E kujt është Presidenca? Sherri i Tiranës me Moskën për godinën

E kujt është Presidenca? Sherri i Tiranës me Moskën për godinën
Një ngjarje e vitit 1964 tërhoqi vëmendjen e medieve botërore. Shqipëria e Enver Hoxhës nuk pranonte t’i dorëzonte Bashkimit Sovjetik të Hrushovit godinën ku aktualisht ndodhet Presidenca. Përplasjet e gazetave partiake të të dy vendeve rrëfejnë historinë e ndërtesës që u fillua si ambasadë e Moskës dhe përfundoi në selinë e Presidentit të Republikës

Thanas Mustaqi

Për pronësinë mbi selisë së Presidencës së sotme shqiptare, mbi gjysmë shekulli më parë, ka patur një sherr diplomatik, që u shndërrua edhe në përplasje mediatike. Shteti më i madh në botë i asaj kohe, ish-Bashkimi Sovjetik, grindej me një nga shtetet më të vogla në botë, Shqipërinë.

Është një rast gjithsesi i çuditshëm, absurd dhe njëkohësisht “ekzotik”, saqë me këtë “scoop” u morën mediet botërore të kohës, përfshi dhe sektorin e studimeve të radios e të Kongresit Amerikan dhe CIA-s, “Evropa e Lirë” / Munih”.

Sovjetikët kërkonin prona në Shqipëri, por Tirana u kërkonte të paguanin 1,5 milionë rubla për ndërtimin e godinave të selisë diplomatike dhe tregtare. Pas deklasifikimit të arkivit të radios amerikane “Free Europe – Evropa e Lirë”, është bërë publik dhe një studim për përdorim të brendshëm të këtij mjeti të fuqishëm propagandistik antikomunist të Uashingtonit. Ai titullohet “Shpërthim në polemikën sovjetike-shqiptare (Flare-up in Soviet-Albanian dispute)” dhe i takon datës 1 mars 1964.

Gazeta “Albanian Free Press” boton dy dokumente, studimin e radios “Evropa e Lirë” dhe redaksionalen shqiptare. Në kushtet kur atëherë nuk ekzistonin këto mjete të fuqishme komunikimi që kemi sot, bie në sy fakti që “Evropa e Lirë” komentonte më 1 mars një shkrim redaksional të së përditshmes së KQ të PPSH “Zëri i popullit” të botuar më 28 shkurt 1964 me titullin “Shtypi sovjetik thur shpifje të reja antishqiptare”.Redaksionali i ZP-së ishte vazhdim i një beteje mediatike të nisur nga Moska me botimin në gazetën e qeverisë sovjetike “Izvestija”, më 24 shkurt të një artikulli, lidhur me marrjen nga Shqipëria të ndërtesave të papërfunduara të ambasadës sovjetike në Tiranë, etj. Të nesërmen, më 25 shkurt, gazeta e Partisë Komuniste “Pravda” botonte një artikull me formulime pothuajse identike me versionin e “Izvestija-s” e të titulluar “Akti i padenjë të autoriteteve shqiptare”.

Godina e re ambasadës sovjetike kishte filluar ndërtimin në vitin 1959 nga ndërmarrja e ndërtimit “21 Dhjetori”. Moska nuk e konsideronte të drejtë të paguante shpenzimet. Tirana thoshte të kundërtën. Kompleksi, ku ndodhet selia e Presidencës, soli debatin e madh. Theksojmë se bëhet për nj shifër prej 1,5 milionë rubla që duhet të paguante BS dhe që nuk e kishte problem, pasi kishte dhënë dhe falur kredi 200 milionë rubla.

 

Dokumenti / Radio “Evropa e Lirë” 1 mars 1964

Shpërthim në polemikën sovjetike-shqiptare

Protestës së ashpër e Moskës më 24 shkurt ndaj marrjes nga Shqipëria të disa prej ndërtesave të ambasadës sovjetike në Tiranë dhe ultimatumit dyditor që iu dha kujdestarëve sovjetikë për t’u larguar nga vendi, shqiptarët iu përgjigjën me të njëjtën monedhë më 28 shkurt teksa hodhën poshtë më forcë akuzat sovjetike që u bënë për shkak se qeveria shqiptare u përjashtoi thjesht hipotekën. Përveç kësaj, sovjetikët u penalizuan se nuk paguan faturat, kujdestarët braktisën ruajtjen e pronës, abuzuan me të drejtat e tyre dhe u përfshinë në aktivitete kundër shtetit shqiptar.

Provokimi i Tiranës dhe reagimi i ashpër i Moskës nxjerrin në pah edhe një herë çështjen e marrëdhënieve mes vendeve dikur aleate të ngushta. Këto akuza dhe kundër-akuza do të rezultonin me përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve - nëse kjo është e mundur - mes të dy vendeve, proces i cili daton në fund të 1961, kur Bashkimi Sovjetik ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë.

Sikurse dihet, më 3 dhjetor 1961, zëvendësministri i jashtëm sovjetik, R. Firjubin, i dërgoi një notë verbale Ambasadës shqiptare në Moskë, duke njoftuar shqiptarët mbi vendimin për të tërhequr gjithë personelin e ambasadës sovjetike dhe përfaqësisë tregtare nga Shqipëria. Në të njëjtën kohë nota thoshte se qëndrimi i personelit të ambasadës shqiptare dhe këshilltarit tregtar të Shqipërisë në Moskë ishte e pakuptimtë, dhe për këtë arsye ata duhej të tërhiqeshin. Udhëheqësit shqiptarë dhe mjetet e reja të informimit masiv të vendit atëherë kanë ripërsëritur se vendimi i Moskës për të prishur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë ishte “akt armiqësor i paprecedent në normat e marrëdhënieve midis vendeve socialiste”. Moska, nga ana tjetër, edhe pse për objektiva praktikë i konsideronte udhëheqësit e Shqipërisë të dëbuar nga kampi komunist, megjithatë këmbëngulte se Shqipëria ishte vend socialist dhe anëtar i kampit socialist. [shih, për shembull “Letrën e Hapur” sovjetike, botuar në gazetën “Pravda” më 14 korrik 1963].

Rifillimi i tanishëm i polemikës mes dy vendeve u shkaktua nga botimi në gazetën e qeverisë sovjetike “Izvestija” më 24 shkurt të protestës për shkak të marrjes nga Shqipëria të ndërtesës së ish-ambasadës sovjetike në Tiranë, ultimatumit që iu bë qeverisë sovjetike për të hequr të gjitha sendet nga ndërtesat e ambasadës, si dhe kërkesa që tre kujdestarët e pasurisë së Bashkimit Sovjetik që ishin lënë më pas në Tiranë, të largoheshin nga Shqipëria brenda dy ditësh. E përditshmja sovjetike përmendte tri data, në të cilat shqiptarët kryen sistematikisht veprimet e tyre jo-miqësore. Më 27 dhjetor, të tre kujdestaret të cilët ishin lënë në Tiranë, iu dha ultimatum për t’u larguar, më 27 janar Shqipëria kërkoi që qeveria sovjetike të hiqte të gjitha sendet nga ndërtesat e ambasadës, dhe më në fund, më 20 shkurt, vazhdonte “Izvestija”, qeveria shqiptare rrëmbeu disa prej ndërtesave. Të nesërmen, më 25 shkurt, gazeta e Partisë Komuniste “Pravda” botonte një artikull me formulime pothuajse identike me versionin e “Izvestija-s” të titulluar “Akti i padenjë të autoriteteve shqiptare”. Sipas këtij artikulli, Ministria e Jashtme sovjetike i kishte dërguar homologes së saj shqiptare dy nota, më 19 maj 1962, dhe përsëri më 9 shkurt 1964; e para, ku protestohej kundër konfiskimit të truallit shqiptar që ishte dhënë dikur nga qeveria shqiptare Qeverisë sovjetike, dhe të dyta që protestonte kundër trajtimit që u bëhej kujdestarëve të ambasadës sovjetike në Tiranë nga autoritetet shqiptare.

Të dy gazetat e quanin sjelljen e autoriteteve shqiptare “provokim, që nuk ka marrë parasysh taktin elementar në marrëdhëniet mes vendeve socialiste, as normat e së drejtës ndërkombëtare”. Tërthorazi thuhet se në këtë provokim kanë dorë kinezët, sikurse aludohet në artikull: “Provokimi antisovjetik është kryer në përputhje me një plan të paramenduar”.

Siç pritej, Tirana reagoi ndaj akuzave të reja sovjetike duke përgënjeshtruar përmbajtjen dhe tonin abuziv. Shqiptarët u përgjigjën me anë të një shkrimi redaksional në gazetën “Zëri i popullit”, më 28 shkurt, me titullin “Shtypi sovjetik thur shpifje të reja antishqiptare”.

Në thelb, gazeta hidhte poshtë si “trillim të plotë” akuzat sovjetike mbi rrëmbimin e ndërtesave të ambasadës sovjetike në Tiranë, dhe u përgjigj se Moska kishte refuzuar të paguante shpenzimet e ndërtimit, pavarësisht disa notave që kërkonin të bëhej kjo gjë. Redaksionali thoshte se qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, në frymën e marrëdhënieve vëllazërore me Bashkimin Sovjetik dhe të internacionalizmit proletar, më 1958 pranoi kërkesën e Qeverisë Sovjetike për të ndërtuar në Tiranë selinë e ambasadës dhe të përfaqësisë tregtare sovjetike në Shqipëri. Për këtë qëllim ajo dha të gjitha lehtësitë dhe ngarkoi ndërmarrjen shtetërore të ndërtimit “21 Dhjetori”, e cila, më 15 shtator 1959, nënshkroi me ambasadën sovjetike aktmarrëveshjen përkatëse. Megjithatë, vazhdonte ZP-ja, në mënyrë të përsëritur, verbalisht e me letra zyrtare, dhe posaçërisht me letrat e saj të 25 marsit të 1960 dhe të 25 tetorit 1961, Banka e Shtetit Shqiptar i ka kërkuar palës sovjetike që të paguante mbi këtë bazë ligjore shpenzimet e kryera. Por ambasada sovjetike nuk u përgjigj asnjë herë dhe pretendoi më qëllim përfitimi të padrejtë që shpenzimet e ndërtimit të godinave në fjalë të konsideroheshin si shpenzime jo tregtare. Përsëri më 25 nëntor 1961 Banka e Shtetit Shqiptar iu drejtua Bankës Shtetërore të BRSS dhe e njoftoi se deri atëherë punimet e kryera për ndërtimin e godinave arrinin shumën 1.508.266.15 rubla, shumë e papaguar nga pala sovjetike.

Është interesante të theksohet se nota-ankesë e parë shqiptare e 25 marsit 1960 drejtuar Bankës sovjetike, tregon për herë të parë datën më të hershme për ekzistencën e mosmarrëveshjeve sovjetike-shqiptare, pra vetëm gjashtë muaj pas ceremonive të hedhjes së themeleve në 15 shtator 1959. Nota e fundit e 25 nëntorit 1961, e cila kërkonte pagesën e kostove të ndërtimit, gjithashtu i paraprinte 3 dhjetorit që shënoi prerjen e marrëdhënieve diplomatike. Ky hap jomiqësor i shqiptarëve mund të ketë provokuar Moskën të vendoste përfundimisht për ndërprerjen e marrëdhënieve shtetërore me Tiranën.

Redaksionali vazhdonte të bënte të ditur se në 12 janar 1962 Banka e Tregtisë së Jashtme e BRSS njoftonte Bankën e Shtetit Shqiptar se refuzonte që shpenzimet të paguheshin nga llogaria klering, kësisoj Qeveria Sovjetike mori përsipër përgjegjësinë e plotë. Në notën e Ministrisë të Punëve së Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë drejtuar më 5 prill 1962 Ministrisë të Punëve së Jashtme të BRSS, thuhet se Qeveria Shqiptare u detyrua të marrë përsipër të gjitha shpenzimet e ndërtimeve të kompleksit të godinave në fjalë, të paguajë vetë ndërmarrjen zbatuese, “në vështirësi të rënda financiare”, të marrë masa për përfundimin e ndërtimit dhe t’i disponojë këto godina sipas nevojave të saj. Shqipëria pretendonte se kompleksi i godinave të papërfunduara janë pronë e shtetit Shqiptar, i cili ka përballuar të gjitha shpenzimet dhe ka plotësisht të drejtë t’i disponojë ato siç e sheh të arsyeshme. ZP-ja shtonte se Qeveria Sovjetike nuk ka “asnjë të drejtë pronësie mbi ndërtesat”.

Lidhur me largimin e mallrave sovjetike, redaksionali thoshte se më 30 janar 1964, Tirana me notë zyrtare kishte kërkuar të tërhiqeshin nga Qeveria Sovjetike sendet e ndryshme, përndryshe ato do të vendosen dhe do të ruhen rregullisht në një vend tjetër, kurdoherë si pronë e Bashkimit Sovjetik. Shpjegohej se kjo gjë ishte e domosdoshme, për shkak se gjithë godinat e papërfunduara destinoheshin për përdorim tjetër dhe në bazë të planit rregullues të qytetit të Tiranës.

“ZP”-ja gjithashtu kishte gati një përgjigje gati ndaj akuzave për një ultimatum të dhënë për kujdestarët sovjetikë nga ana e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi. Sipas redaksionalit, të tre kujdestarët “nuk ishin dërguar në Tiranë për ruajtjen e “pasurisë sovjetike” por për qëllimet të tjera.” Pastaj shpjegonte: “Duke abuzuar me të drejtat e njohura dhe kushtet e mira të krijuara nga autoritetet shqiptare tre punonjësit sovjetikë në fjalë kryen veprimet të paligjshme dhe të papajtueshme me statutin juridik dhe i kthyen ndërtesat ku banonin në një qendër veprimtarie antishtetërore kundër Republikës Popullore të Shqipërisë”.

E përditshmja shqiptare vërente më poshtë se Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të kërkonte largimin e tyre nga vendi në një notë të 27 dhjetorit 1963, dhe në të njëjtën kohë, vendosi të tërheqë nga Bashkimi Sovjetik tre punonjësit teknikë shqiptarë, sepse ata ishin bërë “objekt i survejimit, ndjekjeve, pengesave dhe fyerjeve të patolerueshme nga ana e organeve sovjetike”.

“Fushata e re e shpifjeve dhe provokimeve antishqiptare që ka ndërmarrë ditët e fundit shtypi sovjetik, bën pjesë në politikën e shfrenuar armiqësore të grupit të N. Hrushovit kundër popullit shqiptar, kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë”.

Ky akt i fundit provokues i udhëheqësve të Tiranës është i dyti që nga fillimi i polemikës në vitin 1960. Kur sovjetikët filluan të tërheqin këshilltarët e tyre ushtarakë nga Shqipëria dhe mbyllën bazën e tyre detare të nëndetëseve në Vlorë, u raportua nga burime të besueshme se shqiptarët rrëmbyen disa nëndetëse sovjetike dhe në këtë datë kanë nuk pranuan t’i dorëzojnë ato. Këtë herë sovjetikët, përveç reagimit të tyre të ashpër në shtyp, mund të hakmerren duke përvetësuar ndërtesën shqiptare në Moskë.

Së fundi, provokimi shqiptar dhe reagimi i ashpër i Moskës duhet parë gjithashtu dhe në kontekstin më të gjerë të ndarjes kineze-sovjetike. Ishte e dukshme se Moska u detyrua të reagonte si pasojë e aktit provokues shqiptar. Megjithatë, nuk ka rëndësi se kush e shkaktoi i pari problemin, shpërthimi [në polemikën sovjetike-shqiptare - “Albanian Free Press”] gjithashtu përputhet me qëllimin e qartë e Moskës për të thyer heshtjen e saj të gjatë kundrejt Pekinit përballë akuzave të vazhdueshme kineze.

 

Dokumenti / Editorial i gazetës partiake, 28 shkurt 1964

Shtypi sovjetik thur shpifje të reja antishqiptare

Replikë e Tiranës me gazetat sovjetike “Izvestija” dhe “Pravda”

Shtypi sovjetik ka shpërthyer një fushatë të re shpifjesh dhe sulmesh të egra kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, me pretekstin se gjoja autoritetet shqiptare paskan “rrëmbyer godinat dhe pasuritë që i përkasin Bashkimit Sovjetik” në Tiranë.

Fjala është për një kompleks godinash që do të shërbenin për përfaqësinë e Bashkimit Sovjetik në Tiranë dhe personelin e saj, por që nuk shërbyen asnjë ditë për këtë qëllim, pasi deri në prerjen e marrëdhënieve diplomatike nga Bashkimi Sovjetik, ishin në ndërtim e sipër dhe paskëtaj mbetën pa u përfunduar.

Qeveria sovjetike, në kundërshtim flagrant me faktet e dokumentet dhe duke shtrembëruar të vërtetën, pretendon se gjoja “ndërtesat e përfaqësisë zyrtare sovjetike në Tiranë ishin ndërtuar vetëm me mjetet e Qeverisë Sovjetike” dhe se “i gjithë kompleksi i ndërtuar është pronë e padiskutueshme e Bashkimit Sovjetik”.

Ky është trillim i plotë dhe shtrembërim i paskrupullt i së vërtetës.

E vërteta është se qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, në frymën e marrëdhënieve vëllazërore me Bashkimin Sovjetik dhe të internacionalizmit proletar, më 1958 pranoi kërkesën e Qeverisë Sovjetike për të ndërtuar në Tiranë selinë e ambasadës dhe të përfaqësisë tregtare sovjetike në Shqipëri. Për këtë qëllim ajo dha të gjitha lehtësitë dhe ngarkoi ndërmarrjen shtetërore të ndërtimit “21 Dhjetori”, e cila, më 15 shtator 1959, nënshkroi me ambasadën sovjetike aktmarrëveshjen përkatëse. Pala shqiptare i plotësoi rregullisht detyrimet e saj, por Qeveria Sovjetike nuk pranoi të paguajë siç është e drejta dhe siç e detyronte aktmarrëveshja përkatëse, shpenzimet e kryera nga ndërmarrja “21 Dhjetori” për ndërtimin e godinave që do të destinoheshin për selinë e ambasadës sovjetike.

Në bazë të protokollit mbi pagesat jo tregtare, nënshkruar më 8 shtator 1956 midis qeverive shqiptare dhe sovjetike, ndërtimet nuk hyjnë në kategorinë e shpenzimeve jo tregtare, por në kategorinë e shpenzimeve tregtare, domethënë në llogarinë klering të shkëmbimeve tregtare. Këtë pala sovjetike e kishte shumë të qartë. Prandaj, në mënyrë të përsëritur, verbalisht e me letra zyrtare, dhe posaçërisht me letrat e saj të 25 marsit të 1960 dhe të 25 tetorit 1961, Banka e Shtetit Shqiptar i ka kërkuar palës sovjetike që të paguante mbi këtë bazë ligjore shpenzimet e kryera. Por ambasada sovjetike nuk u përgjigj asnjë herë dhe pretendoi më qëllim përfitimi të padrejtë që shpenzimet e ndërtimit të godinave në fjalë të konsideroheshin si shpenzime jo tregtare. Përsëri më 25 nëntor 1961 Banka e Shtetit Shqiptar iu drejtua Bankës Shtetërore të BRSS dhe e njoftoi se deri atëherë punimet e kryera për ndërtimin e godinave nga ndërmarrja “21 Dhjetori” arrinin shumën 83.799.267 lekësh, baras me rubla klering 1.508.266.15 shumë e papaguar nga pala sovjetike dhe me të cilën Banka e Shtetit Shqiptar kishte debituar palën sovjetike në llogarinë klering sipas marrëveshjes në fuqi midis dy vendeve. Në 12 janar 1962 Banka e Tregtisë së Jashtme e BRSS u përgjigj se refuzonte që shpenzimet për ndërtimin e godinave të paguheshin nga llogaria klering. Në këtë mënyre Qeveria Sovjetike refuzoi përfundimisht shlyerjen e rregullt të shpenzimeve për ndërtimin e godinave, shkeli hapur protokollin e lartpërmendur të 8 shtatorit 1956, e bëri të pavlefshëm aktmarrëveshjen e 15 shtatorit 1959 dhe, praktikisht, hoqi dorë nga ndërtimi i godinave në fjalë, duke marrë përsipër përgjegjësinë për rrjedhimin e këtyre veprimeve. Me ç’kurajë, atëherë, pretendon Qeveria Sovjetike se këto godina janë pronë e Bashkimit Sovjetik kur ajo nuk ka paguar shpenzimet për ndërtimin e tyre dhe ka refuzuar të njohë detyrimet e saj?

Refuzimi i palës sovjetike për të shlyer pagesat, e vuri ndërmarrjen “21 Dhjetori” në vështirësi të rënda financiare, e detyroi atë të pezullojë punimet më 9 dhjetor 1961, duke lënë një pjesë të godinave pa mbaruar.

Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, natyrisht, nuk mund ta linte as ndërmarrjen “21 Dhjetori” në këtë gjendje të vështirë dhe as godinat të pambaruara në rrugën më kryesore të kryeqytetit. Sikundër shpjegohet me hollësi në notën e Ministrisë të Punëve së Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë drejtuar më 5 prill 1962 Ministrisë të Punëve së Jashtme të BRSS, Qeveria Shqiptare u detyrua të marrë përsipër të gjitha shpenzimet e ndërtimeve të kompleksit të godinave në fjalë, të paguajë vetë ndërmarrjen zbatuese, të marrë masa për përfundimin e ndërtimit dhe t’i disponojë këto godina sipas nevojave të saj. Ky është një veprim krejtësisht normal, në përputhje të plotë me zbatimin e të drejtave sovrane të shtetit, që parashikohen edhe nga normat e së drejtës ndërkombëtare, nga zakonet dhe praktika e marrëdhënieve midis shteteve.

Pra, kompleksi i godinave që u porositën nga Qeveria Sovjetike dhe nuk u paguan, janë pronë e shtetit Shqiptar, i cili ka përballuar të gjitha shpenzimet dhe ka plotësisht të drejtë t’i disponojë ato siç e sheh të arsyeshme. Qeveria Sovjetike nuk asnjë të drejtë pronësie mbi to.

E vetmja pasuri e Bashkimit Sovjetik në Tiranë janë teshat e ndryshme të lëna pas tërheqjes së personelit të ish-ambasadës sovjetike nga Shqipëria. Qeveria Shqiptare asnjë herë nuk ka vënë në diskutim pronësinë sovjetike në këto sende dhe ka pranuar që ato të ruhen, kundrejt qirasë, në godinat e kompleksit të përmendur më lart. Kohët e fundit, dhe pikërisht më 30 janar 1964, për shkak se gjithë kompleksi i godinave në fjalë destinohet për përdorim tjetër dhe në bazë të planit rregullues të qytetit të Tiranës atje do të kryhen një varg punimesh të reja, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Shqipërisë, në përputhje me rregullat me praktikën ndërkombëtare, me notë zyrtare ka kërkuar që këto sende të tërhiqen nga Qeveria Sovjetike, përndryshe ato do të vendosen dhe do të ruhen rregullisht në një vend tjetër, kurdoherë si pronë e Bashkimit Sovjetik.

Kështu qëndron çështja me të ashtuquajturin “rrëmbim të godinave dhe të pasurisë së Bashkimit Sovjetik në Shqipëri”.

Dhe për veprimet e mësipërme krejt normale të autoriteteve shqiptare jo vetëm nuk mund të bëhet fjalë për “rrëmbim të pasurisë sovjetike”, por nuk ka aspak vend për të folur as për “mungesë takti elementar në marrëdhëniet midis vendeve socialiste”, siç bën në mënyrë tendencioze shtypi sovjetik. Në qoftë se ndokush i ka vënë shqelmin jo vetëm “taktit”, por çdo norme në marrëdhëniet midis shteteve socialiste, kjo është vetë udhëheqja sovjetike. Për këtë flet fakti që ajo kërkon të përvetësojë pa të drejtë godinat e ndërtuara nga punëtorët shqiptarë, me materialet shqiptare dhe me shpenzimet e Qeverisë Shqiptare. Flet fakti që, krejt në kundërshtim jo vetëm me “taktin elementar në marrëdhëniet midis shteteve socialiste”, por edhe me normat e së drejtës ndërkombëtare, Qeveria Sovjetike preu në mënyrë të njëanshme marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë socialiste, dhe çori brutalisht të gjitha marrëveshjet zyrtare të përfunduara midis Qeverise Shqiptare dhe Qeverisë Sovjetike. Flet fakti i organizmit të bllokadës të gjithanshme, sulmeve pa parim dhe shpifjeve të njëpasnjëshme kundër Republikës Popullore të Shqipërisë.

Me këtë zhurmë shpifjesh kundër Shqipërisë, udhëheqësit sovjetikë përpiqen të mbulojnë edhe veprimtarinë e dënueshme të tre punonjësve teknikë sovjetikë që Qeveria Shqiptare, pas prerjes së marrëdhënieve diplomatike nga Bashkimin Sovjetik, pranoi në bazë të reciprociteti, të qëndrojnë në Tiranë për ruajtjen e sendeve të ish-ambasadës sovjetike.

Por siç vërtetuan faktet, ata nuk kishin dërguar në Tiranë për ruajtjen e “pasurisë sovjetike” por për qëllimet të tjera. Duke abuzuar me të drejtat e njohura dhe kushtet e mira të krijuara nga autoritetet shqiptare tre punonjësit sovjetikë në fjalë kryen veprimet të paligjshme dhe të papajtueshme me statutin juridik dhe i kthyen ndërtesat ku banonin në një qendër veprimtarie antishtetërore kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Prandaj, me 27 dhjetor 1963, Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë u detyrua të kërkojë largimin e tyre nga Shqipëria. Në të njëjtën kohë, ajo vendosi të tërheqë nga Bashkimi Sovjetik tre punonjësit teknikë shqiptarë, pasi këta ishin bërë vazhdimisht objekt i survejimit, ndjekjeve, pengesave dhe fyerjeve të patolerueshme nga ana e organeve sovjetike.

Fushata e re e shpifjeve dhe provokimeve antishqiptare që ka ndërmarrë ditët e fundit shtypi sovjetik, bën pjesë në politikën e shfrenuar armiqësore të grupit të N. Hrushovit kundër popullit shqiptar, kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë. Trillimet e reja të propagandës sovjetike nuk do të gabojnë dot popullin sovjetik dhe opinionin publik ndërkombëtar mbi qëndrimin e drejtë dhe politikën parimore konsekuente të Republikës Popullore të Shqipërisë, nuk do të mundin të prishin ndjenjën e miqësisë vëllazërore midis popullit shqiptar dhe popullit sovjetik.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: