CILËSITË E FANDIT SPATHI - Nga APOLLON BAÇE

CILËSITË E FANDIT SPATHI - Nga APOLLON BAÇE
Nga APOLLON BAÇE

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Moj Lutë, Moj faqebutë,

Të hëngsha në supë, të pifsha në kupë!

Ç’e do Masarin, zuzarin, gomarin.

Po merr Beharin, manarin,

Që lufton e bje theror,

Jo për lakror, por për “Arbëror”!

                                    Th. Spiri, Zagori

Më 18 maj Rama shpërtheu në një monolog krenarie kombëtare kundër ndërkombëtarëve: “Pjesën antiligjore dhe fyese të paketës McAllister, nuk e gëlltisja dot... Fajin e kemi vetë.. Kanë ndjerë që nuk meritojmë më shumë respekt se sa zgjidhja me paketa të çuditshme... S’kam më nevojë që ta bëjmë këtë në anglisht me ndërhyrjen e ndërkombëtareve”. Vërtet Rama nuk pyet për “ndërkombëtarët”? As për ata të Trampit Tramp?

“Kush ndikoi?” pyet retorikisht Berisha: “Pa diskutim përfaqësuesi i qeverisë Amerikane... Rama në momentin më të fundit vendosi të marrë një kthesë të madhe. E mori se i treguan kartonin e kuq” (duket të verdhin e gëzonte që nga koha e pagëzimit të Trampit “qoftë largu”).

Duke u rikthyer tek Rama, Rama i tha publikut socialist: “S’kam më nevojë që të huajt të më bëjnë shkesin”. Bukur dhe prerë: vend i lirë, dashuri e lirë pa shkes. Por për këtë shtoi ai, m'u desh që t’i lutesha Bashës “Hajt’ takohemi, hajt’takohemi, aq sa dhe Romeo nuk i lutej Zhulietës”.

Kjo merr dhe e zhvendos tërë shfaqjen në Veronën e shek. 15, ku Romeo Rama me xhaketë pulla- pulla, tip ISIS, i thotë me dialekt maço Zhuljeta Bashës “Luli, erdha unë”. Dhe ku Zhulieta Basha, lehtësisht e skuqur dhe e emocionuar, i përgjigjet mekur “Shko, shko se aty e kemi punën”. “Po aktrove mirë mashtron të tjerët, po aktrove keq mashtron veten” thotë një nga rregullat bazë të aktrimit.

Shtrëngimi i duarve garipçe/skiç pas dy orëve “tête à tête” tregoi se flirti nisi dhe, pa ju ndarë Shekspirit, kjo solli frymën lehtësuese të komedisë “Është e mirë gjithçka që merr fund mirë”. D.m.th. një parlament qumësht e mjaltë, me Gaztor të Madh, vetë Nëmësin e Madh Berisha. Ku me shakatë fine të gaztorit qeshën sa s’ka Doshi/Vokshi, Noka/Ndoka, Meta/Bzheta. Keq kjo? Keq që u pajtuan dhe qeshën, kur normalisht do vazhdonin të çirreshin e zireshin? Zot na ruaj. Si keq? Askush nuk ja ka më ngenë teatrit çadresk, thyerjes së xhamave dhe shpimit të gomave të makinave “të zyrtarëve plehra” nga mobi militant dhe arrestimeve të mobit militant nga “zyrtarët plehra”.

Por a nuk do kish qenë paksa më mirë sikur shqiptarëve ti ishin kursyer ato sharjet me zhargon fshesaxhijesh “Kastravec hyni, kastravec doli/do ti çoj një kastravec 16.5 cm të gjatë”, pështyrjet, gërricjet, gjakosjet dhe pastaj fjetjet bashkë. Ti ishin kursyer edhe ato hedhjet e pabesa dhe befas në det toptan të tërë themeluesve, krijuesve, drejtuesve, sejmenëve, besnikëve, aleatëve, ministrave, drejtorëve dhe inspektorëve. “Lësho e lësho, e varrosi Rilindjen për të shpëtuar lëkurën... E mbyti qeverinë dhe doli vetë në breg, gjë që se bënte dot kurrë Sali Berisha”, - thotë Sali Berisha. I cili ndihet shumë keq po s’gjeti ndonjë cep për të lëvduar Sali Berishën. Pavarësisht se vetë i ka flakur në det nja 2-3 qeveri dhe se 100 % vepra e tij Bashë, sapo flaku në det themeluesit dhe figura kyçe të partisë, gjysmën e ish deputetëve dhe forumet rinorë (çka do ta paguajë mjaft keq në zgjedhje) dhe tërë satelitët çadristë: Të kuq e të zinj, Republikanë, Demokristianë, Ballistë, Kombëtaristë, Agraristë. Duke ju hedhur fyeshëm (vetëm disave) ndonjë salvaxhente sa për të shpëtuar kokën por jo partinë. Duke mbajtur veç ndonjë butak pa shtyllë kurrizore dhe pak teknicienë, Duke i zëvendësuar tërë të tjerët me qilima të markës No Name: Me Gardën e Re Republikane të Republikës së Re. Emër që në mënyrë komike ja huajtën nga Nouvelle République e Napolonit III, nipit karikaturesk të Napolonit I të Republikës së Vjetër.

Heqja nga tufa e letrave e dyshave, treshave, xholave, aseve, mbretërve dhe mbretëreshave, tregon se loja po synon drejt fandit spathi. Të cilin ngado ta rrokullisësh mbetet po fand spathi. Tashti që u njësuan plotësisht a është PS, respektivisht Rilindja, lart dhe PD, përkatësisht Republika e Re, poshtë, a Republika e Re lart dhe Rilindja poshtë, pak ka të bëjë. Çdo 8 vjet fandi spathi rrotullohet.

“Unë” thotë ai-ja “e pata shumë të vështirë të hartoja listat”. Mor po kush je ti unë/ai që nuk pyet për askënd, as për statut, as për Komitet Drejtues? Kjo dhe të përball me mëdyshjen vërtet këto lista janë një vepër thjesht e Bashës pa Berishën (të cilit as në mend nuk i shkonte të ngjirej pa lejen e Berishës) apo e BB-së, jo Brizhit Bardosë, por Berishë/ Bashës? Nëse është një vepër neto Basha, bravo i qoftë. “Është perfekt” tha protagonisti i një filmi me alienë për një superkacabu alien. “Nuk ka pikën e skrupullit, mund ti hajë edhe prindërit”.

Dhe tashti, me qenë se të dy kokat u barazituan, na lind e drejta të pyesim: Shqiponja e demokraturës zyrtare shqiptare është një shqiponjë me dy krerë, apo dy shqiponja me një bark. E tipit vëllezër siamezë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: