Ekonomia, rikthehet sërish në kryefjalë të kampeve politike

Ekonomia, rikthehet sërish në kryefjalë të kampeve politike
Eglantina Nasi

Punësimi, ndihma ekonomike, pensionet etj, janë disa nga çështjet kryesore që kanë nisur të trajtohen së fundmi me më shumë intensitet në fjalimet e përfaqësuesve politikë të të dy kampeve të politikës në vend. Përtej argumenteve që kanë qenë deri tani kryefjalë e tyre, të tilla si vettingu, reforma në drejtësi apo zgjedhje të lira etj

***

Ekonomia duket se është vendosur sërish në qendër të fjalimeve politike të të dyja kampeve, si nga e majta, edhe nga e djathta. Kështu, përtej argumentave politike “zgjedhje të lira e të ndershme”, “qeveri teknike”, “vetting” apo “reforma në drejtësi”, ditët e fundit termat ekonomikë të tillë si “investime”, “varfëria”, “biznesi”, “rritje ekonomike” apo “taksa” kanë mbizotëruar në fjalimet e përfaqësuesve të politikës së mazhorancës, por edhe të opozitës. Kështu, në Kongresin Elektoral të zhvilluar dje në Durrës, Partia Socialiste teksa ka prezantuar programin e saj u ka mëshuar pikërisht dy koncepteve kyçe ekonomike: Mirëqenie dhe zhvillim. Vetë kryeministri Edi Rama ka përmendur premtimin e hapjes së 220 mijë vendeve të reja pune, në katër vitet e ardhshme. Madje sipas të majtës, reforma në drejtësi do të ndikojë pikërisht në shtimin e vendeve të punës. Kujtojmë sakaq, se argumenti i punësimit si i tillë ka qenë edhe një ndër shtyllat e programit elektoral të këtij kampi politik gjatë fushatës së mëparshme elektorale, ndërsa premtonte hapjen e plot 300 mijë vendeve të reja pune. Për të vijuar sivjet edhe me premtimin e rritjes së pagave deri në nivelin prej 40%. “Në fund të mandatit, do të kemi rritur me 40% pagat e të gjithë punonjësve buxhetorë. Do të rrisim pagën minimale në 30 mijë lek. Ne tani sa rritëm pagën minimale në 24 mijë lek, pra me 9% dhe në fund të mandatit do ta kemi rritur në 30 mijë lekë, ose për ta thënë në shifra konkrete, do të përfitojnë 315 mijë qytetarë, rreth 22.5 miliardë lekë vetëm nga kjo rritje page”, theksoi konkretisht në lidhje me një fakt të tillë ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Duke shtuar se të ardhurat e shqiptarëve do të rriten deri në nivelin prej 25%. E gjithmonë në kuadrin e luftës ndaj varfërisë, e majta ka dalë dje edhe me premtimin për dyfishimin e buxhetit për ndihmën ekonomike si të tillë. Përballë saj, e djathta e cila ka paraqitur ditën e fundit gjithashtu atë që ajo e ka cilësuar si “platformë qeverisëse me fokus tek ekonomia”. Dhe që sipas saj, është e bazuar në uljen e taksave për biznesin dhe rritjen e pagës minimale. Gjithashtu, e djathta i ka mëshuar ditët e fundit edhe pensioneve, duke paralajmëruar anulim të efekteve të reformës së saj që parashikon rritje të moshës së daljes në të, por edhe rritje të kuotave të tij aktuale. “Do t’u kthehemi pensionistëve, të cilët do të kenë pensionin minimal, 250 mijë lek në muaj”, ka qenë një premtim i drejtuesve të së djathtës ditët e fundit. Duke vijuar më tej me ndihmën ekonomike si të tillë, për të cilën është premtuar se mbi 40 mijë familje që sipas opozitës janë hequr padrejtësisht nga skema e saj, do të ndihmohen.

TREGUESIT

Investimet në qendër të fjalimeve, si ato publike dhe të huajat

Investimet janë një tjetër tregues i rëndësishëm makro-ekonomik që po gjen qasje në fjalimet e politikanëve. Këtu përfshihen si ato publike, edhe ato të huaja. Për të dyja këto dy kategori, mazhoranca dhe opozita ndajnë të njëjtin qëndrim: Shtimin e tyre gjatë viteve në vazhdimi, porse me mënyra të ndryshme. Konkretisht, e majta synon nxitjen e investimeve të huaja, përmes asaj që ajo 3e quan si përmirësim i klimës së biznesit. Kurse e djathta pretendon se ato do të shtohen kryesisht nga niveli i sheshtë i taksimit, por edhe në tërësi nga një regjim i ulët taksash etj.

PËRPLASJA

Taksat, argumenti që mbizotëron mes palëve

Taksimi si i tillë është kthyer tashmë në një argument i cili po mbizotëron në fjalimet e dy palëve të politikës. Nga ana e saj, e majta i qëndron idesë se taksa progresive, e cila bazohet në parimin se kush fiton më shumë, paguan më shumë do vazhdojë të aplikohet prej saj edhe në vitet e ardhshme. Për të theksuar më tej se dhe tatimi për biznesin e vogël do të vazhdojë të jetë zero, kurse tatimi mbi fitimin për bizneset nën 8 milionë do të vazhdoje të jetë në nivelin prej 5%. Politikat fiskale do të vazhdojnë të synojnë lehtësimin e ngarkesës për qytetarët. Kurse e djathta i mbetet idesë së taksimit të sheshtë, duke synuar në uljen e tij deri në nivelin prej 9% gjatë viteve në vijim. “Biznesi do të ketë garancitë e klimës më konkurruese në rajon, taksën më të ulët në rajon, taksën e sheshtë 9%, që të ndezë motorrët e ekonomisë dhe të çlirojë energjinë pozitive”, kujtojmë të ketë cituar lidhur me një fakt të tillë, lideri i së djathtës.

DUKURIA

Kthehen sytë nga bujqësia, vëmendje ndaj fermerëve

Kthimi i syve nga sektori i bujqësisë dhe shtimi i vëmendjes  ndaj fermerëve është një tjetër dukuri që po vihet re së fundmi, si për të majtën, edhe për të djathtën. “Do të mbështesim bujqësinë, do të heqim TVSH për inputet bujqësore, do të përjashtojmë nga TVSH-ja ato që kanë kërkuar fermerët, plehrat kimike, pesticidet, farat, fidanët”, ka pohuar vetë ministri i Financave. Duke shtuar këtu edhe një ndihmesë prej 2 miliardë lekë në vit për fermerët dhe bujqësinë, si të tillë. Kurse për liderin e opozitës, ndihma për fermerët do të bazohet pikërisht në shtimin e subvencioneve e të ndihmës shtetërore ndaj kësaj kategorie. “Fermerët shqiptarë nuk do të kenë më asnjë arsye të braktisin tokat, të therin bagëtitë, të shesin pasuritë e të nisen drejt emigracionit. Nuk do të kenë më asnjë arsye, të skllavërohen në skllavërinë e drogës”, ka cituar ai lidhur me një fakt të tillë.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: