DHUNA MBI ARBANËN NISI NË RRJET! OPINION NGA ILDA LUMANI

DHUNA MBI ARBANËN NISI NË RRJET! OPINION NGA ILDA LUMANI
Nga ILDA LUMANI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Mëngjesin e së shtunës e nisa me një lajm të trishtë: "Një gazetare, aktiviste, një femër që mendon ndryshe dhe që bën si e mendon, dhunohet natën nga maska e burrave pa burrni, e mendjeve të ndotura... Ju mendoni se mbillni frikë? Ju mendoni se urrejtja juaj do zgjoj urrejtje? Ju jeni për të ardhur turp... Jeni të mjerë!" Ishte statusi i një mikeshe time ne rrjet, e mandej mësova në portale ngjarjen e tmerrshme, skandaloze të dhunimit të gazetares Arbana Xharra, ndërsa është rrahur pranë banesës së saj në Prishtinë.

Hyra në portale dhe fotot e saj nga spitali, ku shenjat në fytyrë dhe këmbët e copëtuara, getat e grisura dhe i njëjti fustan që mbante edhe gjatë intervistës së vetëm pak orëve më parë në Vizion Plus, ishin panorama e një veprimi, të ardhur nga një tjetër kohë. Dhuna ishte më se e harruar për realitetin shqiptar.

Të paktën prej vitesh nuk kemi raste të masakrimit të një gazetareje, tashmë pjesë e politikës.

Solidariteti në Shqipëri ishte maksimal. Kolegë, njerëz të medias të njohur e të panjohur, u rreshtuan me statuse e komente në rrjet krah Arbana Xharrës, Ulpina Lama, Eliza Hoxha, Rudina Xhunga, Arbër Çepani, Berat Buzheli, Turjan Hyska shkruajnë dhe mbështesin guximtaren e medias, e cila tashmë është krah politikës si pjesë e PDK-së te cilën dikur e pati sulmuar.

Në vetëm pak ditë që ajo u bë pjesë e politikë,s duke lënë profesionin e gazetares e duke u rreshtuar me vendimmarrësit, Xharra ka pasur një sulm të madh në rrjet dhe jo vetëm. Prej miqve kolegë të saj, ajo ishte lënduar më shumë. Kështu u shpreh këtë të premte ish-kryeredaktorja e Zërit, e cila në daljen e saj publike në ekranin e Tiranës, nuk hezitoi të fliste haptas edhe njëherë, për islamizimin e Kosovës apo Shqipërisë, për ndikimin e Erdoganit më shumë sesa të Perëndimit...

Shumë ide e hamendësime janë hedhur pas këtij rrëfimi të saj, secila prej deklaratave të saj shkaktoi atë ngacmim ekstremist që çoi në dhunimin e Xharrës. Komentuesit janë me qindra. Paraprakisht mendova se do të ishin pro saj, por teksa lexova për mbi tre orë komente e opinione të njerëzve, u shtanga!

Në mos pjesa më e madhe, gjysma e tyre justifikonin këtë dhunë me faktin se Xharra e ka provokuar vetë këtë situatë, me komentet kundra myslimanëve...

Apo edhe teori të tjera konspirative, se dhuna është sajuar nga vetë mbështetësit e saj. Cilado qoftë e vërteta e kësaj historie, ajo është e dhimbshme, e turpshme, kthim pas, e turpshme, për ne si shqiptarë!

Gjithë ato komente kundër Arbana Xharrës më duken hosana për dhunën dhe dhunuesin! Kjo është më e rëndë se dhuna fizike!

Rasti i Xharrës më kujtoi fshikullimin që i bënë gati një vit më parë, deputetes së BDI-së, në Maqedoni, Ermira Mehmeti.

Sulmi në rrjet ndaj Mehmetit, ishte po kaq i rëndë, kaq vrastar! Ermira u shantazhua për një bisedë telefonike mes saj dhe zv. kryeministrit të Maqedonisë, Musa Xhaferi. Ajo e denoncoi si montazh në prokurori këtë ngjarje dhe premtoi, në atë kohë, se: "Do dal nga kjo histori e shëmtuar dhe ju siguroj që nuk mbyllem në shtëpi e të qaj, por do ta çoj deri në fund, për të zbuluar publikisht, kush pretendon të marrë përfitime politike, financiare, duke shantazhuar. Unë nuk tërhiqem, sepse nuk kam asgjë për të fshehur!"

Por sot, vetëm një vit më pas, Ermira Mehmeti nuk është në jetën politike të Maqedonisë, ajo është larguar nga vendlindja, ku ishte kthyer (nga ShBA) për të dhënë kontributin e saj.

Arbana Xharra la gazetarinë pasi: “Erdhi një moment pas kërcënimeve, sidomos këto të fundit që pata, gjithë ato shkrime për radikalizëm, gjithë ato shkrime për korrupsion, e pashë që e ndjeva nevojën të dal në anën tjetër të vendimmarrjes, të bëj përpjekje që kauzat e mia të cilat kam qenë e angazhuar për një kohë të gjatë, t'i shty në vendimmarrje!"

A do ta ketë forcën pas kësaj ngjarjeje, Arbana të mbajë premtimin që pohoi për gjithë shqiptarët, të premten në mbrëmje?!

Uroj që skepticizmi im të dështojë dhe Arbana të ngrihet mbi dhunën e së premtes dhe atë të ditëve me radhë, që përjetoi dhe po përjeton në rrjet!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: