Ç’U BËNË ATA TË BE-së?... - Nga FRROK ÇUPI

Ç’U BËNË ATA TË BE-së?... - Nga FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ka disa ditë që na mungojnë. As zonja Mogherini, as zoti Flenckenstein, as Kukan, as ambasadorja Vllahutin... Televizionet kanë ‘mbyllur’ ekranin, jo specifikisht për këta, por sepse reporterët nuk i kapin dot më këtu rrotull. Duket si në një moment kur kishe ndezur në maksimum ajrimin e ambientit..., vetëm kur e fik kupton çfarë i kishe bërë vetes. “Ou, ku paskemi qenë?!”. Zhurmë e madhe!

Po tani nga vajtën ata? Prej disa ditësh nuk i kemi më nëpër këmbë, madje që në ditën e 90 të Çadrës së Protestës. Ishim mësuar ‘keq’, si me presionin e ajrimit...

Si paska nisur kjo ‘epokë’ e re e klimës sonë sociale me të dërguarit e BE, që sipas terminologjisë së analistëve perëndimorë po quhen ‘burokratë’ të Europës, ose edhe ‘establishment’, ose edhe ‘liberalët’!?... Tani ata edhe mund të na duken ‘të bezdisshëm’ siç u bënë kohët e  fundit.  Nuk është vetëm fakti se tashmë shqiptarët janë ‘çliruar’ disi nga komplekset nga të huajt dhe nga europianët- sidomos. Nuk ka të bëjë as me faktin se tashmë edhe shqiptarët janë maturuar në sjelljet demokratike dhe nuk mund të presin çdo gjë si zogj në çerdhe...

Zhurma që krijuan në boshllëk zyrtarët e ardhur nga BE për zgjidhjen e krizës sonë politike, u teprua aq shumë sa tani na duken se ‘na ranë veshët rehat’. Megjithëse kriza politike, në fakt, nuk është zgjidhur përfundimisht këtu, ata nuk janë. Megjithëse grindjet brenda partisë janë ngritur në kulm, përsëri ata nuk janë. Ata mund të thonë se ‘kjo është punë e brendshme’, por në fakt punë e brendshme ishte edhe ‘Çadra’ ku u shfaqen bujshëm. U helmua publiku që mori pjesë në mitingun e opozitës, dhe përsëri ata nuk ishin as për një fjalë të vetme. Po të kishte ndodhru në Siri, me siguri zonja Mogherini do të kishte folur...

Po ç’u bënë ata?

Një e vërtetë është se ata edhe kur ishin, në fakt nuk ishin. Të dërguarit e BE mbajtën qëndrime thuajse individuale ndaj krizës sonë politike. Flenckenstein mbrojti një grupim nga Soros që ndodhet brenda politikës shqiptare, sepse vetë është një prej personave të rëndësishëm të ‘Shoqërisë së Hapur’ të Soros. Zonja Mogherini mbajti anën e majtizmit të saj të fortë në rini, kur nuk pajtohej me krijesën ‘BE’. Zoti Kukan, edhe pse një djathtist i radhitur, i përket shkollës së Bashkimit Sovjetik. Ambasadoresha Vlahutin është një misionare e instaluar tërësisht në anë të qeverisë- siç edhe është konstatuar fort... Të dërguarit e BE ishin këtu, por ishin të paaftë për të zgjidhur gjë.

Vetë BE tashmë është një organizëm në krizë, që nuk ka asnjë mundësi për zgjedhje e krizave. Aq më pak në vende të Ballkanit, ku ka një dorë të padukshme të Rusisë që tenton zgjidhjet e veta.  Diplomati amerikan Hoyt Yee, i cili u kthye në një forcë vendimtare për zgjidhjen e  krizës, që nga Beogradi, në një intervistë, nënvizon se ‘është shumë e rëndësishme që Rusia të mbahet nën detyrimet e ligjit ndërkombëtar” në raport edhe me Ballkanin Perëndimor, tha ai. Por këtë as që mund ta bënin të dërguarit e BE, as vetë BE. Atë që dështoi nga BE, e bëri Amerika; dmth., edhe vetë zgjedhjen e krizës.

Atëherë pse duhej të ndodheshin përsëri këtu ata të BE-së, pas një dështimi si ai që ndodhi?!

Ka edhe arsye të tjera pse ata nuk ndodhem më këtu:

Këtu po ndryshon ‘klima’ dhe me siguri nuk është e përshtatshme për të dërguarit që kishim mes nesh. Brenda në qeveri ka disa ministra të dërguar nga Opozita; dhe kjo prish komoditetin e të ardhurve për shkak të disa favoreve që u krijohen. Ose edhe për një ‘ngrefosje’ që bëjnë të ardhurit nga BE, të cilët e mendojnë veten ‘shpëtimtarë’ të Shqipërisë.

Ka ndryshuar edhe raporti me të vërtetën. Ambasadorët e BE dhe të dërguarit e tjerë, megjithëse të shpeshtë  në aeroporte, në zyra dhe në televizione, nuk mundën të thonë të vërtetat reale të vendit. Tani është shumë vonë për të folur për to. A nuk mbajmë mend se për një vit të tërë askush nuk tha një fjalë për kultivimin masiv kombëtar të drogës?! Edhe pse droga mori rrugët drejt vendeve dhe qytetarëve të BE, ata nuk arritën të thonë as fjalë të vërteta rreth saj. Hamendjet pse nëpunësit e BE u bënë ‘memecë’, janë të shumta dhe të hidhëta; por ajo çfarë ka ndodhur- ka ndodhur.  Tanimë nuk është klimë memecërie. Sot është ndëshkuar zyrtari i parë shqiptar që tentoi të marrë pjesë në fushatë elektorale... Po sikur të kapet një ‘i dërguar’ nga BE që ngatërrohet me drogën ose me përfitimin tjetër, vallë çfarë mund të ndodhë?!

Ka ndryshuar ‘klima’ prandaj nuk shtegtojnë më ‘gjahtarët’. Ne tani thjesht po konstatojmë se nuk janë këtu mes nesh dhe bekojmë fatin që ‘na ranë veshët rehat’.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: