BALLKANI PO MËSON TË DIALOGOJË! - Nga ALFRED PEZA

BALLKANI PO MËSON TË DIALOGOJË! - Nga ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Muajt e fundit, ka një moment vakuumi në rajonin e Ballkanit, nga mungesa e pranisë në masën e duhur nga SHBA dhe BE. Kjo ka sjellë rritje të problematikave duke inkurajuar zgjerimin e krizave dhe rritjen e polarizimit në vende si Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Turqia a gjetkë. Sepse boshllëqe të tilla në vende me demokraci të brishta, inkurajojnë forca, rryma dhe udhëheqës autoritarë që të diktojnë rregullat e tyre dhe të forcojnë pozitat. Kjo situatë më së shumti lidhet me perceptimin e krijuar pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, për një ndryshim të mundshëm të politikës së jashtme që mund të ndiqte administrata e re Tramp, edhe në rajonin tonë. Pas daljes së Britanisë nga BE, rritja e valës nacionaliste dhe populiste e shtrinë këtë paqartësi edhe në hapësirën e BE. Duke sjellë vetvetiu, frenimin e politikave të zgjerimit për vendet aspirante, me pasojë shtimin e pranisë dhe ndikimit rus në gadishull.

Në Shqipëri, opozita veç të tjerash kërkoi ta bazojë lobimin për mbështetje amerikane në aksionin e saj kundër mazhorancës, tek një teori konspirative që lidhej me ndikimin e miliarderit Xhorxh Soros tek drejtues të veçantë, apo tek vendimmarrjet e Qeverisë. Një qasje që u ndoq edhe në Maqedoni e Hungari, për nevoja të konsumit të brendshëm të politikës së ditës. E gjitha, duke dashur të shfrytëzonin një "armiqësi" të hapur të Presidentit të ri të SHBA Donald Tramp, ndaj filantropit të rrjeteve të Shoqërisë së Hapur në ish lindjen komuniste të Europës. Aq qesharake u bë e gjitha kjo, sa çdokush nga administrata amerikane apo nga Brukseli zyrtar, që mbante apo mban qëndrime kundër pritshmërive, anatemohet nga liderët politikë apo mediat pranë tyre në këto vende, si "sorosianë". Term ky i barasvlershëm me "armik publik".

Dy nga qasjet më të gabuara që kanë inkurajuar krizat dhe polarizimin në Ballkan, konsiderohen;

Së pari, ajo e politikës së stabilitetit që BE dhe SHBA ndjekin në vendet e rajonit, në kurriz të demokracisë. Duke inkurajuar për arritjen e qëllimeve afatshkurtra, udhëheqës autoritarë të cilët janë forcuar dhe inkurajuar në kurriz të lojës me rregulla dhe standarde demokratike. Kjo inkurajon një kulturë lidershipi me qasje hipokrite ndaj proceseve integruese, sepse veprat e tyre në praktikë, nuk përputhen me deklaratat dhe përbetimet publike.

Së dyti, loja e bllofit me zgjerimin. Pas BREXIT-it u pa qartë se BE nuk e kishte fare në plan zgjerimin me vende të reja anëtare. Frika e saj më e madhe u fokusua tek bllokimi i një reaksioni zinxhir që mund të pasonte referendumin britanik, duke u përhapur fillimisht në Hollandë, e më pas në Francë, a gjetkë. Fitorja e Emmanuel Macron, duket se i dha fund kësaj frike duke dekurajuar shumë dilema në vende të tjera. Kjo situatë inkurajoi për një farë kohe edhe liderët jo demokratikë në Ballkan, për të rritur aksionet deri me politika hapur antiperëndimore dhe antieuropiane. Qëndrime këto që u panë qartë edhe në Tiranë, tek lidershipi i opozitës dhe mediat pranë tyre, këto ditë e orë të nxehta kur negociohet dhënia fund e bojkotit për procesin e zgjedhjeve të 18 qershorit.

Pavarësisht të gjitha këtyre problemeve dhe shumë e shumë vështirësive të tjera nëpër të cilën po kalojnë proceset e ndryshimeve demokratike në një rajon historikisht problematik si Ballkani, duket sikur ka ende shpresë. Për aq kohë sa ndryshe nga 10, 15, apo 20 vjet më parë në Shqipëri e Kosovë, në Maqedoni, Malin e Zi, Serbi e Bosnje- Hercegovinë krizat zgjidheshin me armë, me përplasje, me luftëra dhe dhunë. Ndërsa sot, me gjithë vështirësitë e panumërta, ato kanë filluar të zgjidhen me paqe. Me bisedime. Me negociata. Me dialog. Megjithëse sërish me ndërmjetësim dhe angazhim të madh ndërkombëtar si nga ana e Gjermanisë e BE-së, ashtu edhe e Uashingtonit. Të cilët kanë sjellë dhe angazhuar direkt në këto procese, zyrtarët e tyre nga më të rëndësishmit, për raste të tilla krizash.

Kjo duket se po sjell gjithsesi si rrallëherë edhe në Tiranë dialog mes palëve, takime, negociata, tryeza e bashkëbisedim, për të gjetur zgjidhje në tavolinë. Për të shkuar drejt një procesi zgjedhor me pjesëmarrjen e të gjitha partive kryesore politike në vend.

Në Maqedoni pas shumë e shumë javësh krize, Zoran Zaev fitues i zgjedhjeve parlamentare, e mori më në fund mandatin nga Presidenti i vendit Ivanov, për krijimin e qeverisë së re së bashku me partitë politike shqiptare. Për herë të parë në historinë e këtij shteti, një shqiptar do të jetë Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, duke ndikuar me siguri në të ardhmen, për një bashkëjetesë më normale ndëretnike në këtë vend e për uljen e tensioneve gati gjithherë të pranishme.

Në Kosovë problemi më i madh konsiderohet paqëndrueshmëria politike e vendit dhe mungesa e një programi alternativ opozitar, larg sloganeve nacionaliste. Megjithatë, pas lirimit të Ramush Haradinajt nga burgu në Francë dhe rrëzimit të qeverisë së Isa Mustafës me votë në Parlament, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Ku aleancat e reja, kanë bërë bashkë tri parti politike udhëheqësit e të cilave kanë qenë drejtuesit e UÇK-së, e që sot i paraqiten zgjedhësve të bashkuar, me kandidat për Kryeministër, z. Haradinaj. Ndërkohë që President i vendit, është një tjetër ish drejtues i lartë i formacioneve çlirimtare, Hashim Thaçi. Qeveria e re ka përpara sfida shumë të vështira për të përballuar, të cilat kërkojnë lidership të fortë dhe vendosmëri e largpamësi politike.

Vakuumi që ka lënë kohët e fundit SHBA dhe BE në Ballkan, ka krijuar hapësirë dhe mundësi për penetrim më të shpejtë dhe gjithnjë e më të madh të Rusisë. Kjo gjë është parë jo vetëm në Serbi, por edhe në Malin e Zi në zgjedhjet e fundit parlamentare atje dhe në rrugëtimin e tij të vështirë për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO. Vetoja ruse mban të bllokuar Kosovës për anëtarësim në OKB. Ndërkohë që mediat ruse dhe ato ndërkombëtare, tregojnë qartë një shtim të pazakontë të interesit, pranisë ushtarake, të shërbimeve sekrete dhe ndikimit politik në rritje të Moskës, në rajon.

Rikthimi i të gjitha prozhektorëve të vëmendjes së merituar amerikane në Ballkan, zbatimi i strategjisë së re të zgjerimit nga BE pas Brexit-it drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor sipas idesë së Federika Mogerinit dhe rritja e kapaciteteve demokratike të këtyre shteteve për të përballuar krizat e brendshme dhe sfidat e integrimit, do dekurajojnë liderët e vjetër dhe praktikat e tyre antidemokratike. Duke inkurajuar forca dhe rryma të reja që të injektojnë një kulturë dhe një qasje të re demokratike në rajon. Një qasje ndryshe nga ajo e 20 viteve më parë, kur luftërat i detyronin në fund udhëheqësit e tyre, të nënshkruanin marrëveshjet mbi tryezat e paqes. Një qasje ku dialogu zëvendëson armët. Programet e zhvillimit zëvendësojnë planet e luftës. Lufta po ia lë vendin paqes. E ardhmja lë pas të shkuarën. E ku paqja ndryshk armët dhe lag barutin e një fuçie të vjetër, së cilës i vjen koha që të vendoset si relike, në muzeun e së shkuarës së Ballkanit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: