Bukë dhe politikë!

Bukë dhe politikë!
Nga Juela Meçani

Thash të bëja një copë rrugë me autobus. Drejt zyrave të punës, më takonte të merrja unazën e meqenëse nuk ishte orar i ngjeshur, pranova sfidën me veten që të duroja ca stacione. Nuk preferoj të udhëtoj me autobus, asnjëherë, jo për snobizëm, aspak, por sepse i urrej frenimet e rënda e të papritura të shoferëve të papërgjegjshëm. Dihet që edhe aromat e pakëndshme vazhdojnë të jenë me shumicë. Thënë shkurt, nuk i dua fare. Por e shkela rregullin tim të brendshëm, dhe hipa në stacion. Ndjeva menjëherë aromë atletesh të palara dhe djerse.

Oh! Mos u neveritni! Nga kjo nuk ka shans të shpëtosh! Por ajo që më bëri të më përzihet më shumë, ishte një dialog-sherr-bisedë mbi politikën dhe fushatën, mes faturinos, shoferit dhe një pasagjeri të shëndoshë me bluzë me vija, me sa duket ish-koleg i tyre i hequr nga puna. Shoqnia “udhëheqëse” e mjetit motorik, e kishte marrë seriozisht tempin e fushatës dhe të gjithë ne të tjerët na kumbonin veshët, sepse vetëm bisedë nuk ishte, ishte një përplasje bërtitjesh e sharjesh mes një “elektorati” lejla, një “blu” e një “të kuq”. Flisnin pa doreza fare, se kush i kishte futur në punë, sa vetë do hiqte njëra forcë politike nga puna sa të vinte, filluan emrat e kolegëve me radhë, deri në brez të tretë, se me cilën parti ishin.

Shoferi, - ai më i zjarrti mes të treve, - zinte be kokën e kalamajve ???????, se do të bënte paketë gati 200 vota për “inot” të komshiut. Fatorino, gjithashtu, ulërinte me kast, që ta dëgjonin të gjithë, se shef të mirë kishin së fundmi, djalë zotni, që nuk i kontrollonte kurrë e nuk i bënte presion, si ai tjetri. E do punonte me të, në një lagje “elektorale”.

E gjithë kjo bisedë “zgjedhore” zhvillohej haptazi, në prani të një turme me njerëz të vaposur, të cilët kishin hallet e tyre dhe dukeshin që nga portretet që kjo bisedë ishte e vetmja që nuk u duhej fare. Me pamjen nga xhami i zgjyrosur, teksa kundroja pamjen e betonuar të Tiranës, - sa për të humbur vëmendjen, - sigurisht që ky pasion i çmendur më stresoi. Ata ishin tre njerëz të varfër, me tolerancë ta themi, të mesëm. Familjarë, edhe mundet. Patosi, energjia, adrenalina që po përdornin për politikën, në hapësirën e vetme që u ishte dhënë, ishte deri në absurd.

Pjesë e demokracisë edhe kjo, por kudo tjetër, janë shumë të rralla rastet kur politika hyn kaq thellë, kthehet në një argument përditshmërie a thua se të gjitha fijet e jetës janë të lidhura me të.

Çfarë mund të ndikojë një masë njerëzish me qindra probleme të tjera, të merren kaq shumë me një temë që i kalon përmasat e dijeve të tyre? Të gjithë me sytë nga politika. Bukë dhe politikë? Ende tranzicion?

Në një popull me shumë boshllëqe, sa shpresëdhënëse është që të gjithë jetën, profesionin, të ardhurat, të ardhmen, ta presësh vetëm nga luhatjet e politikës?

Kjo është e dhimbshme, është fatale, për një komb kaq të vogël! Ne jemi gati të gjithë, fis e farë, një pikë në oqeanin e botës. Të gatuar si një “gjellë pa mish”, fatkeqësisht, jemi të indoktrinuar që t’i japim shije jetës vetëm me politikë. Po shëndeti? Po cilësia e jetës? Po arsimimi i brezave? Po punësimi?

Dakord jam që kanë lidhje me politikat, por si mund të jenë jetët tona dhe të atyre që duam, të varura vetëm nga politika? Kur ekuilibrat prishen dhe intrigat ngatërrojnë dynjanë, skemat thuren si rrjetë merimange dhe paaftësia gëlon, ku vemi ne? Ku gjejmë shpëtim?

Bukë dhe politikë, sepse kemi pranuar të jemi pjesë e një formati, pa kushte. Bukë dhe politikë, sepse kemi vendosur në heshtje të japim nga liritë tona, të presim nga të tjerët, pra, të jemi rob. Politika nuk është më për të shërbyer, por për të përzier mendjet. Bashkë me vapën, ajo sjell dhe një intoksikim të trurit, mes njerëzish që duhet, në fakt, ta kalojnë ditën për t’u bërë më të mirë, për veten e për ata që i rrethojnë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: