Dinamo...lavdia e sportit drejt zhdukjes!

Dinamo...lavdia e sportit drejt zhdukjes!
Dinamo si “ngushëllim” do të ketë sezonin që vjen rënien e Tiranës në Kategorinë e Parë, ndaj së cilës do të luajë edhe ndeshje derbi, ndeshje që dikur ishin historia e futbollit tonë. Ironikisht para rënies së klubit më me shumë trofe në vend, Tiranës, që numëron 24 tituj kampionë dhe 15 trofe të Kupës së Shqipërisë, në Kategorinë e Parë ndodhet Dinamo, ekipi i dytë më i suksesshëm në Shqipëri. Të dyja bashkë numërojnë 42 tituj kampionë dhe 30 trofe të Kupës së Shqipërisë, në 78 kampionate gjithsej.

Historia e Dinamos

18 herë kampione e Shqipërisë: 1950, 1951, 1952, 1953, 1955, 1956, 1960, 1966–67, 1972–73, 1974–75, 1975–76, 1976–77, 1979–80, 1985–86, 1989–90, 2001–02, 2007–08, 2009–10

9 herë nën-kampione e Shqipërisë: 1954, 1957, 1961, 1962–63, 1963–64, 1970–71, 1980–81, 1984–85, 2003–04

13 herë fituese e Kupës së Shqipërisë: 1950, 1951, 1952, 1953, 1954, 1960, 1970–71, 1973–74, 1977–78, 1981–82, 1988–89, 1989–90, 2002–03

6 herë në finale të Kupës së Shqipërisë: 1972–73, 1976–77, 1978–79, 1981–82, 2001–02, 2003–04

 

Nga Aranit Muraçi

Nëse një i huaj, tifoz, sportist, apo drejtues sporti, do të vizitonte sot Dinamon që ka mbetur pa klub dhe pa kompleks, dhe nga ana tjetër shfleton historinë e këtij ekipi, me siguri do të shtangej.

Kur u hodhën themelet e kompleksit “Dinamo”, Faruk Sejdini tregon se ishte një ndër ata që vendosi tullat e para aty. Thotë se e vendosi me gëzim, po aq sa krenar për të kaluarën e tij tek ky klub. Ish-futbollisti dhe trajneri i shquar i Dinamos, Faruk Sejdini, kur sheh lavdinë që “rrokulliset” si të mos kishte ekzistuar asnjë ditë, “të shpreh keqardhje tani,” - thotë se është pak. “Nuk e kuptoj, pse nuk e duan Dinamon në Tiranë. Ka Dinamo në Zagreb, Bukuresht, Moskë, në Dresden  të Gjermanisë, Tbilis, Kiev etj. Por Tiranës pse nuk i duhet ky emër plot lavdi?”. Dinamo zyrtarisht u themelua më 3 mars 1950 nga Ministria e Brendshme e regjimit komunist. Me të njëjtin emër, pas Luftës së Dytë Botërore ky ekip u themelua jo vetëm në Shqipëri.

Dinamo si ekip ekziston në shumë vende të bllokut lindor. Në Shqipëri Dinamo u krijua me të njëjtën histori si edhe Partizani, por në ndryshim këtë emër e has jashtë vendit tonë vetëm në një kryeqytet tjetër, Beograd, ku nuk ka pasur dhe nuk ka si të ketë as sot Dinamo. Çuditërisht dhe në mënyrë paradoksale, përveç Dinamos së kryeqytetit tonë, asnjë ekip tjetër me emrin Dinamo në vendet e tjera, nuk pati të njëjtin fat. Zagrebi, Bukureshti, Kievi e Dresdeni nuk e lidhën me të kaluarën komuniste emrin e Dinamos, por e mbajtën ashtu siç ishte, me historinë saj, dhe e zhvilluan ashtu siç edhe e kanë sot, kudo mbetet një emër i madh. Në Moskë, Dinamo këtë vit u ngjit në elitën e futbollit rus. Në Kroaci u shpall nën-kampione, ashtu sikurse dhe në Ukrainë. Në Rumani Dinamo zuri vendin e gjashtë. Në Gjermani ishte shumë pranë ngjitjes në Bundesligë. Jo vetëm kaq, por ekipi tjetër me emrin Dinamo më pranë Tiranës, ai i Zagrebit konsiderohet një “thesar ari” për futbollin kroat. Të rinjtë e talentuar të këtij klubi kërkohen në çdo merkato, nga klubet e pasura, në Europë, deri në 10 mln euro.

Në Shqipëri, në vitin 1995, disa mendjendritur për të lënë pas të kaluarën komuniste, menduan se duhet ta nisnin me sportin dhe se nuk duhet të kishte më Dinamo dhe iu ndryshua kësisoj emri në “KS Olimpik Tirana”. Marrëzia zgjati dy vjet për t’ia kthyer sërish në vitin 1997 emrin e saj origjinal që mban edhe sot. Por sot çfarë i ka mbetur ekipit të Dinamos sot, përveç historisë që ia njohin të gjithë dashamirësit e sportit. I ka mbetur vetëm ekipi i futbollit, që stërvitet në kompleksin që njihet nga të gjithë me emrin “Dinamo” por ligjërisht pak muaj më parë ka kaluar në varësi të ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Godina e kompleksit i kaloi në përdorim FSHF-së, ku do të jenë zyrat e saj të reja.

Dinamo e këtij sezoni që rezistoi dhe qëndroi në Kategorinë e Parë, stërvitet në të njëjtin kompleks ku stërvitet edhe Kukësi, i saposhpallur kampion në Kategorinë Superiore, Sopoti i Librazhdit, Internacional i Tiranës, të rinjtë e Partizanit, por edhe ekipe të tjera. Dinamo stërvitet jashtë orarit të përshtatshëm, si të ishte ajo mysafire. Në mënyrë konfidenciale, na thonë se Dinamo nuk lejohet stërvitet normalisht, as si mysafirët në kompleksin e vet, sepse nuk duan t’ia dinë shumë për historinë dhe për emrin e saj. Sot është koha e parasë dhe klubet e tjera që ia kanë pushtuar kompleksin, paguajnë “interpretuesit e ligjit”, ndryshe nga Dinamo, “me apo pa kasë”. Dinamo nuk e ka parë të logjikshme të paguajë “qera”, sikurse askush nuk paguan para për shtëpinë e tij. Sot vetëm ekipi i futbollit mban emrin “Dinamo”. Ekipet e shumësportëshit “Dinamo”, që me volejbollin e femrave në kohën e Ela Tases shkruan historinë e sportit shqiptar në Europë, prej disa vitesh janë shkrirë. Pra, nuk ka më emër Dinamo, veç ekipit aktual të futbollit, që po mbahet falë investimeve të presidentit që e shpalli për herë të fundit kampion, Besnik Sulaj. Por a do t’ia dalë Dinamo të ruajë emrin, për të mos u harruar historia e saj e lavdishme, sikurse Partizani, në një kohë kur patenta dhe historia, në kohëra moderne, blihen shtrenjtë...shumë shtrenjtë? Dinamo, një tjetër paradoks shqiptar!

 

Igli Allmuça, flet trajneri i ekipit të vetëm që i ka mbetur klubit Dinamo:

“Për të shpëtuar Dinamon, shteti të veprojë si me Partizanin”

Igli Allmuça, një nga lojtarët që u shpall kampion për herë të fundit me Dinamon, aktualisht është trajner i këtij ekipi. Allmuça në karrierën e tij ka luajtur me ekipe të tjera si me Partizanin, Kukësin, por edhe ka fituar trofe, si me Skënderbeun. Në rolin e trajnerit të Dinamos, nga rëndësia që ka historia e këtij klubi, pavarësisht përballjes me një realitet krejt ndryshe, Allmuça për “Albanian Free Press”, thotë se lavdisë së këtij klubi i ka mbetur sot vetëm ekipi i futbollit. Ai shton se mbetet në dorë të shtetit, për ta shpëtuar, siç veproi edhe me Partizanin:

Igli, Dinamo mbylli një sezon të vështirë por qëndroi në Kategorinë e Parë...

Po, por mund të themi një qëndrim me plot sakrifica. Mjafton të themi se stërvitemi tek i njëjti kompleks ku është stërvitur historikisht ekipi ynë, por në një orar të papërshtatshëm, ndryshe nga ekipet e tjera që stërviten aty.

A ka ndonjë plan, për të ardhmen e Dinamos?

Është herët. Kampionati sapo është mbyllur. Edhe nëse do të synojmë të marrim lojtarë cilësorë, duhet të presim, sepse fillimisht ata preferojnë të luajnë me ekipe të Kategorisë Superiore.

Po për një të ardhme më afatgjatë, duke qenë se kompleksi nuk i përket më këtij klubi?

Kjo është çështje tjetër. Mendoj se duhet gjetur zgjidhje nga shteti, siç veproi me Partizanin, sepse presidenti, sado të mirë ta ketë dëshirën si deri tani, nuk e mban dot vetëm. Dinamo duhet parë edhe si një strategji për zhvillimin e futbollit.

Pse mendoni se nuk i vlerësohet historia këtij klubi dhe a ka rrezik shkrirje?  

Di të them se Dinamo emrin sot e mban vetëm ekipi i futboll që po drejtoj unë. Të gjithë ekipet e tjera janë shkrirë. Historinë e Dinamos e njohin të gjithë. Ne si ekip do të vazhdojmë përgatitjet për sezonin e ri dhe më tej te i njëjti kompleks, sepse nuk mund të i hiqet kjo e drejtë Dinamos, por për të ardhmen, duhet gjetur një zgjidhje edhe më dëshirën e mirë të shtetit që ky emër të mbetet, pse jo të rikthehet tek ditët e saj të lavdishme. a.muraçi

 

Një ide për të ardhmen e Dinamos

Historia e klubit, në Bathoren pa ekip

Nëse shihet e tepërt në kryeqytet, duke qenë se ka edhe dy ekipe të tjera si Tirana dhe Partizani, atëherë i duhet gjetur një qytet ose vend tjetër Dinamos. Nëse në Tiranë sot ka 5 herë më tepër banorë se në ’90 dhe nuk ka vend për një ekip të tretë si Dinamo, zona e Bathores nuk ka ekip futbolli, ndryshe nga ajo e Kamzës. Këtë sezon Kamza u ngjit në Kategorinë Superiore. Edhe Vora ka një ekip.

Në kryeqytet është edhe ekipi i ri i Internacional, që me Vorën garojnë në Kategorinë e Dytë. Pra, Bathorja pa ekip. Dinamo me historinë e saj mund të zhvendoset në Bathore, zonë me mbi 100 mijë banorë, më mirë sesa të shkrihet. Bathorja si zonë mund të zhvillojë jo nga e para, por një ekip që ka fituar 18 tituj kampionë, më pas se Tirana dhe thuajse të gjitha ekipet e rretheve të marra sa bashku. Dinamos i mbetet emri, historia, ndërsa në Bathore zhvillohet futbolli. Është një zonë me mbi 100 mijë banorë, ku fëmijët dhe të rinjtë po rriten prej vitesh pa pasur një klub futbolli. A nuk është edhe Juventus në Itali ekip i Torinos, por tifozët më të shumtë i ka në qytete të tjera dhe në mbarë botën! Juventus ka edhe një Shqipëri një tifoz special, kryeministrin Edi Rama, dikur një ish-basketbollist i ekipit të Dinamos.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: