Bankat, informacion klientëve për çdo ndryshim

Bankat, informacion klientëve për çdo ndryshim
Ndryshon rregullorja “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”

Nëse keni lidhur kontratë me një bankë për një shërbim të caktuar, tani e tutje ajo do të jetë e detyruar që t’ju lajmërojë për çdo ndryshim të mundshëm të saj. Ky fakt parashikohet në rregulloren e re “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, e cila parashikon disa ndryshime kundrejt asaj ekzistuese që në vitin 2008. Konkretisht, sipas saj, parashikohet që secili klient i bankës që është subjekt i këtyre ndryshimeve do të lajmërohet në mënyrë individuale. Dhe kjo, sipas afatit dhe formës së përcaktuar në kontratën ndërmjet palëve, me shkrim, nëpërmjet mjeteve të qëndrueshme të komunikimit ose mesazheve telefonike. Por në të njëjtën kohë edhe  nëpërmjet afishimit të njoftimeve ose broshurave në ambientet e bankës, në faqen zyrtare të internetit ose me mjetet e komunikimit masiv. “Ky njoftim kryhet të paktën 15 ditë përpara se ndryshimet të bëhen të aplikueshme. Njoftimi duhet të përmbajë informacion të saktë, të plotë dhe të shprehur në një gjuhë të kuptueshme për klientin”, sqaron rregullorja në fjalë. Duke shtuar paskëtaj edhe faktin tjetër se në çdo rast, kushtet e kontratës nuk mund të ndryshohen pa u dhënë pëlqimi i klientit sipas përcaktimeve të saj.

Ndërsa në rregulloren ekzistuese deri më tani nuk përcaktohet asnjë afat i saktë kohor se kur klientit do t’i bëheshin me dije ndryshimet e kontratës apo të kushteve të saj. Sikundër, nuk përcaktohej qartë se klientit gjithsesi i mbetej në dorë vendimi për këto ndryshime, pra, për të dhënë pëlqimin rreth tyre ose jo.

“Banka duhet të parashikojë në kontratën e llogarisë rrjedhëse dhe të kursimit, mënyrën e njoftimit të klientit për ndryshimin e kushteve të kontratës së nënshkruar, para se të aplikojë ndryshimin”, citon më tej rregullorja e lartpërmendur.

Si ndryshojnë këstet e kredive, bankat të detyruara të lajmërojnë klientët

Nga ana tjetër, në rregulloren e re “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare” përcaktohet edhe fakti se bankat do të jenë të detyruara që ta informojnë klientin e tyre kredimarrës edhe për çdo ndryshim të mundshëm të këstit të tyre të radhës, apo edhe normave të interesit. Banka, në rast të aplikimit të një norme të ndryshueshme interesi, i siguron kredimarrësit, sipas formës së përcaktuar në kontratën ndërmjet palëve (me shkrim, nëpërmjet mjeteve të qëndrueshme të komunikimit ose mesazheve telefonike), të paktën një herë në 12 muaj, informacionin përkatës”, citon kjo rregullore. Për të detajuar më tej, se tek ky i fundit përfshihet edhe metoda e llogaritjes së kredisë, nëse ajo ndryshon prej bankës. “Edhe metoda e llogaritjes së shumës që detyrohet të paguajë klienti”, saktëson ajo. Duke përfshirë në këtë rast edhe normën e interesit dhe mënyrën e llogaritjes së saj. Gjithashtu, në rregulloren e re përcaktohet edhe fakti që banka duhet t’i lajmërojë klientët e saj edhe në rast të ndryshimit të mundshëm të kontratave për llogaritë rrjedhëse. “Banka duhet të parashikojë në kontratën e llogarisë rrjedhëse dhe të kursimit, mënyrën e njoftimit të klientit për ndryshimin e kushteve të kontratës së nënshkruar, para se të aplikojë ndryshimin”, citon ajo.

Edhe për ankesat, bankat duhet t’i trajtojnë me kujdes klientët

Edhe për ankesat që klientët mund të kenë ndaj bankave, rregullorja e re parashikon disa ndryshime. “Banka harton procedura dhe rregulla të brendshme për trajtimin e ankesave të klientëve, duke përcaktuar edhe strukturat përgjegjëse për ndjekjen e tyre”, citon ajo. Për të vijuar më tej me faktin se  “banka i siguron klientit informacionin e nevojshëm mbi procedurat për trajtimin e ankesave në mënyrë të shpejtë dhe të plotë”. “Në rastin e një ankese me shkrim nga klienti, banka duhet t’i japë përgjigje me shkrim atij rreth saj, brenda afatit kohor të përcaktuar në aktet e brendshme rregullative të bankës ose në kontratën përkatëse ndërmjet klientit dhe bankës”, sqarohet më tej në rregulloren në fjalë. Për të shtuar gjithashtu faktin se banka evidenton në një regjistër të veçantë, të dhëna për çdo ankesë të klientëve që ka lidhje me zbatimin e kërkesave të kësaj rregulloreje, informacion mbi zgjidhjen e këtyre ankesave, si dhe të dhëna të tjera plotësuese të nevojshme. “Masat mbikëqyrëse dhe ndëshkimore Banka e Shqipërisë, në rast mosplotësimi të detyrimeve të kësaj rregulloreje, zbaton masat mbikëqyrëse dhe ndëshkimore të parashikuara në ligjin “Për Bankat” dhe në aktet e tjera nënligjore, në zbatim të tij”, përfundon rregullorja.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: