Besëlidhja në CAS, për 3 pikët e Superiores

Besëlidhja në CAS, për 3 pikët e Superiores
Besëlidhja kërkon tre pikët në tavolinë, për takimin me Kamzën, që ishte programuar të luhej fundjavën e kaluar.

Kjo ndeshje nuk u zhvillua, pasi pak orë para ndeshjes forcat e rendit lajmëruar se nuk mund të siguronin mbarëvajtjen e saj. Klubi lezhjan ka Apeluar sot në FSHF vendimin e marrë nga Komisioni i Disiplinës që e cilësoi si të pabazuar në rregullore kërkesën e Besëlidhjes, duke respektuar afatin e fundit të parashikuar për rekursin i cili tanimë është objekt i Komisionit të Apelit.

Por klubi i Besëlidhjes nuk do të ndalet me kaq, pasi edhe në rast të hedhjes poshtë të kërkesës në Apelin e FSHF-së, duket i vendosur ta ndjekë këtë çështje në instancat e tjera të drejtësisë sportive, deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë.

Ndeshja e Grupit A, në Kategorinë e Parë, mes Kamzës dhe Besëlidhjes, do të vendosë se cila prej dy skuadrave, që kanë pikë të barabarta në krye të renditjes, do të ngjitet vitin tjetër në Kategorinë Superiore.

Policia e Shtetit lajmëroi FSHF-në rreth një orë e gjysmë para ndeshjes së programuar që të luhej në  Kamëz, mes ekipit vendas dhe Besëlidhjes, për moszhvillimin e këtij takimi. Policia dha si argument se në këtë takim mund të kishte incidente. FSHF ende nuk ka përcaktuar një datë të saktë për zhvillimin e këtij takimi, pasi pritet vendimi i Apelit për vendimin që duhet të marrë, ndërkohë që me animimin në CAS çështja bëhet edhe më e ndërlikuar. Në Grupin B, skuadra tjetër që siguroi ngjitjen në Kategorinë Superiore ishte Lushnja.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: