Ecuria e rritjes së ekonomisë, Shqipëria prin vendet e rajonit

Ecuria e rritjes së ekonomisë, Shqipëria prin vendet e rajonit
Ekonomia shqiptare prin ndër vendet e rajonit sa i përket ecurisë së saj, nga njëri tremujor në tjetrin. Kështu konfirmojnë të paktën të dhënat krahasimore të Bankës së Shqipërisë, referuar të dhënave rreth treguesve kryesorë makro-ekonomikë të disa prej shteteve të rajonit tonë. Konkretisht, sipas tyre, rezulton se në fund të vitit të kaluar 2016, ekonomia shqiptare arriti normën më të lartë të saj në rajon, në nivelin prej 4%. Pasuar nga Turqia, e cila e kishte këtë tregues deri në nivelin prej 3.5% dhe më tej Kosova, me 3% të rritjes së saj ekonomike. Një ecuri në rritje kjo, po ta krahasojmë me nivelin prej vetëm 3.1% që ekonomia shqiptare kishte tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Sërish kjo një shifër shumë e lart kundrejt vlerave më të ulëta të këtij treguesi që shënuan vende të tilla si Greqia apo Maqedonia, me vetëm 2% rritje ekonomike, ose Serbia që e kishte këtë tregues 2.8% dhe deri Italia, në një nivel më të ulët, deri 1.0%. Duke treguar kështu se megjithë problemet e saj, ekonomia shqiptare të paktën zyrtarisht, po referon progresivitet të saj. “Rritja ekonomike e vendeve kryesore partnere tregtare në Ballkan është forcuar gjatë vitit 2016, e mbështetur kryesisht nga investimet dhe konsumi privat dhe më pak nga eksportet. Përjashtim në këtë tendencë bën Turqia, ekonomia e të cilës u ngadalësua ndjeshëm si pasojë e tensioneve të brendshme politike. Por edhe ekonomia e Maqedonisë, e cila regjistroi një ritëm më të ulët rritjeje në vitin 2016, në nivelin prej 2.8% nga 3.5% që ishte vitin e kaluar, e ndikuar kjo nga rënia e investimeve. Kriza politike në Maqedoni duket të ketë ndikuar klimën e biznesit”, sqarojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

PRITSHMERIA

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë citojnë nga ana tjetër faktin se perspektiva ekonomike e vendeve partnere të rajonit për vitin 2017 është pozitive. “Rritja ekonomike pritet të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, ndërsa rreziqet burojnë nga kursi i zhvillimeve në ekonomitë e mëdha dhe tensionet e brendshme politike si në Maqedoni dhe Turqi”, argumentojnë ata.

Inflacioni – Çmimet po rriten kudo, në Shqipëri pranë kufirit të lejuar

Çmimet duket se janë në një ecuri të pandalshme, drejt rritjes së tyre për të gjitha vendet e rajonit, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Teksa te kjo e fundit, tashmë ky tregues ka arritur pranë nivelin maksimal të lejuar nga Banka e Shqipërisë, prej 2.5%. Konkretisht, siç referon kjo e fundit, në tremujorin e parë të këtij viti, treguesi i inflacionit si i tillë ka rezultuar në nivelin prej 2.4%. “Normat e inflacionit tregojnë rritje në të gjitha vendet. Çmimet më të larta të ushqimeve dhe të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare janë faktorët kryesorë për rritjen e inflacionit”, konfirmon gjithashtu institucioni qendror bankar në vendin tonë. Për të vijuar më tej me listimin e shifrave të këtij treguesi, përkatësisht me nivelin më të ulët të tij në Maqedoni, 0.5%; si edhe në Itali dhe Greqi, përkatësisht me nivelet prej 1.3% dhe 1.4%. Tregues ky i cili rezulton se është më i lartë në Turqi, gjatë pjesës së parë të ktij viti, deri në nivelin prej 10.2% dhe kjo pikërisht si pasojë e zhvillimeve të fundit politike në këtë vend.

PARALAJMËRIMI

“Tensionet gjeopolitike, rrezik për ekonominë”

“Pritjet për zhvillimet ekonomike në të ardhmen janë pozitive. Megjithatë, rreziqet qëndrojnë në kahun e poshtëm, të lidhura me situatën politike në disa vende të Bashkimit Evropian dhe tensionet gjeopolitike. Efektet e këtyre rreziqeve mund të prekin edhe ekonomitë e vogla të rajonit, të cilat janë rritur me ritme të qëndrueshme. Faktorë rreziku mbeten pasiguria mbi perspektivat e politikave ekonomike, si dhe ajo e lidhur me paqëndrueshmërinë politike në shtete dhe rajone të caktuara”. Ky është paralajmërimi që jepet në raportin më të fundit të Bankës së Shqipërisë, sa i përket ecurisë së ekonomisë në rajon dhe më gjerë, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Të mos harrojmë se në rajon, disa nga vendet e tij si Maqedonia apo Kosova, gjenden aktualisht në një krizë të thelluar politike, e cila mesa duket do të gjenerojë edhe efekte negative në të ardhmen sa i përket ekonomisë së saj. Kjo, megjithëse, sipas ekspertëve të kësaj banke, mjedisi ekonomik dhe financiar ndërkombëtar në tërësi rezulton se së fundmi është përmirësuar.

Partnerët kryesorë të Shqipërisë, dinamika të ndryshme të zhvillimit

“Ekonomitë e vendeve partnere tregtare të Shqipërisë, Italia dhe Greqia, kanë shfaqur dinamika të ndryshme të zhvillimit ekonomik”. Kjo është një tjetër analizë që bën Banka e Shqipërisë referuar ecurisë ekonomike të rajonit, ku bën pjesë edhe vendi ynë. Për të detajuar se “Italia ka shfaqur vijim të rritjes ekonomike në tremujorin e fundit 2016”. Kurse sa i përket ekonomisë së Greqisë, raporti në fjalë, citon se ajo është tkurrur ndjeshëm në tremujorin e katërt 2016, duke reflektuar zvogëlimin e investimeve dhe të shpenzimeve për konsum. “Situata në të ardhmen përmban pasiguri që krijohen nga problemet e mundshme me menaxhimin e borxhit sovran”, citon BSH-ja lidhur me një fakt të tillë.

Eurozona po ecën më mirë se më parë, ekspertët parashikojnë rritje

“Ekonomia e Eurozonës ka ruajtur ecuri pozitive në tremujorin e fundit të vitit 2016. Forcimi i aktivitetit ekonomik po mbështetet vazhdimisht nga gjallërimi i konsumit, ndërkohë që edhe investimet po japin kontribut pozitiv”. Ky është një tjetër konstatim i bërë nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, teksa kanë marrë përsipër të bëjnë një analizë të përgjithshme të ekonomisë së rajonit e më gjerë.  Sipas tyre, rritja e shpenzimeve konsumatore ka reflektuar përmirësimin e tregut të punës dhe kushtet më të favorshme të kreditimit, si pasojë e lehtësimit të politikës monetare. Duke shtuar se rritja ekonomike në Eurozonë pritet të jetë pozitive dhe e qëndrueshme për periudhën në vazhdim.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: