Çfarë “loje” po bëhet me datën e zgjedhjeve

Çfarë “loje” po bëhet me datën e zgjedhjeve
INFO-ANALIZË / Ndërsa është rikthyer në tryezë paketa McAllister për kompromis, duket se rolet e palëve kanë ndryshuar. Opozita ka thënë një “Po” me zë të lartë, ndërsa mazhoranca ka lëshuar vetëm një deklaratë kontradiktore. A është e mundur të realizohet ajo që pretendon PS për zgjedhje me pjesëmarrjen e opozitës më 18 qershor dhe brenda kuadrit ligjor?

Alket Aliu

Një muaj më parë, kur eurodeputeti David McAllister paraqiti paketën për zgjidhjen e krizës, Kryeministri Rama pranoi menjëherë, ndërsa kryetari i opozitës, Lulzim Basha e refuzoi. Pothuajse të njëjtën paketë, të paraqitur nga diplomati amerikan Hoyt Brian Yee, opozita ka deklaruar se e ka pranuar, por ka shtuar se mazhoranca e ka refuzuar.

Nga mazhoranca nuk ka asnjë deklarim të qartë. Në të vetmen deklaratë të Partisë Socialiste, shprehet keqardhja “për abuzimet mediatike të të ashtuquajturit koalicion opozitar”, por nuk thuhet asgjë për të kuptuar se si është, sipas saj, e vërteta.

Në rastin e propozimit të fundit, duket se gjërat janë shumë të thjeshta. BE dhe SHBA kanë vënë një propozim mbi tavolinë, një propozim të cilit i duhet thënë thjesht një “Po” ose “Jo”.

Nga informacionet jozyrtare, duket se palët kanë ngecur në një çështje që duket më shumë teknike se politike: nëse zgjedhjet duhet të zhvillohen më 18 qershor, në korrik apo në shtator.

“Për Partinë Socialiste, rezultat pozitiv do të thotë garanci si asnjëherë për opozitën në zgjedhjet e 18 qershorit, në respekt të Kushtetutës, ligjit, interesit të qytetarëve shqiptarë dhe sugjerimeve dashamirëse të partnerëve tanë ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratën e partisë kryesore të mazhorancës, ndërkohë që dy partitë e tjera, LSI dhe PDIU kanë bërë thirrje që Kryeministri Rama të pranojë paketën e ofruar nga ndërmjetësuesi amerikan.

Deklarata e PS-së duket kontradiktore. Flet për garanci për opozitën, për zgjedhjet në 18 qershor dhe për respektim të Kushtetutës dhe ligjeve. Tre elementë që nuk mund të qëndrojnë bashkë.

Tashmë dihet se prej disa javësh ka skaduar afati ligjor për regjistrimin e partive opozitare në zgjedhjet, nëse ato do të zhvillohen më 18 qershor. Pra:

  • Në 18 qershor mund të zhvillohen zgjedhje me pjesëmarrjen e partive opozitare vetëm nëse shkelet ligji;
  • Në 18 qershor mund të zhvillohen zgjedhjet duke respektuar ligjin vetëm duke përjashtuar opozitën nga zgjedhjet;
  • Mund të respektohet ligji, mund të marrë pjesë opozita në zgjedhje, por duhet caktuar një datë që të shkojë përtej 70 ditëve, që është afati i regjistrimit, pra rrëzohet 18 qershori.

Zgjidhje tjetër nuk ka, pasi në ligj përcaktohet qartë se as ndryshime nuk mund të bëhen në Kodin Zgjedhor 6 muaj përpara zgjedhjeve.

Në paketën e ofruar një muaj më parë nga McAllister, paketë e pranuar asokohe nga Kryeministri Rama, flitej edhe për shtyrjen e zgjedhjeve më 16 korrik. Nëse një muaj më parë, data 18 qershor nuk ishte aq “e shenjtë” dhe “kushtetuese”, nuk  është dhënë asnjë argument më shumë që sot të jetë ndryshe.

Në thelb, “loja” me datën e zgjedhjeve duket më shumë politike se teknike apo ligjore. Një “lojë” që ka fare pak argumenta, por shumë rreziqe.

Duket si tepër ironike që një datë zgjedhjesh të rrezikojë gjithë stabilitetin politik e shoqëror të vendit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: