Bakaj kërkoi të mos luante ndaj Tiranës, pritet "divorci" me Vllazninë

Bakaj kërkoi të mos luante ndaj Tiranës, pritet "divorci" me Vllazninë
Elis Bakaj, ish-futbollist i Tiranës, mund të mos jetë më lojtar i Vllaznisë. Ai mësohet se nuk ka dalë në stërvitje me ekipin shkodran gjatë ditës së sotme, madje ka udhëtuar drejt kryeqytetit.

Nuk ka asgjë zyrtare për një divorc të mundshëm mes palëve, përveç faktit se Elis Bakaj nuk ka dashur të luajë ndaj Tiranës, duke mos dalë as në stërvitje. Në këto kushte, qëndrimi i tij me Vllazninë nëse qëndron apo jo në Kategorinë Superiore, konsiderohet mision i pamundur.

Elis Bakaj i ka kërkuar në fillim të javës trajneri Armando Cungu që të mos përfshihet në formacion gjatë ndeshjes së fundit të Tiranës, kërkesë kjo që ka zemëruar kampin kuqeblu.

Vllaznia luan këtë fundjavë për mbijetesë ndaj Tiranës, në “Loro Boriçi” dhe Bakaj është një nga pikat më të forta të ekipit që drejtohet nga Cungu.

Bakaj ka kaluar disa sezone me bardheblutë. Rezultati i këtij takimi mund të vendosë për rënien në një kategori më poshtë të Tiranës, ndaj ai ka preferuar të mos luajë, duke e motivuar kërkesën e tij me faktin se nuk “i bëjnë këmbët” të përballet për një rezultat pozitiv ndaj Tiranës, çka do t’i zbriste 24 herë kampionët e vendit në një kategori më poshtë..

Vllaznisë i duhet një barazim për mbijetesën, në Loro Boriçi, ndërsa Tiranës medoemos fitorja.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: