëve.

Të mos harrojmë se këtë verë, Shqipëria do të përballet me zgjedhje. A mendoni se ato do të ndikojnë në ecurinë e sezonit turistik?

Po, jemi përballë një procesi zgjedhor, pasi Shqipëria tashmë do të përballet me zgjedhjet politike. Le të themi që ky është një vit elektoral për Shqipërinë. Por një vit elektoral që mendoj se nuk do ta përfshijë turizmin, pasi nëse flasim për vitin 2017, unë ju garantoj që operatorët turistikë, hotelet apo agjencitë e këtij sektori i kanë mbyllur prenotimet e tyre që në vitin 2016. Domethënë, ky sektor operon me një vit përparësi përsa u përket prenontimeve, kontratave. Dhe nga konfirmimet që kemi prej operatorëve turistikë, kemi një dyfishim të prenotimeve sa u përket hoteleve. E kjo gjë do të sjellë në mënyrë direkte dhe një shtrirje akoma më të gjerë të ditëve, apo edhe netë-qëndrimeve që do të ketë nëpër hotelet kryesisht të zonave bregdetare, ku ka disa hotele që netë-qëndrimet i kanë shtrirë deri në 150 ditë.

Domethënë, nëse para 4-5vitesh flitej për një turizëm që ishte 30 apo 40-ditor, duke filluar nga ky vit do të kemi një turizëm që nis prej datës 1 maj deri në fund të muajit tetor. Domethënë hotelet do të jenë të bllokuara apo të prenotuara plotësisht dhe kjo gjë e bën akoma më të gjatë sezonin turistik veror në vendin tonë, ashtu siç e meriton ta ketë, sepse ne jemi një vend me diell, me klimë të ngrohtë mesdhetare. Por që kemi edhe shumë për të ofruar, jo vetëm bregdetin, por edhe site arkeologjike e kulturore, të cilat e bëjnë më atraktive zonën ku rrinë pushuesit.

Ju keni qenë i pranishëm në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit MITT 2017, i cili u zhvillua para pak kohësh në Moskë. A mund të na thoni konkluzionet e një eventi të tillë të rëndësishëm?

Duke u nisur nga ajo që shpjegova, si edhe target-grupin ku ne synojmë të shtrihemi si AKT, pikërisht gjatë marsit të këtij viti ishim në panairin “MITT 2017” që zhvillohet në Moskë. Një panair ky ku merrnim pjesë me një stendë relativisht të madhe për herë të parë, me praninë e 6 operatorëve turistikë privatë, të cilët gjithashtu kontribuan në përmirësimin e imazhit turistik të Shqipërisë. Patëm mundësinë që të prezantohemi pranë publikut rus për herë të parë me materiale në rusisht, ku kishim përgatitur edhe materiale përkatësisht në gjuhën ruse për t’u treguar atyre që edhe Shqipëria mund të ofrojë e mund të konkurrojë me vende të tjera të rajonit për këtë lloj tregu.

Vjet u fol shumë për mundësinë e ardhjes së turistëve rusë në vendin tonë. Si paraqitet ajo sivjet? Pse i duhen ata sipas jush tregut vendas turistik?

Është një treg, i cili e ndihmon shumë zgjatjen e atyre që thamë pak më parë, pra të ditëve, pasi është një treg që pushimet i fillon që gjatë muajit prill apo maj dhe i përfundon rreth muajit tetor apo nëntor, gjë që na intereson, sidomos hotelerisë apo operatorëve turistikë shqiptarë, që të kenë mundësi t’i shtrijnë sa më shumë në kohë e të kenë sa më shumë hapësira për t’ua ofruar klientëve të tyre. Natyrisht, që jo vetëm me vizitorët, por takimet tona u fokusuan edhe me disa nga operatorët kryesorë që operojnë në tregun turistik rus.

Ju patët edhe një takim me përfaqësuesin e kompanisë ajrore ruse "RusLine", për mundësinë e fluturimeve direkte me Rusinë, duke nisur që nga maji. A mund të na thoni më shumë rreth këtij takimi dhe a mund të besojmë se do ketë vërtet një risi të tillë sivjet?

Po, ajo çka e bën akoma më tërheqëse vizitën tonë në Rusi, është edhe takimi me kompaninë e fluturimeve “Rusline”, shumë e interesuar për të filluar fluturimet charter direkte që nga ky vit me Shqipërinë dhe aktualisht, ata janë duke mbyllur marrëveshjet e fundit me disa nga operatorët rusë dhe shqiptarë në mënyrë që fluturimet charter të nisin që nga ky sezon. Dhe një ndikim shumë pozitiv i jep këtij fakti edhe heqja e vizave që veni ynë po bën përmes një pakete disamujore, në mënyrë që turistët rusë të mos kenë më probleme kur hyjnë dhe vizitojnë Shqipërinë.

Në tërësi, teksa prezantoni Shqipërinë në panaire apo evente ndërkombëtare çfarë i tërheq të huajt ndaj stendës suaj? Po në veçanti fjala “Albania”? Përse ju pyesin dhe çfarë informacionesh kërkojnë?

Kryesisht, AKT-ja e prezanton Shqipërinë në panaire apo vende të ndryshme përmes stendës së saj, por bashkë me të janë edhe një sërë operatorësh që i bashkohen asaj dhe promovojnë produkte turistike që përkthehen në numra konkretë vizitorësh të huaj që prekin Shqipërinë, Shumë herë na bëjnë pyetje të ndryshme dhe na kërkojnë informacione të shumta, dhe një shembull dua të marr nga panairi i fundit ku ne patëm së fundmi në Milano, ku pati shumë italianë të interesuar për të vizituar vendin tonë. Një ndër pamjet panoramike pasqyronte gjirin e Grames e ju siguroj që kishim një radhë njerëzish të interesuar që pyesnin: “Ku ndodhet ky vendi që të shkojmë ta vizitojmë këtë vit”. Ishte me të vërtetë një surprizë e re, por jo vetëm, sepse më tej ata informoheshin edhe për pjesën e ushqimit, kulturës, etj, që ofron vendi ynë.

“Shijo verën e vendit tënd, mos harro djathin, vajin e ullirit edhe perimet e freskëta. Ky është zhvillimi i turizmit kulinar!”, ka qenë një slogan i ri i sivjetëm për Shqipërinë nga ministria e Turizmit. Çfarë u pëlqen të huajve realisht nga kuzhina shqiptare? A “mahniten” prej saj?

Po. Këtë vit, patëm edhe një slogan të ri sa i përket turizmit të kulinarisë apo ushqimit, e cila ka qenë një gjetje sa i përket zhvillimit të turizmit kulinar, duke bërë që t’i japim një vlerë të shtuar turizmit që ofron në tërësi vendi ynë. Në këtë kuadër, jemi duke promovuar zona të ndryshme të Shqipërisë, gatime të ndryshme tradicionale të tyre. Dhe një fat i madh është që vendi ynë ka nisur të ngrejë e të promovojë agro-bizneset, të cilat janë kthyer tashmë në pika apo produkte turistike të mirëfillta, pasi presin nga dita në ditë turistë të ndryshëm, jo vetëm vizitorë nga vendi, por edhe të huaj, e në disa prej tyre me të vërtetë që duhet të presësh në radhë, apo të prenotosh disa ditë më përpara për të patur një vend.

Çfarë përparësish paraqet vendi ynë sivjet sipas jush kundrejt fqinjëve për të tërhequr turistët? Çfarë po përmirësohet nga viti në vit sipas jush sa i përket aspektit turistik shqiptar si i tillë? 

Vendi ynë tashmë e ka kapërcyer atë fazën e vështirësisë fillestare për t’u bërë vend tërheqës apo i njohur turistik, pasi tashmë jemi bërë një vend konkurrent, jo vetëm për natyrën, biodiversitetin, por gjithashtu edhe për ushqimin apo gatimet përkatëse, çmimet, etj. Tashmë jemi kthyer vërtet në një vend turistik që ia vlen të vizitohet, i lehtë për t’u zbuluar dhe që ofron shumë. E kjo, sepse ti në një hark pohor shumë të shkurtër mund të zbulosh dhe malin, dhe fushën, dhe detin, dhe kodrën, dhe liqenin, dhe historinë, dhe kulturën, dhe vendet e UNECCO-s, që po mundohemi t’i shtojmë në numër. Kemi futur edhe liqenin e Pogradecit me dy fshatrat Lin dhe Tushemisht, ku në 2-3 vitet e ardhshme, do të mundohemi që këtë gjë ta realizojmë, por jo vetëm. Sepse do të mundohemi që promovimin ta shtrojmë akoma edhe më gjerë, siç patëm rastin që të jemi në BBC Travel, Discover Channel apo Euronews gjatë festave të fundvitit, si një formë e promovimit turistik të vendit tonë. Të jemi pra prezentë në mediat ndërkombëtare, në jehonën e gjerë që i bëhet promovimit të turizmit në ato gazeta, revista dhe televizione, të cilat deri dje mund ta kenë parë Shqipërinë me skepticizëm, por që tashmë e shohin si një destinacion të ri i cili duhet vizituar, madje kanë filluar edhe ta sugjerojnë e kanë dëshirën e mirë për ta vizituar atë.

PROFILI

“Turizmi fetar një risi e Shqipërisë, e ndihmon edhe harmonia fetare”

“Një tjetër pikë e rëndësishme e asaj që Shqipëria ofron është ajo e turizmit fetar, turizëm ky që në disa vende të rajonit ka gjetur një mbështetje të madhe e është kthyer në mjaft tërheqës dhe ne duam që ta shtrijmë e ta fusim edhe në Shqipëri. Mos harroni që ne kemi edhe modelin e Kishës së Laçit, një nga kishat kryesore apo atraksionet kryesore që i tërheq turistë me shumicë, pasi vizitohet nga mbi 1 milionë vizitorë në vit, por jo vetëm, pasi ne kemi nga fe të ndryshme edhe modele të ndryshme sesi mund të kthehen  në destinacione turistike vende të shenjta si Mali i Tomorit apo produkte të tjera turistike që ato ofrojnë, siç është ajo e fesë ortodokse për shembull, hedhja e kryqit, në një ditë e shënuar ku mund të tërhiqen shumë turistë. E të mos harrojmë se Shqipëria mbetet në rajon edhe një destinacion kryesor sa i përket harmonisë fetare dhe këtë e kanë dëshmuar e vazhdojnë ta dëshmojnë organizatat e huaja që veprojnë në Shqipëri, bashkëpunimet që ato kanë me institucionet qendrore apo AKT-në. Si edhe bashkëpunimi për një projekt të ardhshëm për ta përfshirë itinerarin fetar apo historiko-fetar le të themi, në produktet e reja apo paketat e reja rustike që ne duhet të kemi për atë lloj turisti që është i interesuar”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: